
Detaje të reja po dalin në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa kolegu i tij, Edison Adri, mbeti i plagosur rëndë.
Raportohet se, autori i dyshuar Violand Braçellari, ka shfaqur gjakftohtësi të plotë pas arrestimit. Edhe pse ishte plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe kishte marrë tre plumba në pjesë të ndryshme të trupit, ai nuk ka dhënë asnjë shenjë shqetësimi apo reagimi emocional.
Personat që e kanë shoqëruar me ambulancë drejt spitalit tregojnë se 44-vjeçari ka qëndruar i qetë gjatë gjithë kohës, pa shfaqur pendesë apo keqardhje për ngjarjen. Sipas tyre, ai nuk ka reaguar në asnjë moment ndaj pasojave të përplasjes që i mori jetën një efektivi policie dhe plagosi rëndë një tjetër.
Burime të tjera bëjnë me dije se emri i Braçellarit është përmendur edhe në një episod të mëparshëm dhune. Dyshohet se rreth një vit më parë ai ka dhunuar një person, duke e tërhequr zvarrë me kalë për më shumë se dy orë.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes që tronditi Policinë e Shtetit dhe opinionin publik.
Lini një Përgjigje