Në një Kupë Bote të zgjeruar, e konceptuar për ta shpërndarë vëmendjen e futbollit më gjerë se kurrë më parë, Lionel Mesi dhe Kilian Mabpe kanë sjellë menjëherë shkëlqimin që FIFA, transmetuesit televizivë dhe publiku amerikan prisnin. Ndërkohë, Erling Haland, Herri Kejn dhe talenti i ri spanjoll Lamin Jamal po luajnë role po aq të rëndësishme në turne.
Në Shtetet e Bashkuara, figura e superyllit ka një ndikim të veçantë dhe kjo po reflektohet edhe në këtë Botëror. Mesi i është përgjigjur pritshmërive në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës vetëm pas dy ndeshjeve të para të turneut.
Argjentinasi, që së shpejti mbush 39 vjeç, realizoi një tregolësh në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë dhe vazhdoi në të njëjtin ritëm edhe të hënën. Edhe pse humbi një penallti, ai shënoi dy golat e fitores 2-0 ndaj Austrisë, duke e çuar numrin e golave të tij në 18. Gjithçka lë të kuptohet se Mesi dëshiron ta shijojë maksimalisht atë që pritet të jetë Kupa e tij e fundit e Botës.
Megjithatë, Mbape po e ndjek nga afër. Sulmuesi francez realizoi dy gola në suksesin 3-1 ndaj Senegalit dhe dy të tjerë në fitoren 3-0 kundër Irakut, duke mbetur vetëm dy gola larg rekordit të Mesit.
Pas një sezoni të vështirë, 27-vjeçari i Realit të Madridit duket se ka rikthyer buzëqeshjen dhe energjinë që e karakterizon në fushë.
Një tjetër emër që po tërheq vëmendjen është Lamin Jamal. Spanja hasi vështirësi pa të në barazimin pa gola ndaj Kepit të Gjelbër, ndërsa rikthimi i tij në formacion kundër Arabisë Saudite krijoi pritshmëri të mëdha në stadiumin e Atlantës.
18-vjeçari shpërbleu tifozët duke shënuar golin e parë në fitoren bindëse 4-0 të Spanjës. Ekipi iberik e kishte zgjidhur ndeshjen që në pjesën e parë, duke i dhënë mundësi trajnerit ta zëvendësonte Jamalin, i cili luajti me vetëbesimin dhe lirinë e një futbollisti që nuk ndien ende peshën e pritshmërive kombëtare.
Kur Mesi debutoi në Kupën e Botës në vitin 2006, Jamal ishte ende shumë larg futbollit profesionist. Tani, dy dekada më vonë, talenti spanjoll duket i gatshëm të marrë stafetën e brezit të ri të yjeve.
Edhe Erling Haland ka nisur në mënyrë mbresëlënëse aventurën e tij të parë në një Kupë Bote. Norvegjezi ka shënuar katër gola në dy ndeshje, duke realizuar nga dy gola si në fitoren 4-1 ndaj Irakut, ashtu edhe në suksesin 3-2 kundër Senegalit.
Të premten, Haland dhe Mbape do të përballen drejtpërdrejt kur Norvegjia dhe Franca të diskutojnë vendin e parë në Grupin I. Përveç garës për pikët, dy sulmuesit do të vazhdojnë edhe rivalitetin për kreun e renditjes së golashënuesve.
Ndërkohë, Herri Kejn shënoi dy herë kundër Kroacisë, duke barazuar legjendën Geri Lineker me 10 gola në Kupat e Botës për Anglinë. Gara për “Këpucën e Artë” po fiton gjithnjë e më shumë interes.
Katër vite më parë, Mesi dhe Mbae dominuan turneun. Francezi e mbylli si golashënuesi më i mirë me tetë gola, një më shumë se Mesi, por ishte argjentinasi që ngriti trofeun pas një finaleje ku tregolëshi i Mbapes nuk mjaftoi për Francën.
Në këtë fazë të turneut, një tjetër finale mes Argjentinës dhe Francës duket një mundësi reale. Megjithatë, kjo Kupë Bote mund të nxjerrë edhe një hero të ri, në një vend ku publiku përqafon natyrshëm lindjen e talenteve të reja./"Reuters", përshtati në shqip Pamfleti
Lini një Përgjigje