Vrasja e liderit të CJNG-së, El Mencho, shënon një akt hakmarrjeje personale të zyrtarëve meksikanë dhe një kthesë të detyruar diplomatike ndaj SHBA-së. Megjithatë, pa goditur politikanët që mbrojnë këto struktura kriminale, eliminimi i kokave të karteleve mbetet thjesht një fasadë që nuk e ndalon dot valën e dhunës…
Për të kuptuar shpërthimin e fundit të dhunës tronditëse që ka mbërthyer Meksikën, duhet të kthehemi gjashtë vite pas, në një lagje tejet luksoze të quajtur Lomas de Chapultepec, fare pranë zemrës së Meksiko Sitit.
Lomas de Chapultepec mbrohet me rreptësi; pjesërisht nga një rrjet gjigant sigurie që e rrethon, dhe pjesërisht nga i ashtuquajturi “pakti i narkosve” (pacto de narco). Ky pakt garanton paprekshmërinë e lagjeve të pasura, ku krerët e karteleve dhe partnerët e tyre politikë jetojnë në qetësi së bashku me familjet e tyre.
Prandaj, ishte krejtësisht e papritur kur më 26 qershor 2020, shefi i policisë së Meksiko Sitit, Omar Garcia Harfuch, ra pre e një prite në bulevardin Paseo de la Reforma nga një skuadër vrasësish të armatosur me armë të kalibrit të rëndë.
Ndonëse i plagosur rëndë, ai arriti të mbijetonte, fat që nuk e patën dy policët që e shoqëronin. Ajo shpërfaqje tronditëse e një dhune të nivelit ushtarak në mes të lagjes më të pasur të kryeqytetit, iu faturua menjëherë liderit gjakatar dhe sociopat të Kartelit të Gjeneratës së Re të Haliskos (CJNG), Nemesio Rubén Oseguera Cervantes — i njohur botërisht si “El Mencho”.
Dje, Omar Garcia Harfuch - që mban aktualisht postin e Sekretarit të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Qytetarëve në Meksikë - mori hak. El Mencho dështoi ta vriste atëherë. Prandaj sot, ai vrau El Menchon.
Sipas versionit zyrtar të shtetit meksikan, El Mencho dhe njerëzit e tij sulmuan njësitë që ishin dërguar për ta arrestuar, dhe kreu i CJNG-së vdiq nga plagët rrugës për në spital. Ndërkohë, Meksika deklaroi se forcat e Shteteve të Bashkuara ofruan informacione sekrete dhe mbështetje (të paspecifikuar), pa pasur asnjë prani fizike në terren. Dikush mund ta besojë këtë version, dikush tjetër jo.
Ata që e dinë të vërtetën, zakonisht nuk lëshojnë deklarata për shtyp. Ajo që është e qartë, është se shënjestrimi i El Menchos u bë për të kënaqur dy palë që në thelb janë kundërshtare të njëra-tjetrës.
Të parët janë amerikanët, të cilët kërkojnë rezultate gjithnjë e më konkrete nga shteti meksikan në luftën kundër karteleve të drogës. Dhe pala tjetër është bërthama ideologjike e partisë në pushtet, Morena, e cila është rrënjësisht antiamerikane dhe do ta perceptonte praninë e SHBA-së si një ftesë për revoltë.
Nuk duhet harruar se jo shumë kohë më parë - në pranverën e vitit 2023 - themeluesi dhe figura qendrore e Morena-s, ish-presidenti Andrés Manuel López Obrador, kërcënonte publikisht se do të përdorte ushtrinë për të mbrojtur kartelet nga çdo ndërhyrje amerikane.
Nëse pasardhësja e tij, presidentja aktuale Claudia Sheinbaum, ka lejuar vërtet një ndërhyrje të drejtpërdrejtë amerikane, kjo përbën një shkëputje epokale nga njeriu që i dhuroi asaj pushtetin. Siç janë punët aktualisht, përpjekja për të pohuar dhe mohuar njëkohësisht përfshirjen amerikane, të lë shijen e një justifikimi të tepërt.
Eliminimi i tij sjell me vete dy pasoja të menjëhershme. E para, dhe më dramatikja, është vala e dhunës që ka përfshirë pjesën më të madhe të Meksikës, përfshirë edhe zonat e njohura turistike.
Anëtarët e CJNG-së po vërshojnë në zona që më parë konsideroheshin “të ndaluara” për luftën e karteleve. Organizata që dikur dhunoi qetësinë e Lomas de Chapultepec, po bën të njëjtën gjë sot me aeroportet ndërkombëtare, me Puerto Vallarta-n, me Guadalajara-n e më gjerë.
Veprimet e tyre ngjasojnë me ato të njësive të këmbësorisë së rëndë, të pajisura me armë antitank dhe kundërajrore. Forcat e armatosura meksikane, qartazi të zëna në befasi, po reagojnë me ngadalësi.
Por ky reagim nuk duhej të ishte surprizë: në të ashtuquajturin “Culiacanazo” në tetor 2019, milicia e kartelit të Sinaloas kreu një operacion të ngjashëm pas arrestimit të një prej djemve të El Chapos. Ky është një reagim i mirënjohur organizativ i karteleve të mëdha kur sfidohen nga shteti.
Papërgatitja e autoriteteve mund të shpjegohet me paaftësinë e dukshme, ose me pamundësinë për të besuar aparatin më të gjerë të sigurisë me detajet e një sulmi kaq të rëndësishëm.
Ndërsa luftimet vazhdojnë, vlen të vëzhgohet shpejtësia me të cilën forcat e armatosura do të rikthejnë kontrollin, gjë që ka gjasa të ndodhë. Ndonëse CJNG dhe kartelet e tjera janë të armatosura gjer në dhëmbë, forca më e madhe në vend mbetet shteti zyrtar.
Nëse situata rëndohet, SHBA-ja mund të ofrojë ndihmë me inteligjencë dhe shënjestrim - asgjë nga të cilat nuk do të bëhet publike. Po ashtu, mbetet të shihet se deri ku do të arrijë hakmarrja e CJNG-së ndaj miliona qytetarëve amerikanë që jetojnë në Meksikë, tani që shteti meksikan ua ka faturuar pjesërisht amerikanëve vdekjen e El Menchos.
Një shënjestrim i qëllimtë i qytetarëve amerikanë do të sillte pashmangshmërisht një përfshirje të drejtpërdrejtë dhe publike të Shteteve të Bashkuara. Anëtarë të ndryshëm të elitës meksikane dhe amerikane po thonë se vdekja e El Menchos është prova se regjimi meksikan, më në fund, e ka marrë seriozisht luftën kundër karteleve.
Ky është një mendim paksa naiv. Partneri tradicional i regjimit të partisë Morena ka qenë karteli i Sinaloas, i cili, ndonëse aktualisht ndodhet në një fazë trazirash të përgjakshme, ka një rivalitet të hershëm dhe të egër me CJNG-në.
Shteti meksikan do të vazhdojë të ofrojë pafundësisht “koka” të rëndësishme karteleve, por eliminimi i tyre i vetëm ndryshon pak gjë në terren. Ajo që do të ishte vërtet transformuese, është vënia përpara përgjegjësisë e politikanëve që i mundësojnë, i mbrojnë dhe i promovojnë këto kartele.
Dhe këta njerëz gjenden në vetë zemrën e regjimit Morena. Kjo do të ishte një fitore e vërtetë strategjike, dhe kjo është ajo që duhet të ndjekin me vendosmëri Shtetet e Bashkuara./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje