Mes festës së pushtetit dhe zërit të protestës, Shqipëria përballet ende me pyetjet e pambyllura të tranzicionit të saj.
Pak ditë më parë, partia që qeveris vendin festoi 35-vjetorin e krijimit të saj. Ishte një skenë e njohur për demokracitë moderne: fjalime, kujtime, bilance, mesazhe optimizmi dhe siguri për të ardhmen.
Por jashtë atmosferës festive po zhvillohej një realitet tjetër.
Ndërsa në sallë festohej vazhdimësia e një projekti politik, në hapësirën publike po rritej një protestë që shprehte pakënaqësi, mosbesim dhe zhgënjim.
Dy pamje të së njëjtës Shqipëri bashkëjetonin paralelisht, por dukeshin sikur nuk komunikonin me njëra-tjetrën.
Ndoshta pikërisht ky kontrast përmbledh më mirë se çdo statistikë gjendjen e vendit tonë pas 36 vitesh tranzicion.
Sot, duke hedhur vështrim pas në kohë, më duket e pamundur të mos pyes veten se çfarë kemi bërë me këto tridhjetë e gjashtë vite.
Në jetën e një njeriu, 36 vite janë pjekuri e plotë.
Në jetën e një shoqërie, ato do duhet të kishin mjaftuar për të ndërtuar institucione të qëndrueshme, për të konsoliduar shtetin e së drejtës dhe për të krijuar një kulturë politike ku pushteti kontrollohet po aq sa ushtrohet.
Megjithatë, rrugëtimi ynë mbetet një transformim i papërfunduar.
Ne ndryshuam sistemin politik, por jo logjikën e funksionimit të pushtetit!
Ndërtuam institucione të reja, por shumë prej tyre vazhdojnë të mbeten të cenueshme nga interesa të momentit.
Protestuam në 1990 për demokraci, por qytetari vazhdon të ndiejë distance e largësi midis premtimeve publike dhe përvojës së tij të përditshme.
Kjo është ndoshta plaga më e thellë e tranzicionit shqiptar: ndryshuam strukturat, por jo detyrimisht kulturën që i mbush ato me përmbajtje.
Në këtë kuptim, protesta e tanishme nuk duhet parë thjesht si copëza episodesh politike apo reagime të çastit.
Ajo është simptoma.
Ajo shfaq shenjat e atij hendeku të madh midis pritshmërive të qytetarëve dhe mënyrës se si funksionon sistemi.
Ajo është dëshmi se tranzicioni nuk ka përfunduar, pavarësisht viteve që kanë kaluar.
Kjo është arsyeja pse kontrasti midis festës dhe protestës meriton vëmendje.
Jo sepse njëra palë ka domosdoshmërisht të drejtë dhe tjetra gabim por sepse demokracia humbet diçka thelbësore kur këto dy realitete pushojnë së komunikuari me njëra-tjetrën.
Kur festimi institucional zhvillohet sikur pakënaqësia nuk ekziston dhe kur pakënaqësia shoqërore rritet pa gjetur kanale të besueshme për t’u dëgjuar, krijohet një deficit reflektimi publik, një tregues që shfaq gjendjen e demokracisë më shumë sesa vetë retorika e stabilitetit.
Një shoqëri nuk shërohet vetëm duke ndryshuar emra institucionesh, duke ndërtuar godina të reja apo duke organizuar përvjetorë politikë.
Ajo shërohet:
__ Kur arrin të përballet me veten.
__ Kur arrin të pranojë jo vetëm sukseset, por edhe dështimet.
__ Kur arrin të dëgjojë jo vetëm duartrokitjet, por edhe zërat kritikë.
__ Kur arrin të kuptojë se kritika nuk është kërcënim për demokracinë, por kusht për mbijetesën e saj.
Në këtë reflektim ka edhe një dimension shumë personal për mua.
Në vitin 1990 unë solla në jetë vajzën time të dashur.
Sot ajo do të kishte të njëjtën moshë me Shqipërinë e tranzicionit: 36 vjeç.
Jeta e saj do të kishte qenë një jetë e plotë. Do të ishte rritur bashkë me shpresat e fillimit të viteve ’90, me besimin se një shoqëri mund të mësojë nga e kaluara dhe të ndërtojë një të ardhme më të drejtë.
Por jeta e saj u ndal shumë herët!
Më ndodh, ndonjëherë ta shoh edhe rrugëtimin tone si shoqëri se ka mbetur diku në mes : mes shpresës së fillimit dhe pjekurisë që ende nuk kemi arritur ta prekim plotësisht.
Ndoshta kjo është arsyeja pse vazhdoj të besoj se pyetja më e rëndësishme për Shqipërinë nuk lidhet me zgjedhjet e radhës, me partitë apo me liderët e momentit.
Pyetja është më e thellë:
- A kemi ende guximin të përballemi me të vërtetat tona dhe ta përfundojmë transformimin që nisëm 36 vite më parë?
Pyes, pasi koha e kaluar nuk është më argument.
Ndaj pas 36 vitesh:
- Pyetja nuk është nëse kemi pasur mjaftueshëm kohë për të ndryshuar.
- Pyetja është nëse kemi pasur mjaftueshëm vullnet.
Lini një Përgjigje