Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetime ndaj zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Divjakë, nën dyshimin për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", pas zbulimit dhe sekuestrimit të 1,426 bimëve narkotike kanabis sativa të kultivuara në zonën e Divjakës.
Sipas burimeve, çështja është referuar në Prokurori, pasi dyshohet se drejtuesit e komisariatit nuk kanë ushtruar kontrollet dhe verifikimet e nevojshme për evidentimin dhe goditjen e parcelave të mbjella me kanabis.
Parcela u zbulua pak ditë më parë në vendin e quajtur "Rezervuari i Divjakës", në një sipërfaqe toke shtetërore. Gjatë operacionit policor u sekuestruan 1,426 bimë kanabis sativa, 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe 7 kilogramë kanabis në formë boçesh.
Në vijim të hetimeve, nën procedim penal janë vënë edhe tre punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, të dyshuar për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
"Gjatë operacionit, në vendin e quajtur 'Rezervuari i Divjakës', në një tokë shtetërore, u gjet një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale 'Shpërdorimi i detyrës', për tre punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, shtetasit: E. T., 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, F. H., 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe G. A., 53 vjeç, me detyrë roje.", thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje