TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Shkurt 2026, 10:22

NATO në udhëkryq: Rikalibrim ose divorc transatlantik!

Shkruar nga Michael B. G. Froman
NATO në udhëkryq: Rikalibrim ose divorc transatlantik!
Donald Trump dhe kreu i Nato-s Mark Rutte /

Në Mynih, aleanca përballet me provën e saj më të vështirë historike mes kërkesave të larta amerikane dhe pritshmërive të dobëta evropiane. Fati i sigurisë globale varet tashmë nga guximi i Evropës për të ndërtuar një autonomi strategjike dhe vullneti i Uashingtonit për të ruajtur një partneritet të shëndetshëm...

Konferenca e 62-të e Sigurisë në Mynih, e njohur ndryshe si “Davosi me armë”, ka mbërritur në një moment vendimtar. Sot, Shtetet e Bashkuara nuk kanë kërkuar kurrë

më shumë nga Evropa, ndërsa Evropa nuk ka pritur kurrë më pak nga Shtetet e Bashkuara. Kjo konferencë përfaqëson një udhëkryq të vërtetë për marrëdhëniet transatlantike.

Nga dy rrugët që shtrihen përpara nesh, e para është një rikalibrim i qëndrueshëm i aleancës së NATO-s, me një Evropë të fortë në thelbin e saj, të aftë për të mbrojtur veten, duke ruajtur njëkohësisht një partneritet të shëndetshëm, ndonëse më të reduktuar, me Shtetet e Bashkuara.

Rruga tjetër, është vazhdimi i grindjeve të brendshme transatlantike mbi vlerat e përbashkëta, interesat kombëtare dhe atë që secila palë e konsideron si një ndarje të drejtë të përgjegjësive.

Kjo e fundit nuk përbën më thjesht një fërkim kalimtar brenda një aleance funksionale. Ajo mbart rrezikun e një ndarjeje traumatike midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre kryesorë, çka do të dëmtonte rëndë sigurinë evropiane dhe atë amerikane.

Është në interesin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara që Sekretari i Shtetit, Marco Rubio - i cili po udhëheq kontingjentin e administratës Trump në konferencë së bashku me delegacionet shoqëruese të Kongresit - të maksimizojë progresin drejt rrugës së parë. Pavarësisht tonit që do të përdorë Rubio në konferencë, Evropa duhet të bashkohet rreth një reforme kuptimplotë.

Duhet thënë se pala amerikane nuk e ka bërë aspak të lehtë këtë proces. Një vit më parë në Mynih, zëvendëspresidenti J. D. Vance deklaroi fundin e marrëdhënies transatlantike ashtu siç e kishim njohur deri më sot. Sipas tij, shkaku i kësaj krisjeje nuk ishte Rusia, Kina apo ndonjë aktor tjetër i jashtëm, por ajo që Vance e quajti “kërcënimi i brendshëm: braktisja e vlerave themelore nga ana e Evropës”.

Në këndvështrimin e tij, aleatët evropianë nuk kishin neglizhuar vetëm kapacitetet mbrojtëse, por kishin tradhtuar edhe vlerat e përbashkëta që mbanin gjallë aleancën përmes politikave liberale të imigracionit dhe kufizimeve mbi lirinë e shprehjes.

Fjalimi i tij u interpretua nga shumë vëzhgues në të dyja anët e Atlantikut si një ndërhyrje e hapur në favor të partisë së ekstremit të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë”, vetëm një javë përpara zgjedhjeve kombëtare.

Siç u bë e qartë më vonë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare 2025 të administratës Trump, fjalimi i Vance nuk ishte një qëndrim emocional i momentit, por një paralajmërim i qartë i politikës së re amerikane. Kjo strategji beson se “shpërbërja e qytetërimit evropian” mund të kundërshtohet pjesërisht përmes mbështetjes për “partitë patriotike evropiane”.

Përplasjet në Davos vetëm pak javë më parë i përkeqësuan edhe më shumë gjërat, veçanërisht kur presidenti Trump u ankua se Evropa nuk ka treguar mirënjohjen e duhur për rolin e SHBA-së në shpëtimin e kontinentit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai shtoi se Evropa ka paguar shumë pak për mbrojtjen e saj që prej asaj kohe dhe se ka gjasa që evropianët të mos jenë të gatshëm të sakrifikohen në mbrojtje të Shteteve të Bashkuara në të ardhmen. Ndonëse tensionet janë ulur disi që nga ai moment, perspektiva e përçarjes mbetet e pranishme.

Rubio deklaroi së fundmi se “NATO duhet të ndryshojë tërësisht sa u përket detyrimeve”. Tani pyetja kryesore është nëse ai do ta shfrytëzojë foltoren e Mynihut për një tjetër qortim publik ndaj aleatëve evropianë, apo për të skicuar një vizion të zbatueshëm për bashkëpunimin e ardhshëm transatlantik në fushën e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë bashkëpunimin me NATO-n, edhe nëse kjo nënkupton një reduktim të angazhimit të tyre të drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane. Uashingtoni duhet të mbetet në qendër të përpjekjeve të përbashkëta për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës dhe për të garantuar të ardhmen e kësaj të fundit, duke mbështetur krahët lindorë dhe veriorë të Evropës dhe duke shtuar shitjet e armatimeve e zgjeruar partneritetet ushtarako-industriale.

Çështja më urgjente mbetet Ukraina. Duke pasur parasysh synimin e deklaruar të administratës për të zhvendosur barrën e sigurisë te vetë evropianët, do të ishte një lëvizje e mençur që të përcaktohej një qëndrim i qartë dhe ambicioz mbi rolin e Evropës në ruajtjen e çdo paqeje të ardhshme.

Nga ana tjetër, Evropa duhet të marrë vendime të vështira. Ideja e një Evrope më të fortë dhe më të integruar, e parashikuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, drejtuesja e BE-së, Ursula von der Leyen, dhe udhëheqës të tjerë, mbetet ende në nivel teorik dhe pengohet nga inercia burokratike e bllokut.

Ish-kryeministrat italianë, Mario Draghi dhe Enrico Letta, kanë përcaktuar tashmë objektivat: një treg të përbashkët kapitali, një ekosistem inovacioni në mbarë kontinentin, një bazë industriale mbrojtëse që kapërcen kufijtë kombëtarë dhe një qeverisje të orientuar drejt produktivitetit dhe investimeve, në vend të procedurave dhe mbirregullimit.

Ndonëse ky vizion ka marrë vrull, “autonomia strategjike” kërkon kompromise politike të dhimbshme, si mobilizimi i mbrojtjes, rritja e deficitit, dorëzimi i një pjese të sovranitetit dhe pranimi i fitimeve të pabarabarta - hapa që mbeten të bllokuar nga interesat e ngushta të shumë shteteve anëtare.

Angazhimi i aleatëve të NATO-s për të shpenzuar më shumë është i lavdërueshëm, por nuk mjafton. Vendet evropiane duhet të heqin dorë nga prirja për të financuar projekte të izoluara kombëtare, në favor të një baze industriale mbrojtëse kontinentale dhe të shkallëzueshme.

Ata duhet të investojnë më shumë në rekrutimin dhe trajnimin e forcave të armatosura, dhe jo vetëm në blerjen e pajisjeve. Kjo kërkon vendimmarrje të guximshme në një kohë kur Evropës i mungon një lidership politik i fortë. Suksesi i këtij procesi do të sillte sfida të reja, sidomos me një kontinent që po riarmatoset me shpejtësi.

Shpenzimet ushtarake të Gjermanisë për vitin 2025 i tejkaluan ato të çdo vendi tjetër evropian, duke u renditur të katërtat në botë. Britania, Franca dhe vendet e tjera do të duhet të përshtaten me një realitet të ri: një Evropë ku Gjermania zotëron një ushtri të fuqishme, diçka që themeluesit e Konferencës së Mynihut vështirë se mund ta kishin parashikuar në vitin 1963.

Ndërtimi i autonomisë strategjike evropiane dhe i një marrëdhënieje të re me Shtetet e Bashkuara, kërkon shumë më tepër kohë se 3 ditët e qëndrimit në Hotel Bayerischer Hof. Rezultati më i keq, do të ishte prodhimi i zhurmës diplomatike pa asnjë përparim të prekshëm.

Në të kundërt, kjo konferencë, e krijuar fillimisht për të koordinuar mbrojtjen kolektive ndaj Bashkimit Sovjetik, rrezikon të kthehet nga një forum për forcimin e sigurisë në një sallë ku zhvillohen procedurat e divorcit transatlantik./Përgatiti Pamfleti nga “New York Times”

Shënim: Michael B. G. Froman, president i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ka shërbyer në administratën Obama si përfaqësues tregtar i SHBA-së dhe zëvendëskëshilltar i sigurisë kombëtare për çështjet ekonomike ndërkombëtare.

nato në udhëkryq divorc transatlantik

1 Komente

  1. N
    NGA KODRINA

    Mendoj se është koha që Evropa të konsolidojë dhe minimizojë varësinë nga SHBA-ja. Kjo po bëhet shumë e kushtueshme për taksapaguesit e BE-së. Më mirë një botë me Amerikën e Bashkuar, Evropën e Bashkuar, Azinë e Bashkuar për një efikasitet më të lartë.

    Lini një Përgjigje