TAGS-AT E JAVËS

Sport16 Qershor 2026, 22:10

Gana nis nesër aventurën në Kupën e Botës, Kanadaja i refuzon vizën yllit afrikan; 8 akuza për përdhunim

Shkruar nga Pamfleti
Gana nis nesër aventurën në Kupën e Botës, Kanadaja i
sulmuesi i Ganës, Tomas Parti

Gana do të nisë nesër rrugëtimin e saj në Kupën e Botës me sfidën ndaj Panamasë në Toronto, por pa një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, Tomas Parti. Mesfushori ganez nuk ka udhëtuar me ekipin drejt Kanadasë dhe ka mbetur në kampin stërvitor të kombëtares në Rhode Island, në Shtetet e Bashkuara.

Sipas raportimeve, mungesa e Partit nuk lidhet me probleme fizike. Futbollisti ndodhet në gjendje të mirë dhe konsiderohej si një nga titullarët e sigurt për ndeshjen e parë të Ganës. Arsyeja e mungesës së tij është refuzimi i vizës së hyrjes nga autoritetet kanadeze.

Vendimi vjen në një kohë kur Parti po përballet me një proces gjyqësor në Londër. Ai akuzohet për shtatë raste përdhunimi dhe një rast sulmi seksual, akuza të ngritura nga katër gra të ndryshme. Futbollisti i ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.

Megjithëse është lejuar të hyjë dhe të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara si pjesë e delegacionit të Kupës së Botës, autoritetet kanadeze kanë vendosur të mos i japin leje hyrjeje në territorin e tyre për ndeshjen e zhvilluar në Toronto.

Hetimet ndaj Partit kanë nisur pas denoncimeve të para të paraqitura në korrik 2025, të lidhura me ngjarje që pretendohet të kenë ndodhur gjatë viteve 2021 dhe 2022. Më pas, në shkurt 2026, janë shtuar edhe dy denoncime të tjera për episode të supozuara të vitit 2020. Të gjitha çështjet janë bashkuar në një procedurë të vetme gjyqësore, çka ka sjellë shtyrjen e procesit për në vitin 2027.

Pavarësisht situatës ligjore, Parti ka vazhduar aktivitetin e tij sportiv, duke luajtur në La Liga dhe me kombëtaren e Ganës. Trajneri Karlos Keiroz e kishte përfshirë në listën e lojtarëve për Kupën e Botës, por refuzimi i vizës nga Kanadaja e pengon të jetë i pranishëm në ndeshjen hapëse.

Megjithatë, mesfushori mund të rikthehet në dispozicion të skuadrës për ndeshjet e tjera të fazës së grupeve ndaj Kroacisë dhe Anglisë, të cilat janë planifikuar të zhvillohen në territorin e Shteteve të Bashkuara.

tomas parti sulmuesi i ganës kupa e botës

Lini një Përgjigje