
Policia Kufitare e Vlorës ka zbardhur detaje të reja mbi tentativën e trafikimit të 11 emigrantëve të huaj, të cilët u shpëtuan një ditë më parë pranë ishullit të Sazanit, pasi gomonia me të cilën udhëtonin drejt Italisë rrezikoi të fundosej.
Në përfundim të veprimeve hetimore është arrestuar shtetasi Masud Emir (M. E.), 43 vjeç, nga Afganistani, i cili sipas Policisë dyshohet se organizoi të gjithë operacionin dhe ndodhej në gomone së bashku me emigrantët. Ai akuzohet për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".
Ndërkohë, 10 emigrantët e shpëtuar, shtetas të Bangladeshit, Pakistanit, Liberisë dhe Haitit, janë proceduar penalisht për "Kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror".
Sipas hetimeve, skema kishte nisur në Greqi, ku 43-vjeçari dyshohet se organizoi kalimin e paligjshëm të emigrantëve në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër.
Pasi mbërritën në Shqipëri, ai dyshohet se bashkëpunoi me një shtetas shqiptar ende të paidentifikuar, i cili i dërgoi koordinatat e një gomoneje të lënë në zonën e Semanit, në Fier. Organizatori mori mjetin lundrues, hipi në bord emigrantët dhe u nis drejt brigjeve italiane.
Udhëtimi përfundoi pranë ishullit të Sazanit, ku gomonia u vu në rrezik dhe u lokalizua nga Policia Kufitare dhe Forca Delta, të cilat ndërhynë për të shpëtuar personat që ndodheshin në bord.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasit shqiptar që dyshohet se siguroi gomonen, si edhe për zbulimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë pjesë e këtij rrjeti të trafikimit të emigrantëve, i cili dyshohet se përdorte Shqipërinë si pikë tranziti drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Lini një Përgjigje