Ai po ndjek një strategji që mbështetet te goditja e shpejtë dhe efekti surprizë, por pa një plan të qartë rezervë. Historia tregon se qasje të tilla shpesh dështojnë sapo përballen me realitetin. Rreziku është që edhe këtë herë, kostoja të jetë shumë më e lartë se parashikimet...
Operacioni “Epic Fury” ofron shumë paralele historike. Sipas meje, më domethënësja është ajo me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Në të dyja rastet, konfliktet nisën mbi bazën e një plani që në letër dukej i shkëlqyer.
SHBA-ja dhe Izraeli synonin të “dekapitonin” regjimin iranian që në ditën e parë. Njëlloj si strategjia gjermane e vitit 1914, e cila synonte një fitore të shpejtë dhe vendimtare ndaj Francës.
Plani i hartuar nga Alfred von Schlieffen shmangte përplasjen e drejtpërdrejtë me fortifikimet franceze në kufi. Në vend të kësaj, gjermanët do të kalonin përmes Belgjikës dhe Luksemburgut për të rrethuar Parisin me një manovër të shpejtë. Shpejtësia ishte thelbësore atëherë dhe mbetet po aq thelbësore edhe sot.
Sot është e vështirë të përfytyrohet optimizmi që mbizotëronte në Evropë në prag të luftës. Kur Helmuth von Moltke vuri në zbatim planin, bindja për një fitore të shpejtë ishte pothuajse absolute.
Kajzeri gjerman Wilhelm II u premtonte ushtarëve se do të ktheheshin në shtëpi “para se të binin gjethet nga pemët”. Të rinjtë u nisën drejt frontit me entuziazëm, ndërsa figura si Max Weber e ndienin si mungesë faktin që nuk mund të luftonin.
Edhe në Britani besohej gjerësisht se lufta do të përfundonte “para Krishtlindjeve”. Një optimizëm i ngjashëm shoqëroi edhe parashikimet e Trumpit, i cili e mendonte luftën me Iranin si një konflikt që do të zgjaste 4-5 javë.
Tashmë jemi përtej këtij afati. Në fillim, për Gjermaninë gjithçka dukej se po shkonte sipas planit. Ushtritë e saj përparuan me shpejtësi përmes Belgjikës, u përballën medhe britanikët pranë Monsit dhe zmbrapsën forcat aleate thellë në Francë, duke iu afruar Parisit në më pak se 40 kilometra.
Por pikërisht aty nisën të shfaqeshin problemet. Përparimi nuk u shndërrua dot në rrethim. Plani nuk u përmbush. Siç shkruan historiani Holger Herwig, plani Schlieffen ishte në thelb “një hedhje e vetme zaresh”. Nuk kishte asnjë alternativë.
Gjithçka varej nga shpejtësia dhe çdo vonesë mund të ishte fatale. Që në ditën e parë u mobilizua çdo ushtar i mundshëm, në kushte të vështira, nën vapë, lodhje dhe kaos logjistik.
Dhe këtu qëndron problemi me strategjitë e mëdha: ato priren të shpërbëhen sapo përballen me realitetin. E papritura nuk është përjashtim, por rregull. Për shembull, trupat gjermane nuk ishin përgatitur për vapën e verës apo për vështirësitë e furnizimit.
Kundërsulmi franko-britanik në Betejën e Marnës, në shtator 1914, e ndryshoi rrjedhën e luftës. Ushtritë gjermane u detyruan të tërhiqeshin dhe konflikti u kthye në një luftë rraskapitëse llogoresh që do të zgjaste edhe 4 vite. Në fund, Gjermania u konsumua plotësisht, si ushtarakisht, ashtu edhe ekonomikisht.
Arsyeja kryesore ishte e qartë që në fillim: mungesa e një plani alternativ. Plani Schlieffen nuk parashikonte skenarë dështimi. As për kushtet klimatike, as për logjistikën dhe as për një luftë të zgjatur.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Trumpin. Është e paqartë nëse ekziston një plan B. Madje edhe vetë plani A mbetet i mjegullt. A ishte synimi rrëzimi i regjimit iranian? Dobësimi i programit bërthamor? Apo kufizimi i ndikimit rajonal?
Pa një objektiv të qartë, edhe sukseset taktike mbeten të kufizuara. Goditjet e para mund të kenë funksionuar në aspektin teknik, por ato e nënvlerësuan kundërshtarin. Reagimi i Iranit ishte i shpejtë.
