Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur pakënaqësi ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me vizitat e dy të dërguarve të posaçëm amerikanë në Moskë, pa një ndalesë në Kiev.
Ai theksoi se Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë zhvilluar disa takime në kryeqytetin rus në periudhën kur përpjekjet për armëpushim po merrnin intensitet. Sipas tij, mungesa e një vizite zyrtare në Ukrainë krijon një pabarazi në kontaktet diplomatike.
“Është mungesë respekti [nga ana e tyre] të vijnë në Moskë dhe jo në Kiev, është thjesht mungesë respekti. E kuptoj që kemi logjistikë komplekse… Nëse nuk duan, mund të takohemi në vende të tjera”, deklaroi Zelensky gjatë një interviste.
Witkoff, i dërguari special i Donald Trump, ka udhëtuar disa herë drejt Moskës dhe ka zhvilluar takime me presidentin rus Vladimir Putin. Nga ana tjetër, as ai dhe as Kushner nuk kanë realizuar vizita zyrtare në Ukrainë.
Në fillim të prillit u përfol për një vizitë të mundshme të tyre në Kiev, por ajo nuk u zhvillua. Zhvillimet e tjera ndërkombëtare ndikuan në ndryshimin e axhendës diplomatike.
Takimi i fundit trepalësh mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës u mbajt në mes të shkurtit. Më pas, përshkallëzimi i një tjetër konflikti që përfshiu SHBA-në, Izraelin dhe Iranin zhvendosi fokusin nga përpjekjet për përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila vijon prej më shumë se katër vitesh.
Lini një Përgjigje