Dokumentet e SHISH dhe SPAK zbulojnë kontrabandë sistematike të barnave përmes autorizimeve “humanitare” nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa qeveria hesht dhe drejtësia zvarrit hetimin ndaj rrjetit që mbulon mbi 70% të tregut të barnave në Shqipëri.
Më 13 dhjetor 2024, një javë pasi BKH dorëzoi në SPAK dosjen hetimore me prova për kontrabandën e ilaçeve dhe pastrimin e parave që ka kryer Dorian Sadiku përmes kompanive “Delta Pharma”, “Delta Holding”, “Bondes Holding”, “Novartis” dhe “Metro Farmaci”, ky i fundit organizoi konferencën “Pharma-Horizon 2025” në emër të shoqatës “Unioni i Biznesit Farmaceutik” (UBF), ku është vetëemëruar kryetar.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, ndonëse është në dijeni të plotë për hetimin në fjalë, përfshirë autorizimet për përjashtime doganore dhe kontrolle, të lëshuara më parë nga vetë ministria që ajo drejton, si dhe nga ish-ministrat Ilir Beqja e Ogerta Manastirliu.
Kompanitë në pronësi të Dorian Sadikut, ku ai është aksioner i vetëm ose bashkëortak me kunatin e tij, Kliti Hoti, deputet i PD-së, i zgjedhur nga lista e mbyllur më 11 maj 2025, merren me importin dhe tregtimin e ilaçeve dhe materialeve mjekësore, ku rreth 50% e produkteve dyshohet se futen kontrabandë, me dokumente false ose pa dokumente fare, duke korruptuar doganat.
Sipas një raporti të SHISH, i dorëzuar në Kryeministri, polici, prokurori dhe SPAK, tetë muaj pas kontrolleve në “Delta Pharma” dhe rrjetin e farmacive, rezulton se Dorian Sadiku vijon kontrabandën edhe përmes një linje të autorizuar nga vetë qeveria.
Kjo kontrabandë kryhet duke importuar ilaçe me të dhëna false për prodhimin, markën, certifikimin dhe origjinën, nën pretendimin se janë “kontribute për nevoja humanitare”.
Lejet për këtë janë lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë që prej janarit 2014, në emër të Unionit të Biznesit Farmaceutik (UBF), një strukturë ku Dorian Sadiku ka rol drejtues dhe përbëhet nga 20 kompani që zotërojnë 70% të tregut farmaceutik dhe 80% të tenderëve shtetërorë.
Një pjesë e këtyre ilaçeve, të futura në vend me pretendimin e ndihmave, dërgohen më pas kontrabandë në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, përmes kompanive “Delta Pharma”, “Metro Farmaci dhe “Novartis Albania-Kosova”, kjo e fundit deri pak kohë më pare, nën drejtimin e Kliti Hotit.
Sipas të dhënave të hetimit, sasia e ilaçeve të importuara ligjërisht përbën vetëm 30% të atyre që Sadiku dhe Hoti kanë hedhur në treg. Në shumë raste, këto kompani kanë fituar tenderë publikë me medikamente të kontrabanduara, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe doganat nuk kanë asnjë evidencë zyrtare mbi sasinë reale të barnave të futura në emër të ndihmave dhe as mbi destinacionin e tyre final.
Përveç shoqatës “Unioni i Biznesit Farmaceutik”, në këtë skemë është e përfshirë dhe “Shoqata Shqiptare e Përfaqësuesve të Farmacive”, ku kryetar është Kliti Hoti. Ky fakt vërteton ndërtimin dhe funksionimin e një rrjeti të mbyllur që kontrollon importin, kontrabandën dhe tregun farmaceutik në vend, me mbështetje politike, leje të posaçme dhe mbrojtje institucionale./Pamfleti
Lini një Përgjigje