
Jetmir Pepa, i njohur ndryshe si Mir Pepa ose "Kazanova", një nga personat më të kërkuar në Shqipëri, është arrestuar në Dubai.
Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë hetimit, të cilët konfirmojnë për 'Pamfleti' se arrestimi i tij është bërë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se procedurat e ekstradimit kanë nisur, duke pritur që ai të ekstradohet në Shqipëri në ditët në vijim.
Ndërkohë, ende nuk ka detaje zyrtare se si ka ndodhur arrestimi apo në cilën zonë të Dubai-t është kapur, ndërsa burimet nuk kanë dhënë më shumë informacion në lidhje me këtë pjesë të operacionit.
Arrestimi i Jetmir Pepës vjen vetëm disa ditë pas ekstradimit të 6 shtetasve të tjerë nga Dubai, mes të cilëve Aleks Pepaj, vëllai i tij, si dhe Ilir Lazri, të cilët lidhen drejtpërdrejt me të njëjtin grup kriminal.
Procedurat ligjore për ekstradimin e Jetmir Pepës kanë nisur menjëherë pas arrestimit. Pritet që ai të ekstradohet në Shqipëri gjatë ditëve në vijim, për t'u përballur me akuzat e rënda që i ngarkohen.
Pepa është një nga figurat kyçe të hetimeve për trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave. Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal i udhëhequr prej tij dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe ka pastruar shuma të mëdha parash nëpërmjet tenderave publikë dhe bizneseve të ndryshme.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro dhe janë goditur disa prej anëtarëve të grupit, mes të cilëve vëllai i tij, Aleks Pepaj.
Detaje të mëtejshme priten gjatë ditëve në vijim, ndërsa hetimet do të vijojnë punën për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të këtij grupi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje