TAGS-AT E JAVËS

Kulture 4 Korrik 2026, 11:03

Ndahet nga jeta aktori i njohur Koço Qendro, ikona e teatrit dhe kinematografisë shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
Ndahet nga jeta aktori i njohur Koço Qendro, ikona e teatrit dhe
Aktori Koço Qendro

Është ndarë nga jeta aktori i njohur Koço Qendro, një prej emrave më të rëndësishëm të teatrit, estradës dhe kinematografisë shqiptare, i cili lë pas një kontribut të jashtëzakonshëm artistik të ndërtuar përgjatë më shumë se gjashtë dekadave.

I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, Koço Qendro e ndërtoi jetën dhe karrierën e tij artistike në Korçë, ku u bë një nga themeluesit dhe figurat më përfaqësuese të teatrit dhe estradës profesioniste. Me qindra role të interpretuara në teatër dhe në kinematografi, ai u shndërrua në një nga aktorët më të dashur për publikun shqiptar.

Një nga interpretimet më të spikatura të karrierës së tij mbetet ai i Harpagonit në komedinë "Kopraci" të Molierit. Qendro e solli këtë personazh në skenë në etapa të ndryshme të jetës së tij, duke u rikthyer ta interpretonte edhe në një moshë të thyer, si dëshmi e përkushtimit dhe pasionit të tij të pashtershëm për artin.

Edhe në kinematografi ai la gjurmë të rëndësishme me role në filma si "I teti në bronz", "Përballimi", "Agimet e stinës së madhe", "Vendimi", si edhe në një sërë produksionesh të tjera që sot konsiderohen pjesë e fondit të artë të filmit shqiptar.

Përtej skenës dhe ekranit, Koço Qendro dha një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e historisë së teatrit korçar, duke dokumentuar ngjarje, kujtime dhe figura që kanë lënë gjurmë në traditën e skenës shqiptare. Për veprimtarinë e tij artistike u nderua me tituj dhe vlerësime të shumta, ndërsa së fundmi iu akordua edhe titulli "Ambasador i Qarkut" nga Këshilli i Qarkut Korçë, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij në kulturën shqiptare.

Me ndarjen nga jeta të Koço Qendros, Shqipëria humbet jo vetëm një aktor të madh, por edhe një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të historisë së teatrit dhe humorit shqiptar. Personazhet që ai solli në skenë dhe në ekran do të mbeten pjesë e kujtesës së publikut, ndërsa emri i tij do të vazhdojë të zërë një vend të veçantë në historinë e artit shqiptar.

Lini një Përgjigje