Një nga surprizat më të mëdha të Botërorit 2026 deri më tani është barazimi pa gola mes Kepit të Gjelbër dhe Spanjës. Rezultati befasues erdhi përballë një prej skuadrave favorite për të fituar turneun, e cila konsiderohet ndër pretendentet kryesore për të shkuar deri në fund të garës.
Për përfaqësuesen ishullore, ky barazim ka vlerë historike, pasi vjen në pjesëmarrjen e saj të parë në një Kupë Bote. Përveç rëndësisë sportive, rezultati ka ndikuar edhe në renditjen e FIFA-s. Falë pikës së marrë ndaj ekipit që mbante vendin e dytë në klasifikimin botëror, Kepi i Gjelbër është ngjitur me tre pozicione, nga vendi i 67-të në të 64-in.
Nga ana tjetër, Spanja ka humbur pikë të vlefshme në renditje, duke zbritur një vend dhe duke u pozicionuar pas Francës në klasifikimin botëror.
Lëvizjet në renditje kanë prekur edhe Shqipërinë. Kuqezinjtë ishin në vendin e 66-të para këtij ndryshimi, por tashmë renditen të 67-tët, duke humbur një pozicion si pasojë e ngjitjes së Kepit të Gjelbër.
Shqipëria rrezikon të humbasë edhe vende të tjera në renditje nëse ekipet më pak të favorizuara vazhdojnë të surprizojnë në Botëror. Pas kuqezinjve në klasifikim ndodhen kombëtare si Haiti, Kuraçao dhe Zelanda e Re, të cilat mund të përfitojnë nga rezultatet pozitive gjatë turneut.
Lini një Përgjigje