TAGS-AT E JAVËS

Forum19 Janar 2026, 12:20

RTSH, arsimi i lartë dhe degradimi i institucioneve

Shkruar nga Prof. Mimoza Manxhari
RTSH, arsimi i lartë dhe degradimi i institucioneve
Foto Ilustruese

Kur pushteti kujtohet të flasë për rrënimin, që vetë ka ushqyer.

RTSH dhe arsimi i lartë nuk janë sot në krizë sepse “diçka shkoi krejt papritur keq.” Ky është një perceptim i gabuar. Ata janë në krizë sepse për vite me radhë janë lënë të hyjnë në një degjenerim institucional, në gjendjen ku kapaciteti i brendshëm i institucioneve shteron, ku rregullat ekzistojnë vetëm në letër dhe ku qëllimi i institucionit humbet kuptimin.

Të flasësh për drejtësi nuk është thjesht një reagim emocional; është përgjegjësi qytetare që lind kur heshtja normalizon çrregullimin dhe pengon funksionimin e institucioneve. Në këtë kuadër, degradimi institucional nuk është rastësi, por rezultat i strategjive të qëllimshme të pushtetit për të zhvendosur përgjegjësinë, për të krijuar konfuzion dhe për të legjitimuar manipulimin e perceptimit publik.

Në teorinë organizative, ky process quhet degradim institucional ( ose entropi) dhe shfaqet kur:

mungon përgjegjësia e qartë;

autoriteti dhe autonomia bien ndesh me njëra-tjetrën;

struktura mbahet gjallë vetëm për të ekzistuar, jo për të përmbushur misionin;

mungojnë mekanizmat e vërtetë të transparencës dhe kontrollit të brendshëm;

politika dhe interesi personal kanë prioritet mbi misionin publik;

kontrolli mbi informacionin dhe interpretimin e tij kthehen në mjete pushteti, duke cenuar aftësinë e qytetarëve për të gjykuar realitetin.

Institucionet që ruajnë kujtesën dhe potencialin e tyre organizativ janë kërcënuese për pushtetin. Ato që mpihen humbasin ndikimin dhe bëhen të padobishëm.

Kjo është ajo që ka ndodhur me RTSH-në dhe universitetet publike. Pushteti politik ka krijuar institucione që:

quhen të pavarura, por varen financiarisht nga qeveria;

kanë mision publik, por trajtohen si instrumente politike;

kërkojnë llogaridhënie nga poshtë, por nuk japin llogari nga lart, nuk marrin përgjegjësi;

vendimet strategjike merren për interesa personale ose partiake, jo për nevojat e shoqërisë;

drejtuesit e institucioneve zgjidhen ose mbahen për besnikëri politike, jo për aftësi dhe meritë;

komunikimi i brendshëm dhe informacioni publik kontrollohen për të mbajtur qytetarët në pasiguri dhe për të fshehur dështimet;

inovacioni dhe propozimet kritike shpesh pengohen ose injorohen, duke krijuar klimë frike dhe autocensure;

institucionet shndërrohen në struktura simuluese që duket se funksionojnë, por në fakt nuk krijojnë vlerë reale për qytetarët.

Ky kombinim prodhon një rrënim të ngadaltë :

jo kaos të hapur, por atrofizim dhe shterpëzim të kontrolluar, ose një “vdekje e ngadaltë” institucionale.

Fakti që pushteti shfaqet tani si reformator nuk do të thotë se synon të ndreqë institucionet. Ai kërkon të mbrojë imazhin dhe legjitimitetin e vet politik, duke lejuar degradimin të vazhdojë nën një maskë tjetër. Përgjegjësi reale do të ishte angazhimi për rikthim të kuptimit dhe funksionimit të institucioneve, jo vazhdim i manipulimit të perceptimit publik.

Ndaj, fakti që Kryeministri shfaqet në vitin e trembëdhjetë të pushtetit për të denoncuar RTSH-në dhe ligjin për arsimin e lartë nuk është reformë. Është zhvendosje përgjegjësie. Ky është shembulli klasik i pushtetit afatgjatë:

-autori i sistemit refuzon autorësinë e pasojave dhe shfaqet si gjykatës i dështimit që vetë e ka prodhuar.

Në vend që të flasë për:

ligjet që kanë mbetur në fuqi për dekada dhe nuk janë harmonizuar me nevojat e shoqërisë;

mënyrën se si financohen dhe kontrollohen institucionet, duke i lënë të varura nga interesat politike dhe jo nga misioni i tyre publik;

mungesën e transparencës dhe mekanizmave të vërtetë të llogaridhënies;

frikën, autocensurën dhe shtypjen e çdo ideje kritike ose inovative;

përzgjedhjen dhe promovimin e drejtuesve bazuar në besnikëri politike dhe jo aftësi profesionale;

pushteti flet për “institucione që nuk funksionojnë”, sikur ato të ishin subjekte autonome, të shkëputura nga arkitektura politike që i ka mbajtur peng!

Ai i paraqet gabimet dhe dështimet si fatkeqësi të jashtme, duke mos ekspozuar mënyrën se si vetë krijoi kushtet për dështim.

Perceptimi publik vijon të manipulohet dhe përgjegjësia reale mbetet e fshehur. Në teoritë organizative, kjo quhet këputje e zinxhirit të përgjegjësisë.

Në praktikë, hipokrizi politike.

RTSH dhe universitetet janë lënë në degradim sepse prodhojnë kuptim, kujtesë dhe mendim kritik; kjo është e rrezikshme për pushtetin që kërkon stabilitet përmes heshtjes, jo besimit. Institucionet nuk dështuan sot; ato u konsumuan ngadalë, deri sa u shndërruan në struktura që ekzistojnë, por nuk jetojnë. Pushteti që flet sot si reformator nuk kërkon t’i shpëtojë ato, por veten, duke lejuar degradimin të vazhdojë nën një maskë tjetër.

Degradimi nuk është thjesht lodhje institucionale; është humbje e kuptimit moral të pushtetit si instrument për mbajtjen e popullsisë në pasivitet dhe bindje të verbër. Një pushtet që nuk ndërton institucione të qëndrueshme, por i mban ato në gjendje mbijetese, dështon jo nga paaftësia, por nga frika ndaj autonomisë së institucioneve dhe nga interesi për kontroll absolut. Kur flet si reformator pas vitesh sundimi, nuk kërkohet rregull, kërkohet harresë dhe përmbysje të kujtesës kolektive.

Kjo është arsyeja pse sot flitet për dështime: aspak për t’i ndrequr, por për t’i mbajtur këto dy institucione të fuqishme nën kontroll, ose për t’ua dhënë privatëve.

Paradoksi nuk është që kryeministri foli për dështimet e RTSH-së dhe arsimit të lartë. Paradoksi do të ishte po të pranonte përgjegjësinë e vet dhe të kabineteve që kanë ushqyer degradimin për vite me radhë.

Imagjinoni sikur kryeministri të kishte thënë:

“Për 13 vitet e fundit, ne kemi bërë gabime që kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si funksionojnë institucionet tona publike. RTSH dhe universitetet publike nuk kanë dështuar për shkak të pafatësisë së tyre; ato kanë qenë produkt i politikave tona dhe i qëndrimeve që i kemi toleruar gjatë kësaj periudhe. Sot, unë nuk vij të jap justifikime apo të manipuloj perceptimin publik. Vij të pranoj përgjegjësinë time dhe të kabinetit, dhe të prezantoj hapa konkretë për të rikthyer energjinë, kuptimin dhe autonominë e këtyre institucioneve.”

Por ai nuk e bëri!

Ky reflektim hipotetik e bën të qartë se mungesa e përgjegjësisë nuk është vetëm mosveprimi, por zgjedhje e vetëdijshme e pushtetit për të ruajtur kontrollin dhe heshtjen.

Pa një akt të tillë të hapur, çdo fjali reforme mbetet vetëm retorikë, dhe degradimi vazhdon i fshehur pas imazhit publik.

Orwell shkruante se ata që kontrollojnë fjalët dhe kuptimin e tyre krijojnë një “realitet paralel” ku dështimet shfaqen si fatkeqësi të jashtme, jo si rezultat i veprimeve të tyre. Fjala përdoret për të mbajtur pushtetin dhe manipulimin e perceptimit, jo për të ndrequr institucionet.

Institucionet që zhvillojnë mendimin kritik dhe kujtesën kolektive janë kërcënuese për pushtetin që kontrollon perceptimin, jo realitetin.

Pushteti që flet vonë nuk është zgjuar; ai shpik një amnezë politike.

Degradimi nuk është rezultat i paaftësisë njerëzore; ai është produkt i një modeli pushteti që ushqen vetë rrënimin, e mban institucionin të dobët dhe të nënshtruar dhe e përdor këtë dobësi si mjet kontrolli mbi popullsinë dhe mendimin kritik.

Ajo që rezulton nuk është një institucion funksional, por një strukturë që ekziston vetëm për të justifikuar pushtetin që e krijoi.

rtsh arsimi

Lini një Përgjigje