Armëpushimi i brishtë tregon qartë se epërsia ushtarake e SHBA-së nuk ka arritur të sjellë një zgjidhje politike. Irani del i goditur, por mbetet një aktor kyç në lojë. Në thelb, kjo ndërprerje nuk i hap rrugë paqes; thjesht shtyn përpara një konflikt ku problemet kryesore vazhdojnë të mbeten pezull...
Armëpushimi mes Donald Trump dhe Iranit nuk shënon fundin e një lufte. Më shumë se kaq, ai është një ndalesë e përkohshme në një përplasje që po u dilte jashtë kontrollit të të dyja palëve.
Dhe erdhi në momentin e fundit, pikërisht kur tensioni kishte arritur kulmin dhe rrezikonte të shndërrohej në një spirale të pakontrollueshme. Megjithatë, mbetet një armëpushim i brishtë.
Së pari, sepse nuk është rezultat i një fitoreje të qartë. SHBA-ja tregoi forcë ushtarake, por nuk arriti që ta kthejë atë në një rezultat politik konkret. Nga ana tjetër, Irani ka pësuar goditje të rënda, por nuk ka humbur levat kryesore: qëndrueshmërinë e sistemit, aftësinë për të ushtruar presion në mënyrë asimetrike dhe ndikimin mbi Ngushticën e Hormuzit.
Së dyti, sepse çështjet thelbësore mbeten të paprekura: programi bërthamor, sanksionet, prania ushtarake amerikane dhe kontrolli i rrugëve të energjisë. Për këto çështje s’ka asnjë afrim real mes palëve, por vetëm një pauzë e përkohshme.
Së treti, sepse konflikti ka nxjerrë në pah faktin se sa i brishtë është i gjithë rajoni i Gjirit Persik. Ideja e një “zone të sigurt” duket një tashmë iluzion. Energjia, infrastruktura, uji - gjithçka mund të kthehet në objektiv dhe mjet presioni.
Së katërti, sepse lufta ka prodhuar një paradoks: Irani është dobësuar, por njëkohësisht është bërë edhe më i rëndësishëm. Regjimi atje duket më i ekspozuar, por edhe më i konsoliduar në brendësi.
Gjatë këtij konflikti, gjërat janë zhvilluar dy drejtime paralele. Njëra vertikale, drejt përshkallëzimit dhe shkatërrimit të gjerë, përfshirë edhe infrastrukturat civile. Dhe tjetra horizontale, drejt zgjerimit të krizës në rajon, në tregje dhe tek aktorë të tjerë. SHBA-ja ka qenë e prirur për përshkallëzim, ndërsa Irani për zgjerim të konfliktit. Armëpushimi erdhi pikërisht në momentin kur këto dy prirje rrezikonin të bashkoheshin dhe ta kthenin krizën rajonale në një problem global. Por pikërisht këtu qëndron edhe çështja kryesore që mbetet pa zgjidhje në negociatat mbi kërkesat iraniane, të cilat në thelb synojnë një riformësim të rendit rajonal.
Teherani kërkon katër gjëra: njohjen e rolit të tij (përfshirë ndikimin mbi Hormuzin), heqjen e sanksioneve, të drejtën për programin bërthamor dhe reduktimin e pranisë ushtarake amerikane.
Nga ana tjetër, Uashingtoni kërkon pothuajse të kundërtën: çmontimin e programit bërthamor, kufizimin e ndikimit iranian në rajon dhe kontroll më të madh mbi rrugët strategjike. Kjo e bën negociatën jo thjesht të vështirë, por në thelb pothuajse të papajtueshme.
Nuk bëhet fjalë për një kompromis të zakonshëm, por për një zgjedhje të vështirë: a është gati ndonjëra palë të heqë dorë nga ajo që e konsideron thelbësore? Deri tani, nuk ka asnjë shenjë për këtë.
Çështjet më të ndërlikuara janë disa dhe pothuajse të gjitha mbeten të hapura. Programi bërthamor është ende aty, me rezervat e uraniumit të pasuruar që nuk janë zhdukur. Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë e paqartë, ku mungon një marrëveshje e qartë për sigurinë e lundrimit.
Sanksionet janë një çështje tepër e ndjeshme politikisht për SHBA-të. Dhe së fundi, vetë shtrirja gjeografike e armëpushimit mbetet e paqartë. Nëse konflikti vazhdon në zona të tjera, atëherë ai thjesht ka ndryshuar formë.
Për këtë arsye, armëpushimi mund të zgjasë vetëm nëse të dyja palët pranojnë të jetojnë me paqartësi. Sapo të hyhet në detaje konkrete, ai do të vihet menjëherë në provë. Po nga ana tjetër kush fitoi? Në realitet, fitoi ai që shmangu humbjen më të madhe.
SHBA-ja siguroi një lehtësim të menjëhershëm në tregje dhe një hapje të pjesshme të Ngushticës, por u detyru të tërhiqej disi në planin politik dhe të imazhit. Nga ana tjetër, Irani arriti të mbijetojë dhe të mbetet një aktor i domosdoshëm, madje duke imponuar kushtet e diskutimit.
Nuk është një fitore e plotë, por është një pozicion çuditërisht i fortë për një vend të goditur rëndë. Edhe aktorë të tjerë kanë dalë të fituar në mënyra të ndryshme. Pakistani ka rritur rolin e tij si ndërmjetës, ndërsa Kina ka përfituar strategjikisht, duke shmangur përfshirjen direkte por duke mbrojtur interesat e saj dhe duke forcuar imazhin si një fuqi stabilizuese.
Ajo që ka humbur është ideja se mjafton fuqia ushtarake për të vendosur rend. Po ashtu, ka humbur edhe bindja se Gjiri Persik është një zonë e qëndrueshme. Dhe mbi të gjitha, është goditur besimi te parandalimi si mekanizëm i sigurt.
Rajoni nuk del i mposhtur, por del më i dobët dhe i ndryshuar. Është bërë e qartë se pasuria nuk garanton siguri dhe se mbështetja te të tjerët nuk mjafton më. Në fund, ky armëpushim është njëkohësisht një sukses dhe një shtyrje në kohë.
Ka shmangur më të keqen, por nuk ka zgjidhur asgjë thelbësore. Nuk është një hap drejt paqes, por thjesht përgatitja për fazën tjetër, qoftë ajo negociuese apo ushtarake, e një konflikti që mbetet ende i hapur./Pamfleti nga “La Stampa”
Lini një Përgjigje