TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES16 Qershor 2026, 19:35

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër qeverisë, mijëra persona sërish në shesh

Shkruar nga Pamfleti
1 ORE ME PARE

Mesazh për Marta Kos nga protesta: Kemi grisur kontratën 36-vjeçare me këtë klasë politike

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Pamje nga protesta

Protesta qytetare para Kryeministrisë ka vijuar edhe në ditën e 17-të, me qytetarë që kanë artikuluar jo vetëm kundërshtimin ndaj qeverisë, por edhe refuzimin e të gjithë klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë tre dekadave të fundit.

Një nga fjalimet që tërhoqi vëmendje gjatë tubimit ishte ai i një protestuesi, i cili iu drejtua publikisht Komisioneres së Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, me një mesazh të drejtpërdrejtë për situatën politike në Shqipëri.

I them zonjës Kos: ti mund të marrësh garanci nga kjo qeveri, por ka diçka që e ke harruar. Ne shqiptarët e Shqipërisë kemi vendosur ta grisim kontratën 36-vjeçare me këtë klasë politike”, deklaroi ai nga podiumi i protestës.

Qytetari tha se protestat e ditëve të fundit po tregojnë se një pjesë e shoqërisë shqiptare nuk pranon më të identifikohet me klasën politike që ka dominuar tranzicionin.

Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për ta etiketuar apo për ta përvetësuar lëvizjen, protesta po mbetet një reagim autentik qytetar.

“Pavarësisht përpjekjeve për ta kapur këtë protestë, inteligjenca e kësaj rinie është më e madhe nga sa mendoni”, u shpreh protestuesi.

Në vijim të fjalës së tij, ai sulmoi atë që e cilësoi si kulturë të imponuar të bashkëpërgjegjësisë kolektive për gjendjen e vendit.

Teorisë se të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës i ka ardhur fundi”, deklaroi ai, duke marrë duartrokitjet e pjesëmarrësve në tubim.

Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar gjatë javëve të fundit në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe elitës politike. Në podium po ngjiten çdo ditë qytetarë, studentë, pedagogë dhe profesionistë që artikulojnë shqetësime që lidhen me emigracionin, korrupsionin, mungesën e meritokracisë dhe përfaqësimin politik.

Ndërsa protesta hyn në javën e tretë, mesazhet që vijnë nga sheshi po shkojnë përtej kërkesave konkrete dhe po shndërrohen në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj modelit politik që ka dominuar Shqipërinë në 36 vitet e fundit.

1 ORE ME PARE

Jehojnë thirrjet kundër qeverisë, protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës!

Marshimi u shoqërua me brohoritje dhe pjesëmarrje masive të qytetarëve të moshave të ndryshme, duke e kthyer protestën në një manifestim në kryeqytet.

Me flamuj kombëtarë në duar dhe pankarta me mesazhe politike, qindra protestues nisën marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të protestës kundër qeverisë Rama dhe politiksës së vjetër. 

Kolona e protestuesve po përshkon disa nga akset kryesore të kryeqytetit. Një nga organizatorët, Arben Kola sqaroi dhe itinerarin që do të ndjekin protestuesit.

“Tajvani-Bashkia-Parlamenti (ndalese 5 min)-Shkolla Kosova-Shtepia e Europes(ndalese 5 min)-Kryeministria (perfundimi)”, tha Arben Kola.

Atmosfera u karakterizua nga një kombinim mes revoltës qytetare dhe kreativitetit, ku pankartat u kthyen në elementin më të spikatur të marshimit.

Në mesin e turmës binin në sy pankarta me mbishkrime si "Zgjohu Shqipëri!" dhe "Europe, can you hear us?", ndërsa të tjera ironizonin figurat politike përmes fotomontazheve dhe mesazheve satirike. Protestuesit shfrytëzuan humorin dhe simbolikën për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me qeverisjen, korrupsionin, largimin e të rinjve nga vendi dhe proceset zgjedhore.

Grumbullimi ka nisur që në orën 18:00 në Sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje si “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet”, si dhe slogane të tjera kundër klasës politike.

Qytetarët i drejtuan një apel të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se, nëse i dhimbset vendi dhe interesat e shqiptarëve, duhet të japë dorëheqjen. Sipas tyre, largimi i tij nga drejtimi i qeverisë do t’i hapte rrugë një zgjidhjeje politike dhe rikthimit të besimit të qytetarëve te institucionet. Thirrja “Nëse të dhimbset Shqipëria, jep dorëheqjen” u përsërit disa herë gjatë tubimit.

Kujtojmë se manifestime të ngjashme janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Vlorën, Durrësin, Shkodrën dhe Pogradecin. Po ashtu, tubime mbështetëse janë mbajtur edhe nga komunitetet shqiptare jashtë vendit.

2 ORE ME PARE

“Ministrat s’kanë këllqe të flasin”, deklarata e fortë e Robert Aliajt në protestë: PS po konvertohet në Partinë e Punës!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Robert Aliaj në protestë

Artisti Robert Aliaj ishte sot i pranishëm në protestën e 17-të për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Teksa bërë deklarata të forta kundër Ramës, tha se PS po konvertohet në Parti e Punës.

Aliaj u ka bërë thirrje përfaqësuesve të shtetit dhe ministrave të dalin dhe të mbrojnë jo vetëm detyrën që kanë marrë, por edhe dinjitetin personal.

Robert Aliaj: Jam shumë i gëzuar që jam këtu sot krah studentëve. Është për mua dyfish kuptimplotë, sepse në vitin 2018 unë me Galën kemi qenë në protestën e studentëve dhe kemi luftuar e mbështetur me zemër. Ne nuk ia dolëm. Nuk ia dolëm me studentët, sepse na shkatërruan me të gjitha infiltrimet, me interesa e me probleme që po dalin edhe sot. Historia po përsëritet, por nuk duhet të përsëritet, duhet të mbarojë këtu.

I bëj thirrje të gjitha institucioneve publike apo private, në veçanti atyre publike që kanë përgjegjësi për detyrën që kanë, që nga universitetet, akademia, të vijnë këtu dhe të shprehen, të gjitha me radhë. Një qeveri që nuk mbështet interesat e brezit tuaj është armiku juaj. Është shumë e vërtetë. Ne nuk mund të lejojmë arrogancën sikur ky vend i përket një padroni dhe të bëhet si thotë ai.

Nuk mund të lejojmë një lider që flet në emër të përfaqësuesve të shtetit. Këtu nuk ka ministra, por një burrë që flet për të gjithë. Kjo nuk është demokraci. I bëj thirrje edhe përfaqësuesve të shtetit, njerëzve të zgjedhur nga ju, këtyre ministrave që nuk kanë, mos ta them, nuk kanë këllqe, nuk kanë bole, të dalin dhe të mbrojnë jo vetëm detyrën që kanë marrë, por edhe dinjitetin personal.

Po të isha unë ministër, nuk do hante mut një kryeministër të fliste në vendin tim. Nuk do ndodhte kjo. Sepse ky është precedent shumë i keq për PS-në, që po konvertohet si Parti e Punës, duke adhuruar një lider që të injoron deri në atë pikë sa të mos të japë fjalën për detyrën që ke. Është detyrim sot të dalësh të flasësh. Këtë detyrim e ka edhe kryeministri: të mos flasë nëpër TikTok dhe të bullizojë njerëzit, të bëjë tipologjinë e protestuesve, sepse duke ofenduar një protestues, ai harron që është shqiptar, mund të ishte edhe ai një qytetar, por që është një milion herë më i keq…

2 ORE ME PARE

“Brezi im do ta shpëtojë këtë vend”, vajza e artistit Robert Aliaj në protestë: Mos lejoni politikën të ndotë lëvizjen tuaj!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Gala Dragot

Një prej qytetarëve që folën në podiumin e improvizuar, ishte dhe vajza e artistit Robert Aliaj Dragot, Gala Dragot.

Ajo u shpreh se beson se brezi i saj do e bëjë ndryshimin në këtë vend. Ndërkaq iu tha protestuesve të mos lejojnë politikën të ndot lëvizjen e tyre, siç ndodhi me protestën e studentëve.

"Jam shumë e entuziazmuar nga protesta juaj. Më bën të besoj se brezi im mund të bëj ndryshime. Jam kaq e lumtur që jeni kaq të ndërgjegjshëm për forcën që keni dhe për të ardhmen që doni. Kam qenë në protestën e studentëve me babain tim kur isha 13 vjeç. Me mbushi me shpresë por dështoi nga ndërhyja e politikanëve të dështuar.

Jam këtu për t’ju kujtuar se duhet të keni kurajo pa fund. Kurajo pa fund për të bërë ndryshime, për të rrëzuar këtë klasë politike të kalbur. Mos lejoni element politikë të ndotin lëvizjen tuaj. E ardhmja është e jona. Mos harroni, liria nuk dhurohet. Liria negociohet dhe duhet të luftosh për të. Jam e lumtur të them se brezi im do ta shpëtojë këtë vend. Le ti japim fund totalitarizmit, rroftë Shqipëria."- u shpreh Gala Dragot.

2 ORE ME PARE

U procedua se marshoi drejt Rinasit, protestuesi: A e kuptoni se na e keni sjellë në majë të hundës!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Qytetari në protestë

Një prej protestuesve që mori fjalën në ditën e 17-të të protestës kundër qeverisë Rama deklaroi se marshimi 15 kilometra drejt Rinasit ishte dëshmi e pakënaqësisë së madhe qytetare ndaj pushtetit.

Duke iu referuar procedimit nga Policia për organizatorët dhe pjesëmarrësit e marshimit, ai tha se qeveria duhet të reflektojë mbi arsyet që shtynë mijëra qytetarë të ecin për kilometra të tërë në mes të natës.

"Po procedohemi për marshimin e para dy ditëve. Ishin mijëra vetë që marshuan 15 kilometra në mes të natës. A e kuptojnë qeveritarët se qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës", u shpreh protestuesi.

Sipas tij, në marshim morën pjesë qytetarë të moshave të ndryshme, përfshirë të moshuar, të rinj dhe familjarë, duke argumentuar se pjesëmarrja nuk ishte thjesht politike, por një reagim i gjerë qytetar.

Ai theksoi gjithashtu se protesta po tërheq vëmendjen e mediave vendase dhe ndërkombëtare, ndërsa u bëri thirrje studentëve dhe qytetarëve të japin propozimet e tyre për vazhdimin e protestës.

"Po procedohemi për marshimin e para dy ditëve. Ka shumë njerëz që thonë se ai marshim i gjatë ishte i gabuar dhe kanë të drejtë e Zotit për ta thënë. Ama ka shumë mësime për të nxjerrë. Qeveritarët thanë populli u mashtruar. Po u mashtrua, nga ju këto 35 vite. Ishin mijëra vetë që marshuan 15 km në mes të natës. A e kuptojnë qeveritarët se ju ka ardhur në majë të hundës. Njerëzit kishe gjyshe atje. Nuk ishin militantë. Kishte vajza, djem burra që vendosën të marshonin. Edhe ata që janë kundër kanë të drejtë. Prezenca e mediave vendase dhe ndërkombëtare do jetë e fortë. Ka njerëz që ndjehen të papërfaqësuar. Munden që studentët të mbledhin letra me shkrim dore që të shkruani si doni kjo protestë të vazhdojë. I kemi treguar gjithë botës se si protestojmë. Marshojmë qindra mijë njerëz dhe nuk shqetësojmë askënd. Nga populli që dje nuk njihte më shpresën, ka lindur populli që nuk njeh më frikën."-tha protestuesi.

2 ORE ME PARE

Protestuesit shkundin kastën politike: Nuk kemi opozitë, opozita jemi ne

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Protesta

“Nuk kemi opozitë. Opozita e vërtetë jemi ne!”

Kjo ishte një nga thirrjet më të forta të artikuluara nga podiumi i protestës që po zhvillohet para Kryeministrisë, ku për të 17-ën ditë me radhë qytetarë nga zona të ndryshme të vendit janë mbledhur për të kundërshtuar qeverinë dhe klasën politike.

Mes pankartave, thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kritikave ndaj opozitës tradicionale, organizatorët deklaruan se qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar nga partitë politike dhe se protesta po merr rolin e opozitës reale në vend.

Nuk kemi opozitë. Opozita e vërtetë jemi ne”, u tha nga podiumi, mes duartrokitjeve të protestuesve.

Lëvizja, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar gjatë javëve të fundit në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë, por edhe kundër asaj që protestuesit e konsiderojnë si dështim të gjithë klasës politike.

Në tubimin e sotëm nuk munguan as thirrjet që janë bërë tashmë simbol i protestës, si “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, apo “Rama në burg, Berisha në burg”.

Organizatorët theksuan se protestës po i bashkohen çdo ditë qytetarë të rinj, ndërsa mbështetje po vjen edhe nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë.

Pas më shumë se dy javësh tubime të përditshme, protestuesit këmbëngulin se lëvizja nuk do të ndalet dhe se synimi i tyre mbetet rritja e presionit qytetar ndaj qeverisë dhe elitës politike që, sipas tyre, ka humbur lidhjen me problemet reale të njerëzve.

2 ORE ME PARE

Studentja nga Anglia në protestë: U ktheva për Shqipërinë, por gjeta nepotizëm dhe një vend që po zbrazet

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër

"Revolucioni i flamingove", lëvizja qytetare që nisi kundër projekteve turistike në Zvërnec dhe që tashmë është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike, po mbledh çdo ditë e më shumë jo vetëm qytetarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe studentë, profesionistë dhe ekspertë që jetojnë jashtë vendit.

Në ditën e 17-të të protestës para Kryeministrisë, një nga fjalimet që tërhoqi vëmendjen ishte ai i një studenteje shqiptare, e lindur dhe rritur në Angli, e cila tha se kishte vendosur të kthehej në Shqipëri për të kontribuar për vendin e saj, por se realiteti që kishte gjetur ishte krejt ndryshe nga ai që kishte ëndërruar.

Jam lindur dhe rritur në Angli, por kam vendosur të rikthehem për t’i dhënë një të mirë vendit tim. Kam ardhur sepse besoj se Shqipëria meriton më shumë dhe se brezi ynë duhet të ketë një shans për ta ndërtuar këtu të ardhmen”, tha ajo.

Studentja foli për vështirësitë që sipas saj po përjetojnë të rinjtë në Shqipëri, duke përmendur mungesën e meritokracisë dhe mundësive të barabarta.

Kam parë nepotizmin që na merr mundësitë. Kam parë të rinj të arsimuar që largohen sepse nuk gjejnë hapësirë. Kam parë njerëz që nuk ecin përpara sepse vendin e meritës e ka zënë lidhja dhe favori”, deklaroi ajo.

Megjithatë, e reja tha se ende beson te shoqëria dhe te qytetarët që po mbushin çdo mbrëmje sheshin para Kryeministrisë.

Por unë shoh edhe një të ardhme dhe ajo jeni ju. Janë njerëzit që nuk dorëzohen, janë të rinjtë që vazhdojnë të besojnë se ky vend mund të ndryshojë”, u shpreh studentja.

Në fjalën e saj ajo ngriti edhe problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët në shumë zona të vendit.

Njerëzit meritojnë ujë, meritojnë drita, meritojnë kushte normale jetese. Por këta hajdutë po ua marrin të ardhmen”, tha ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.

3 ORE ME PARE

Protesta mbushet sërish me ngjyra, fëmijët vizatojnë dhe ngjyrosin në bulevard

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër

17 protestat e zhvilluara deri më tani në Tiranë kundër qeverisë Rama janë dalluar nga protestat e mëparshme jo vetëm për pjesëmarrjen e gjerë qytetare, por edhe për elementë të veçantë që kanë synuar përfshirjen e familjeve dhe fëmijëve.

Një nga veçoritë më të spikatura ka qenë krijimi i këndeve të dedikuara për fëmijët, ku të vegjlit kanë pasur mundësinë të vizatojnë, të ngjyrosin dhe të shprehin kreativitetin e tyre në fletë me formate dhe përmasa të ndryshme.

Organizatorët e kanë konsideruar këtë nismë si një mënyrë për ta bërë ambientin e protestës më gjithëpërfshirës dhe familjar, duke u ofruar fëmijëve një hapësirë të posaçme për aktivitete artistike, ndërsa prindërit e tyre merrnin pjesë në tubime.

Prania e këtyre këndeve kreative ka krijuar një atmosferë ndryshe nga protestat tradicionale, duke i dhënë ngjarjeve një dimension më qytetar dhe komunitar.

3 ORE ME PARE

“Nëse Shqipëria është kaq mirë, pse po ikin njerëzit?”

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Foto nga protesta

Mes thirrjeve "Rama jep dorëheqjen", "Ju erdhi fundi" dhe "Shqipëria në re", dy nga fjalimet që tërhoqën më shumë vëmendjen në ditën e 17-të të protestës para Kryeministrisë ishin ato të një vajze të re të diplomuar në Itali dhe një nxënësi 13-vjeçar nga Tirana.

Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projekteve turistike në Zvërnec dhe Sazan, po merr gjithnjë e më shumë formën e një revolte qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi. Në podium po ngjiten çdo ditë qytetarë që rrëfejnë problemet e tyre dhe arsyet pse kanë zgjedhur të dalin në rrugë.

Një prej tyre ishte një vajzë e re, e diplomuar në Itali, e cila tregoi se prej një viti e gjysmë endet zyrave të shtetit për të njohur diplomën e saj, ndërsa vazhdon të mbetet pa punë.

Jam diplomuar në Itali, por akoma diploma ime nuk po njësohet. Prej një viti e gjysmë pres dhe askush nuk më jep zgjidhje. Po për personat me aftësi të kufizuar çfarë do të bëhet? A iu sigurohet atyre punë? Nëse gjërat janë kaq mirë në Shqipëri, siç na thoni çdo ditë, pse po largohen njerëzit? Pse është aeroporti plot?”, pyeti ajo nga podiumi, mes duartrokitjeve të protestuesve.

E reja tha se po flet jo vetëm për veten, por për një brez të tërë që sipas saj po përballet me mungesë mundësish dhe me një administratë që nuk u jep përgjigje qytetarëve.

Në fund të fjalës së saj, ajo iu bashkua thirrjeve politike të protestës.

Rama në burg, Berisha në burg. Shfuqizoni ligjin e investimeve strategjike. Zoti Kryeministër, jep dorëheqjen”, deklaroi ajo.

Por një tjetër moment që emocionoi protestuesit ishte fjalimi i një nxënësi vetëm 13 vjeç, i cili tha se kishte ardhur në protestë sepse beson se Shqipëria nuk mund të mbijetojë pa kujtesën historike dhe pa mbrojtjen e identitetit kombëtar.

Jam nxënës i shkollës ‘Kosova’. Jam 13 vjeç dhe vij nga një familje që po më rrit me atdhedashuri. Mund të jem i vogël, por nuk jam i verbër ndaj asaj që po ndodh”, tha ai.

I riu tregoi se pasioni i tij është historia dhe se pikërisht historia e ka shtyrë të dalë në protestë.

Unë jam i apasionuar pas historisë dhe e di që çdo pëllëmbë e këtij vendi është larë me gjak. Asgjë nuk na është falur. Kur kujtesa fshihet, kombet rrezikojnë të asimilohen. Kur rrënjët priten, shqiptarët zhduken. Mos na i prishni rrënjët”, u shpreh ai.

Në një mesazh që u prit me duartrokitje nga turma, 13-vjeçari tha se ka frikë se shqiptarët po humbasin kontrollin mbi vendin e tyre.

Mund të jem i vogël për të dhënë mendim, por ky është një pushtim që po vjen skutas, nën rrogoz. Nëse vazhdojmë kështu, një ditë do ta shohim veten të huaj në vendin tonë. Shqipëria është e shqiptarëve”, deklaroi ai.

Fjalimet e të resë dhe të nxënësit u kthyen në dy nga momentet më të komentuara të protestës së sotme, duke sjellë në qendër të debatit emigracionin, mungesën e perspektivës për të rinjtë dhe frikën se vendi po humbet brezin e ardhshëm.

Ndërsa protesta hyn në javën e tretë, podiumi para Kryeministrisë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë ku qytetarët rrëfejnë historitë e tyre personale, por edhe pakënaqësitë ndaj mënyrës se si po qeveriset vendi.

3 ORE ME PARE

Dita e 17-të e revoltës, profesori Susaj: Studentët janë brezi më i masakruar në 35 vjet

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Lush Susaj

Qytetarët janë rikthyer edhe këtë të martë para godinës së Kryeministrisë, në ditën e 17-të të protestës që nisi si kundërshtim ndaj projektit të Jared Kushnerit në Zvërnec dhe Sazan, por që tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë kastës politike.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për shitjen e pasurive publike dhe braktisjen e interesave të qytetarëve.

“Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria në re” ishin disa nga thirrjet që dominuan tubimin e sotëm.

Ndryshe nga ditët e para, kur fokusi ishte kryesisht te projekti i investimit në Zvërnec dhe Sazan, protesta po merr gjithnjë e më shumë karakter politik dhe qytetar, duke artikuluar pakënaqësi për korrupsionin, emigracionin, gjendjen ekonomike dhe mungesën e besimit te klasa politike.

Një nga fjalimet më të forta të protestës u mbajt nga profesori Lush Susaj, i cili e vuri theksin te gjendja e arsimit dhe largimi masiv i të rinjve nga vendi.

Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Studentët janë pjesa më delikate dhe e masakruar në 35 vjet. S’ka vend në botë që i ka masakruar shkollat dhe universitetet si Shqipëria”, deklaroi Susaj nga podiumi i protestës.

Profesori tha se kriza më e madhe e vendit po reflektohet te brezi i ri, duke sjellë si shembull edhe përvojën e tij personale.

Ju flet një njeri që fëmijën e tij e ka arsimuar në Shqipëri dhe e ndien çdo ditë dhimbjen se do të ikë jashtë. Është koha të reagojmë për brezin e ri dhe mos të mashtrohemi më si më 1992”, u shpreh ai.

Protesta para Kryeministrisë vijon prej më shumë se dy javësh dhe organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë derisa të tërhiqen projektet e kundërshtuara dhe të dëgjohen kërkesat e qytetarëve.

Ndërkohë, pjesëmarrja dhe mesazhet e artikuluara në podium po tregojnë se lëvizja po largohet gjithnjë e më shumë nga një kauzë e vetme mjedisore dhe po shndërrohet në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe elitës politike në vend.

3 ORE ME PARE

"E di kryeministri që shqiptarët s’bëjnë dot pushime?", protestuesi shpërthen ndaj Ramës

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Foto nga protesta

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protesta po dëmton imazhin e Shqipërisë dhe sektorin e turizmit kanë sjellë reagime nga pjesëmarrësit në tubim. Njëri prej protestuesve iu përgjigj drejtpërdrejt kreut të qeverisë, duke e zhvendosur debatin te kushtet ekonomike me të cilat përballen shumë familje shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, i riu tha se përpara se të flitet për ndikimin e protestave në turizëm, duhet të merret në konsideratë fakti se mijëra qytetarë nuk kanë mundësi financiare të përfitojnë nga pushimet verore në vend. Sipas tij, ka familje shqiptare që nuk kanë mundur asnjëherë të kalojnë pushime në bregdet për shkak të kostove të larta dhe të ardhurave të pamjaftueshme.

“A e di zoti kryeministër se ka familje shqiptare që nuk kanë qenë kurrë me pushime në bregdet?”, deklaroi protestuesi para të pranishmëve.

Ai theksoi se shqetësimet që po ngrihen në protestë lidhen me problematika që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, duke përmendur vështirësitë ekonomike dhe pamundësinë e shumë familjeve për të përballuar shpenzimet bazë.

Më tej, protestuesi deklaroi se kauza e tyre po tërheq vëmendje edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Sipas tij, reagimet dhe mbështetja që po marrin tregojnë se mesazhi i protestës po dëgjohet më gjerë.

“Ne po na mbështet e gjithë bota, sepse guxuam të ngremë zërin kundër këtyre këtu”, u shpreh ai.

 

4 ORE ME PARE

Pa fjalime dhe me orar të ri, ndryshon organizimi i protestës!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër
Protesta

Protesta qytetare që prej më shumë se dy javësh zhvillohet në kryeqytet ka hyrë sot në ditën e saj të 17-të. Ashtu si në ditët e mëparshme, qytetarët kanë nisur grumbullimin në qendër të Tiranës, duke ruajtur vazhdimësinë e një proteste që organizatorët e cilësojnë jopartiake dhe të hapur për të gjithë qytetarët. Tubimi ka vijuar me marshimin përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit, ku protestuesit kanë shprehur qëndrimet dhe kërkesat e tyre.

Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në orarin e zhvillimit të protestës. Sipas njoftimit zyrtar, duke filluar nga dita e nesërme, grumbullimi dhe nisja e tubimit do të zhvillohen në orën 19:00.

Ndryshimi i orarit vjen pas më shumë se dy javësh protestash të përditshme në qendër të Tiranës, ndërsa organizatorët synojnë të ruajnë pjesëmarrjen dhe vazhdimësinë e mobilizimit qytetar.

Një tjetër veçori e protestës së sotme lidhet me formatin e saj. Nismëtari i protestës, Alben Kola, ka bërë të ditur se gjatë tubimit nuk do të ketë fjalime nga pjesëmarrësit e zakonshëm, ndryshe nga ditët e mëparshme.

Sipas tij, hapësira e fjalës do t’u lihet vetëm përfaqësuesve të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të shprehin qëndrimet dhe mesazhet e tyre para protestuesve të mbledhur në shesh.

Protesta, e cila ka vijuar për 17 ditë radhazi, ka mbajtur të njëjtën skemë organizimi, me qytetarët që mblidhen në sheshin “Skënderbej” dhe marshojnë drejt Kryeministrisë, duke e kthyer qendrën e kryeqytetit në pikën kryesore të mobilizimit qytetar.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje edhe në ditët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i orarit do të ndikojë në numrin e pjesëmarrësve dhe në dinamikën e protestës.

 

4 ORE ME PARE

Dita e 17-të e protestës, qytetarët të vendosur për largimin e kastës së vjetër politike

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër

Protestuesit janë mbledhur në qendër të Tiranës dhe kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë...

Ka nisur protesta e 17-të kundër kryeministrit Edi Rama dhe kastës së vjetër të politikës. Protestuesit janë mbledhur në qendër të Tiranës dhe kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë nën sloganin “Atdheu nuk është në shitje”.

Grumbullimi ka nisur që në orën 18:00 në Sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje si “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet”, si dhe slogane të tjera kundër klasës politike.

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër

Qytetarët i drejtuan një apel të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se, nëse i dhimbset vendi dhe interesat e shqiptarëve, duhet të japë dorëheqjen. Sipas tyre, largimi i tij nga drejtimi i qeverisë do t’i hapte rrugë një zgjidhjeje politike dhe rikthimit të besimit të qytetarëve te institucionet. Thirrja “Nëse të dhimbset Shqipëria, jep dorëheqjen” u përsërit disa herë gjatë tubimit.

Pas tubimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit pritet të marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës.

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër

Kujtojmë se manifestime të ngjashme janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Vlorën, Durrësin, Shkodrën dhe Pogradecin. Po ashtu, tubime mbështetëse janë mbajtur edhe nga komunitetet shqiptare jashtë vendit.

protesta

Lini një Përgjigje