Arena “Wiener Stadthalle” në Vjenë është kthyer në qendrën e spektaklit muzikor europian me nisjen e edicionit të 70-të të “Eurovision Song Contest”, ku mijëra fansa nga e gjithë Europa janë mbledhur për të ndjekur nga afër konkurrimin më të madh muzikor të kontinentit.
Nën moton “Të Bashkuar nga Muzika”, këtë vit garojnë 35 shtete, në një edicion që sjell emocione të forta, por edhe rregulla të reja për procesin e votimit. Pas 11 vitesh, Austria rikthehet si vend mikpritës i festivalit, falë fitores së artistit JJ në vitin 2025.
Shqipëria përfaqësohet nga këngëtari Alis me këngën “Nan”, një krijim që përcjell një mesazh universal për figurën e nënës dhe rolin e saj në familjen shqiptare. Performanca e tij është vlerësuar për kombinimin e thjeshtësisë së tekstit me një motiv të ndjerë muzikor, duke tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, mes tyre edhe BBC.
Në një intervistë për RTSH, Alis foli për emocionet e përgatitjeve dhe provave intensive për natën e dytë gjysmëfinale, ku do të performojë i 13-ti në renditje.
“Është një ëndërr. Që në momentin e parë kur hyra për prova, ndjesia ishte sikur po të ndiqte e gjithë bota. Kjo është pjesa më e bukur e Eurovizionit. Fansat kanë një energji të jashtëzakonshme dhe jam shumë mirënjohës për mbështetjen e shqiptarëve. Shpresoj t’i bëj krenarë”, u shpreh artisti.
Përtej konkurrimit, Alis theksoi edhe atmosferën miqësore mes artistëve pjesëmarrës, duke lënë të hapur mundësinë për bashkëpunime ndërkombëtare pas përfundimit të festivalit.
Ndërkohë, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka vendosur masa më të forta për votimin, pas kritikave dhe akuzave për manipulime në edicionet e kaluara. Numri maksimal i votave për çdo person është reduktuar në 10, ndërsa kontrollet për aktivitetet e dyshimta janë shtuar.
Mbështetja e diasporës shqiptare konsiderohet vendimtare për kualifikimin e Shqipërisë në finalen e madhe të së shtunës. Votimi për Alis bëhet përmes numrit 13 në vendet pjesëmarrëse të Eurovizionit, sipas kodeve përkatëse të secilit shtet.
Ndërsa shqiptarët që jetojnë në vende jo pjesëmarrëse mund të votojnë online gjatë gjithë ditës së 14 majit. Ata nuk do të kenë mundësi të votojnë gjatë transmetimit live të spektaklit, por votimi do të rihapet për pak minuta pas performancës së Shqipërisë dhe në përfundim të spektaklit.
Shqipëria synon një vend në finalen e madhe, në një garë që bashkon artistë nga e gjithë Europa dhe më gjerë, duke e kthyer muzikën në një urë lidhëse mes kulturave dhe publikut ndërkombëtar.
Nje moment do shihni Alis te rrethuar nga delegacioni pa lidhje i RTSH-se qe e shoqeron. Do shihni mes tyre lepirsa, zvarranike, servile, te paafte dhe pa asnje lidhje me Alis dhe me ate qe ai vete si artist perfaqson. Nje moment do shihni dhe Eni Vasilin duke bere videon e radhes me flamur ne dore. Perdorimi i radhes i pushtetit te cilit ajo nuk i shpeton dot. Nuk do mungoje dhe Kryetari i Keshillit qe ka marre formen e paterices se drejtoreshes me flamurin shqiptar dhe te Be ne dore.