Përmes krijimit të një “Bordi Paqes” me anëtarësim kundrejt pagesës, Donald Trump po rishkruan rregullat e diplomacisë botërore. Ky instrument i ri pushteti ngjall paralelizma shqetësues me makinerinë propagandistike të Bashkimit Sovjetik, ku retorika e paqes shërbente si mburojë për ambiciet autoritare…
Për këdo që ka kaluar disa kohë në ish-Bashkimin Sovjetik, “Bordi i Paqes” i sapokrijuar i presidentit amerikan Donald Trump, që mbajti të enjten takimin e tij të parë, ringjall disa jehona shqetësuese.
Askush nuk e donte paqen aq sa populli sovjetik, ose të paktën kështu dukej nga rrjedha e pandalshme e shpalljeve zyrtare. Ajo afishohej në tabela reklamash, në slogane të 1 Majit dhe në “marshime paqeje” përgjatë lumit Vollga, ku të huajt ftoheshin të këndonin “We Shall Overcome” (Ne do t’ua kalojmë), me nxënës shkollash të veshur me ngjyra të ndezura, ose të takoheshin me qytetarë sovjetikë “të zakonshëm” - lexo: të përgatitur me kujdes - për të diskutuar mbi militarizmin amerikan.
“Mir i druzhba”! - paqe dhe miqësi - ishte shpesh dollia e parë në çdo takim formal midis zyrtarëve sovjetikë dhe të huajve, me nëntekstin e nënkuptuar se ne, të huajt, ishim luftënxitësit.
Një kolegu im i quajti këta zyrtarë “anëtarë të linjës së ashpër të paqes dhe miqësisë”, ndërsa humori popullor sugjeronte se shumë sovjetikë ishin dakord. Fjala “Mir” do të thotë gjithashtu “botë” në rusisht, gjë që përbënte një anti-slogan mjaft domethënës: “Ne duam Mir-in! Të gjithë botën!”.
Kremlini nuk kishte një “Bord” apo një “Institut” enkas për paqen, siç ka tani Trump, por kishte një “Këshill Botëror të Paqes”, një “Fondacion Sovjetik për Paqen” dhe një “Komitet Sovjetik për Paqen”, me seli në Moskë në Prospekt Mira, ose Bulevardi i Paqes.
Këto grupime ishin një armë e fuqishme në politikën e jasme sovjetike, duke organizuar konferenca të rregullta ndërkombëtare dhe duke siguruar fonde sekrete bujare për lëvizje të shumta kundër luftës, që në fakt lavdëronin Bashkimin Sovjetik.
Ashtu si çdo përpjekje e përbashkët për të mashtruar opinionin publik, kjo strategji funksionoi ndonjëherë. Kam takuar rusë që dukej se besonin vërtet se Amerika e dëshironte luftën. Në një udhëtim në Rusinë e stepave, më pyetën shpesh - qoftë me naivitet apo në mënyrë provokuese - se përse “ju amerikanët” doni luftë, saqë më në fund iu përgjigja ashpër njërit prej tyre: “Nuk mund ta bëjmë dot ndryshe; thjesht e duam tmerrësisht shumë luftën!”.
Nuk është e qartë nëse Trump është i vetëdijshëm se sa shumë e donin paqen edhe sovjetikët, megjithëse i ka ofruar një vend në Bordin e tij të Paqes edhe Vladimir Putinit, pasardhësit të shefave bolshevikë, pushtimi i të cilit në Ukrainë ka shkaktuar deri më tani vrasjen, plagosjen ose zhdukjen e pothuajse 2 milionë njerëzve.
Po ashtu, ideja e vetë Trumpit për paqen është mjaft e mjegullt. Ai nuk humbet asnjë rast pa kërkuar një Çmim Nobel për Paqen për 8 konfliktet që pretendon se i ka përfunduar: midis Izraelit dhe Iranit, Izraelit dhe Hamasit, Pakistanit dhe Indisë, Ruandës dhe Kongos, Tajlandës dhe Kamboxhias, Armenisë dhe Azerbajxhanit, Egjiptit dhe Etiopisë, si dhe Serbisë dhe Kosovës.
Që të jemi të qartë, shumica e këtyre marrëveshjeve ishin zgjidhje të përkohshme për mosmarrëveshje të vjetra, dhe jo të gjitha ishin vërtet luftëra. Në të njëjtën kohë, administrata Trump ka sulmuar anije në Karaibe, ka pushtuar Venezuelën për të kapur udhëheqësin e saj, ka bombarduar Iranin dhe zonat e kontrolluara nga Huthit në Jemen, si dhe ka dërguar aeroplanmbajtëse për të kërcënuar Teheranin.
