Dinamo ka arritur një sukses të madh në arenën europiane, duke siguruar kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Kryeqytetasit realizuan përmbysjen spektakolare ndaj Astanas, duke fituar 1-4 në “Astana Arena” dhe duke e mbyllur përballjen me rezultatin e përgjithshëm 4-2.
Pas humbjes minimale 1-0 në ndeshjen e parë, Dinamo udhëtoi në Kazakistan me një mision të vështirë, por skuadra shqiptare tregoi karakter dhe arriti të përmbyste gjithçka në një ndeshje dramatike.
Pjesa e parë nuk nisi në mënyrën më të mirë për "nëndetësen blu". Në minutën e 33-të, Kazukolovas shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke kaluar Astanën në avantazh dhe duke e bërë më të komplikuar rrugëtimin e skuadrës shqiptare drejt kualifikimit.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi në fillimin e pjesës së dytë. Në minutën e 49-të, Kazukolovas u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën kazake me 10 lojtarë. Vetëm një minutë më vonë, Bruno Dita riktheu baraspeshën nga pika e penalltisë, duke ringjallur shpresat e Dinamos.
Në minutën e 62-të erdhi edhe përmbysja. Pas një asistimi nga Manellari, Hekuran Berisha realizoi golin e dytë për Dinamon, duke kaluar skuadrën shqiptare në avantazh dhe duke barazuar rezultatin e përgjithshëm të dy ndeshjeve.
Koha e rregullt përfundoi me fitoren 2-1 të Dinamos, duke e dërguar përballjen në shtesë. Në minutën e 93-të, Lorenco Vila, pas asistit të Ismailit, shënoi golin e tretë, duke i dhënë skuadrës kryeqytetase golin e kualifikimit.
Dinamo nuk u mjaftua me kaq. Në sekondat e fundit të sfidës, në minutën e 124-t, ekipi i drejtuar nga Ilir Daja gjeti edhe golin e katërt, duke vulosur fitoren 4-1 dhe një kualifikim të jashtëzakonshëm në tokën kazake.
Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Dinamo do të përballet me fituesin e çiftit Sherif Tiraspol – Aluminij.
Lini një Përgjigje