Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 17:50, në aksin rrugor Elbasan–Librazhd, pranë fshatit Mengël, në Njësinë Administrative Labinot-Fushë.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një automjet ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe ka dalë nga korsia, duke u përplasur me barrierat mbrojtëse anësore.
Raportohet se përplasja ka qenë aq e fortë sa automjeti ka pësuar dëmtime të mëdha, duke u shkatërruar pothuajse tërësisht në pjesën ballore dhe anësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit është Klement Balla, banues në fshatin Griqan. Ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Sipas të dhënave paraprake, gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë.
Pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët kryen veprimet e para procedurale dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga humbja e kontrollit të automjetit, e favorizuar nga shpejtësia e lartë. Megjithatë, shkaku i saktë do të përcaktohet pas ekspertizës teknike dhe hetimeve të policisë.
Lini një Përgjigje