Pjesa e parë e sfidës mes Francës dhe Anglisë, e vlefshme për vendin e tretë në Kupën e Botës, është mbyllur me dominimin absolut të anglezëve, të cilët udhëheqin me rezultatin e thellë 4-0 ndaj “Gjelave”.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel zhbllokoi sfidën që në minutën e 3-të. Declan Rice lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke mposhtur Mike Maignan dhe kaluar Anglinë në avantazh.
Në minutën e 18-të erdhi edhe goli i dytë. Pas një krosimi të Rice nga krahu, Ezri Konsa u shkëput më lart se mbrojtësit francezë dhe me një goditje të saktë me kokë dërgoi topin në rrjetë.
“Tre Luanët” nuk e ulën ritmin dhe në minutën e 37-të realizuan edhe golin e tretë. Pas një serie tentativash brenda zonës, Marcus Rashford shërbeu për Bukayo Saka, i cili përfitoi nga porta e boshatisur dhe nuk gaboi.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, në minutën e 45+1, ishte sërish protagonisti Bukayo Saka. Sulmuesi anglez goditi saktë me të majtën nga hyrja e zonës, duke mposhtur edhe një herë Maignan dhe vulosur avantazhin e thellë 4-0 të Anglisë në fund të 45 minutave të para.
Lini një Përgjigje