
Franca dhe Anglia do të zbresin sonte në fushë për të luajtur finalen e vogël të Kupës së Botës, një sfidë që asnjëra prej skuadrave nuk do të kishte dashur ta zhvillonte. Të dyja kishin synuar finalen e madhe në Nju Jork, por pas eliminimit në gjysmëfinale do të duhet të kënaqen me betejën për vendin e tretë në Miami.
Pavarësisht zhgënjimit, përballja mbart rëndësi të veçantë si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë historik. Të gjithë sytë do të jenë te Kilian Mbape, i cili vijon garën për fitimin e “Këpucës së Artë”. Sulmuesi francez ka të njëjtin numër golash me Lionel Mesin, por argjentinasi mban avantazhin falë një asisti më shumë, kriter që përdoret për të ndarë fituesin në rast barazimi.
Një gol ndaj Anglisë do t’i jepte Mbape një mundësi të artë për të kaluar Mesin në garën për golashënuesin më të mirë të turneut. Po ashtu, ai synon të afrohet edhe në renditjen historike të golashënuesve të Kupës së Botës, ku Mesi kryeson me 21 gola, ndërsa francezi numëron aktualisht 20.
Sfida e sotme do të shënojë edhe fundin e një cikli të jashtëzakonshëm për kombëtaren franceze. Didier Deshamps do të drejtojë “Gjelat” për herë të fundit, duke i dhënë fund një aventure 15-vjeçare në pankinë. Vetë tekniku e ka cilësuar këtë periudhë si përvojën më të bukur të karrierës së tij profesionale.
Në kampin anglez, atmosfera mbetet e rënduar pas humbjes ndaj Argjentinës në gjysmëfinale. Trajneri Tomas Tuhel vazhdon të jetë objekt kritikash, megjithatë drejtuesit e Federatës Angleze pritet t’i besojnë atij edhe projektin drejt Kampionatit Europian.
Ndërkohë, kjo mund të jetë paraqitja e fundit e Herri Kejn në një Kupë Bote. Kapiteni i Anglisë ruan ende shpresa teorike për “Këpucën e Artë”, por për të fituar trofeun do t’i duhet një mbrëmje e jashtëzakonshme, me të paktën tre gola ndaj Francës.
Lini një Përgjigje