Anglia e ka mbyllur me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës, duke triumfuar 6-4 ndaj Francës në ndeshjen për vendin e tretë. Spektakli i zhvilluar në Miami dhuroi plot 10 gola dhe emocione deri në sekondat e fundit.
“Tre Luanët” e nisën sfidën në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e tretë. Deklan Rajs lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, e cila përfundoi në rrjetë për 1-0.
Mesfushori anglez ishte sërish protagonist në minutën e 18-të, këtë herë si autor i asistit për Ezri Konsa, i cili me një goditje me kokë dyfishoi shifrat.
Dominimi i skuadrës së Tomas Tuhel vazhdoi në pjesën e parë. Në minutën e 37-të, Markus Rashford shërbeu për Bukajo Saka, i cili realizoi golin e tretë, ndërsa në kohën shtesë të fraksionit të parë sulmuesi i Arsenalit shënoi edhe golin e dytë personal, duke e dërguar Anglinë në pushim me avantazhin e thellë 4-0.
Franca reagoi menjëherë pas rikthimit në fushë. Kilian Mbape ngushtoi diferencën në minutën e 48-të pas asistit të Majkëll Olize, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Bredli Barkola realizoi për 4-2.
“Gjelat” besuan te përmbysja kur Mbape shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 66-të, duke e çuar rezultatin në 4-3.
Megjithatë, në minutën e 85-të Anglia fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Malo Gusto ndaj Djed Spens. Nga pika e bardhë, Bukajo Saka nuk gaboi, kompletoi tripletën personale dhe riktheu diferencën në dy gola.
Drama vazhdoi edhe në shtesë. Osmane Dembele shënoi në minutën e 96-të për 5-4, duke i dhënë Francës shpresë për një barazim të minutave të fundit. Por vetëm dy minuta më vonë, Xhud Belingam realizoi një aksion fantastik individual, kaloi disa mbrojtës dhe vulosi fitoren 6-4 të anglezëve.
Falë këtij suksesi, Anglia e mbyll Botërorinnë vendin e tretë dhe siguron medaljen e bronztë, ndërsa Franca renditet e katërta në turne. Kjo ishte njëkohësisht edhe ndeshja e fundit e Didie Deshamp në stolin e përfaqësueses franceze.
Lini një Përgjigje