Kontrolle në disa fshatra të zonës, mes të ndaluarve edhe një person i kërkuar në nivel ndërkombëtar...
Forca të shumta policore kanë zhvilluar gjatë natës një operacion në fshatrat e Lumit të Vlorës, duke ushtruar kontrolle në disa ambiente dhe zona të ndryshme të territorit.
Nga të dhënat paraprake rezulton se aksioni ka çuar në arrestimin dhe shoqërimin e disa personave. Mes tyre ndodhet edhe një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë kontrolleve, efektivët kanë sekuestruar katër armë zjarri dhe një automjet të blinduar. Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion mbi identitetin e të ndaluarve apo akuzat konkrete që rëndojnë ndaj tyre.
Operacioni është ndjekur nga afër nga drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Edvin Ndreu, ndërsa në terren janë angazhuar struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit.
Pritet që në orët në vijim policia të publikojë detaje zyrtare mbi rezultatet e aksionit, personat e arrestuar dhe materialet e sekuestruara. Hetimet mbeten në zhvillim.
Lini një Përgjigje