Sidoqoftë, Bordi i Paqes i Trump ndryshon nga frontet sovjetike në disa mënyra kyçe. Bordi u krijua fillimisht për të mbikëqyrur procesin e paqes në Gaza. Trump thotë se anëtarët kanë premtuar 5 miliardë dollarë për rindërtimin e saj.
Megjithëse ky mision u la disi në hije, aleatët e SHBA-së kanë frikë se Trump e imagjinon këtë bord si një alternativë të kontrolluar plotësisht prej tij - një strukturë vetëm me ftesë dhe me pagesë prej 1 miliard dollarësh për një vend të përhershëm - që synon të zëvendësojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Bordi i Paqes do të tregojë se është organi ndërkombëtar më i rëndësishëm në histori”- deklaroi ai në një postim. Ndërsa Fondi Sovjetik i Paqes, ishte krijuar për t'i ngjarë një lëvizjeje bazë, që financohej nga një “donacion” vjetor nga paga e një dite nga çdo qytetar sovjetik.
Ai synonte të përmirësonte rolin e Moskës në organizatat ndërkombëtare, jo t'i zëvendësonte ato. Qëllimi qendror i propagandës sovjetike ishte “gjuha e dyfishtë” oruelliane: përshkrimi i një sistemi totalitar si kulmi i demokracisë.
“Lufta është paqe!”, ishte vetëm një pjesë e kësaj strategjie. Shtypja brutale, rrjeti i gjerë i policisë politike, kulti i personalitetit dhe korrupsioni i përhapur, maskoheshin si barazi e përsosur dhe respekt për të drejtat e njeriut.
Një nga eufemizmat e mi të preferuar sovjetikë, ishte përshkrimi zyrtar i çdo ndryshimi si “përsosje e mëtejshme”. Bashkimi Sovjetik, mund të ketë qenë pionier i kësaj gjuhe, por ajo tashmë është bërë pjesë e pandarë e regjimeve autoritare kudo në botë.
Udhëheqësi i një sistemi të përsosur, është sipas përkufizimit i pagabueshëm. Në Bashkimin Sovjetik, ishte e paimagjinueshme që udhëheqësi të pranonte një gabim. Donald Trump, që nuk ka pranuar kurrë një gabim në mënyrë të qartë, po ndjek një linjë të ngjashme. “Do të kërkoj falje ndonjëherë në të ardhmen, shpresojmë të largët, nëse gaboj ndonjëherë…”- tha ai dikur. Megjithatë, një kult personaliteti bëhet i vështirë për t’u ruajtur kur udhëheqësi fillon të zbehet fizikisht apo mendërisht, ashtu siç ndodhi me Leonid Brezhnjevin në fund të pushtetit të tij.
Sa më i hutuar bëhej ai, aq më shumë homazhe i bëheshin dhe qytete emërtoheshin sipas tij. Trump po përpiqet të përjetësojë emrin e tij në çdo hap, duke argumentuar se “duhet ta vendosësh emrin tënd në gjëra, përndryshe askush nuk të kujton”.
Sigurisht, çdo ngjashmëri midis praktikave sovjetike dhe asaj që po ndodh në Shtetet e Bashkuara mund të jetë rastësore. Por përvoja në Bashkimin e vjetër Sovjetik të mëson ta shohësh autoritarizmin të fshihet pas çdo dere të praruar apo monumenti egoist.
Historia tregon se gënjeshtrat e një sistemi autoritar nuk zgjasin përgjithmonë. Por kjo do të ishte më ngushëlluese, nëse vendet nuk do të rrëshqisnin sërish në të njëjtin cikël. Vladimir Putin e njeh mirë këtë lojë. Ai e di se si ta kthejë paqen në një pazar politik, duke pritur momentin e duhur për të luajtur lëvizjen e tij të radhës./Pamfleti nga “New York Times”
Shënim: Serge Schmemann, është anëtar i bordit editorial të New York Times. Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ka shërbyer si shef i byrosë së gazetës në Moskë, Bon dhe Jeruzalem. Është fitues i Çmimit Pulitzer për mbulimin e tij të pasojave të rënies së Bashkimit Sovjetik.
Lini një Përgjigje