Pati përshkallëzim të konfliktit, goditje ndaj aleatëve rajonalë dhe përdorim të një arme të fuqishme: ndikimin mbi ekonominë globale. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit dhe presioni mbi tregjet nxjerrin në pah një dobësi të madhe të Perëndimit: varësinë nga zinxhirët globalë të furnizimit.
Dhe këtu historia përsëritet. Edhe Gjermania e vitit 1914 ishte një fuqi e madhe, por e brishtë përballë ndërprerjeve të furnizimit. Sot, Perëndimi përballet me rreziqe të ngjashme, nga mungesat e materialeve kyçe deri te varësia nga importet strategjike. Kjo është një pikë që shpesh neglizhohet nga strategët ushtarakë, të cilët fokusohen te manovrat dhe jo te baza industriale që i mbështet ato.
Në këtë drejtim, vende si Rusia dhe Kina mund të kenë një avantazh, pasi e kuptojnë më mirë rëndësinë e burimeve dhe të zinxhirëve të furnizimit. Rreziku i përshkallëzimit të situatës mbetet i lartë.
Nëse konflikti zgjerohet dhe prek nyje kritike si Ngushticën Bab El-Mandeb apo Kanalin e Suezit, pasojat për ekonominë globale do të ishin të rënda. Ndërkohë, Evropa vazhdon ta shohë sigurinë e saj kryesisht përmes luftës në Ukrainë, duke
lënë në hije dobësitë e veta më të afërta, sidomos varësinë energjetike dhe industriale. Edhe kërcënimi nga Kina shpesh keqkuptohet. Ai nuk qëndron vetëm te konkurrenca ekonomike, por edhe te kontrolli mbi burimet më jetike.
Dikur, SHBA-ja konsiderohej si aktori më i sofistikuar strategjik në botë. Por qasja e Trumpit e vë këtë perceptim në dyshim. Pa një strategji të qartë daljeje, ekziston rreziku që konflikti të zgjatet dhe të bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm.
Skenari më i mirë i mundshëm do të ishte një rikthim në një marrëveshje të ngjashme me atë të vitit 2015 për programin bërthamor iranian. Pra, një rikthim në status quo. Por kjo do të nënkuptonte rikthimin te një marrëveshje që vetë Trumpi e braktisi. Nëse synimi është ndryshimi i regjimit, atëherë një ndërhyrje tokësore do të ishte e pashmangshme. Dhe ajo duhet të jetë në përmasa shumë më të mëdha se ajo e Irakut.
Me një potencial mobilizimi prej rreth 1 milion trupash, Irani nuk mund të përballet me operacione të kufizuara. Çdo përpjekje e tillë rrezikon të dështojë. Përvoja historike është e qartë. Edhe kur kanë informacion të bollshëm, udhëheqësit bëjnë gabime.
Mësimi kryesor nga Lufta e Parë Botërore mbetet aktual. Strategjitë që mbështeten te një bast i vetëm janë shumë të rrezikshme. Këtë e dinë edhe bixhozçinjtë më të regjur. Trumpi është parë shpesh si një lojtar i guximshëm.
Por në këtë rast, ai duket se ka hyrë në një lojë ku probabilitetet janë qartësisht kundër tij./Pamfleti nga “Unherd”
C'na mesoi dhe ky trimi! Fitorja me efektive eshte lufta nen rrogoz, urte e bute. Lufta eshte ideologji, patriotizem, taktike, strategji e perpunura ne trurin e popullates qe ne femijeri ne familje e shkolla. Kush ua heq nga mendja sllaveve fiksimin e dyndjes se heshtur ndaj Europes? Kush ua heq nga mendja ish persianeve qe i kane pasur shtrirjet deri ne Termopile? Kush ua heq nga mendja cifuteve Izraelite bajgeb historike per "Token e Premtuar" nga MozeKush ua heq nga mendja Afrikaneve qe tua marrin trojet te bardheve qe i skllaveruan por me emigracion ne vendet e Perendimit e ta marrin fuqine e pushtetin si shumice elektorale? Ruset kane qene rrembythja e botes e i kane fituar terrenet me shtyrje pellembe per pellembe. Ja serbet kurr nuk heqin fiksimin e daljes ne Adriatik. Mos quani luftera te shpejta pushtimet koloniale me perlarjen e trojeve me popullata minimale ne xhungla e pa pike armatimi, ku as shpata nuk kishin. Ky trapi na shkruan qe dikur USA ishte aktori me i sofistikuar! Si , me dhjetra luftera qe nga Vietnami e me radhe!? Dajaku nuk eshte ? as politike, as ideologji, as largpamje. Kush rron nga shpata do te vdese nga shpata, thone Englezet.