TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES 2 Korrik 2026, 20:24

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh për largimin e Ramës

Shkruar nga Pamfleti
15 ORE ME PARE

Aktivistja: Rama miratoi pagesën për kujdestarët, vetëm pasi babai i fëmijës me aftësi të kufizuara u dhunua barbarisht!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh
Aktivistja

Një nga protestueset ka denoncuar  dhunën e paprecedentë të policisë ndaj babait të një fëmije me aftësi të kufizuara para Parlamentit.

Ajo tha se ai protestoi sepse i duhet të shkojë në Francë për të kuruar të birin dhe se nuk merrte pagesën e kujdestarisë deri sot, kur qeveria miratoi këtë pagesë.

“Nëse një baba ka indinjatë se nuk ka ushqim për fëmijën e tij, nëse ka indinjatë se duhet ta kurojë fëmijën në Francë, si mund të mos e kuptojmë?

Policia e ka goditur deri në humbje të vetëdijes. Kryeministri vetën sot që Alti u dhunua miratoi pagesën për kujdestarët e njerëzve me aftësi të kufizuara. Turp kryeministër, bashkë me deputetët që rrini aty”, tha ajo.

 

16 ORE ME PARE

Pas 33 ditësh protesta, reagon Ambasada Amerikane; paralajmërim sigurie për qytetarët e SHBA në Shqipëri

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh
Ambasda e SHBA

Ambasada mesazh sigurie qytetarëve të saj...

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar për herë të parë që nga nisja e protestave qytetare, të cilat kanë vijuar për më shumë se një muaj në kryeqytet.

Në një "Security Alert" të publikuar në faqen zyrtare, Ambasada Amerikane u bën thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Shqipëri të tregojnë kujdes, duke paralajmëruar se protestat në Tiranë vijojnë dhe mund të shtrihen edhe në qytete të tjera.

Sipas njoftimit, vëmendja është përqendruar te Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", në segmentin nga Sheshi "Skënderbej" deri te Sheshi "Nënë Tereza", përfshirë zonën përpara Kryeministrisë, ku prej 33 ditësh zhvillohen tubime të përditshme.

Ambasada thekson se, megjithëse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi.

"Demonstratat e mbrëmjes vazhdojnë përpara godinës së Kryeministrisë në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. Protesta të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim dhe potencialisht edhe në qytete të tjera. Edhe pse tubimet shpesh fillojnë paqësisht, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protestat mund të zgjerohen edhe në zona të afërta, përfshirë institucione të tjera shtetërore", thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Po ashtu, qytetarët amerikanë paralajmërohen për masa të shtuara sigurie dhe probleme në qarkullim.

"Mund të ketë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh, devijime trafiku dhe vështirësi në qarkullim gjatë orëve para dhe gjatë protestave. Nëse ndodheni në një zonë proteste, rekomandohet të tregoni kujdes maksimal dhe të ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale", njofton Ambasada Amerikane.

Ky është reagimi i parë publik i Ambasadës së SHBA-së lidhur me protestat që po zhvillohen prej më shumë se një muaji në Tiranë, ndërsa tubimet kanë hyrë tashmë në ditën e 33-të dhe organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksioneve edhe në ditët në vijim.

Njoftimi i Ambasadës së SHBA:

Vendndodhja: Në gjithë vendin; Tiranë, Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ (nga Sheshi ‘Skënderbej’ deri te Sheshi ‘Nënë Tereza’), zona e Kryeministrisë

Koha: Në vijim / aktualisht

Ngjarja:

Demonstratat e mbrëmjes vazhdojnë përpara godinës së Kryeministrisë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Protesta të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim dhe potencialisht edhe në qytete të tjera.

Edhe pse tubimet shpesh fillojnë paqësisht, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protestat mund të zgjerohen edhe në zona të afërta, përfshirë institucione të tjera shtetërore.

Mund të ketë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh, devijime trafiku dhe vështirësi në qarkullim gjatë orëve para dhe gjatë protestave.

Nëse ndodheni në një zonë proteste, rekomandohet të tregoni kujdes maksimal dhe të ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale.

 

 

16 ORE ME PARE

“Faleminderit për 5 mijë lekë bonus", pensionisti tallet me Ramën: Do t’i përdor të vi nga Elbasani 5 herë në protestë!

 

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh
Pensionisti ironi me Ramën

 

Një pensionist ka ironizuar bonusin e pensionistëve që u paralajmërua pak ditë më parë nga qeveria.
Ai tha se bonusin e marrë do ta përdorë për të udhëtuar nga Elbasani drejt Tiranës për të marrë pjesë në protesta, ndërsa u bëri apel edhe pensionistëve të tjerë të mbështesin të rinjtë.

“Mesazhin e parë do t’ia jap banditit të Surrelit. Na kanë dhënë 50 mijë lekë bonus. Mos u mërzit, sepse me ato para do të vij pesë herë në protestë.
U bëj thirrje pensionistëve të vijnë në protestë dhe të mbështesin rininë e mrekullueshme. Ndryshe, ato 50 mijë lekë të qelbura le t’ua japin lëpirësve”, u shpreh pensionisti gjatë protestës.

 

16 ORE ME PARE

Dhuna para Kuvendit, aktivisti: Bisha komuniste donte gjak

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh

Në ditën e 33-të të protestës, qytetarët kanë vijuar me fjalimet e tyre para godinës së Kryeministrisë. Një nga aktivistët e kësaj proteste, Ilir Xhemalaj gjatë fjalimit të tij foli për protestën e mbajtur para Kuvendit.

Ai deklaroi se qindra protestues u rrahën, teksa theksoi se qeveria kërkonte gjak nga kjo protestë. Ai theksoi se protesta është paqësore dhe se ndryshe prej tyre, nuk kërkojnë gjak shqiptari.

“Qindra u rrahëm. Bisha komuniste donte gjak. Jemi ndryshe nga këta. Nuk duam gjak shqiptari. Jemi paqësor, kjo është arma jonë. Paqja. Do luftojmë paqësisht derisa ky regjim të zhduket. Poshtë diktatura”, tha ai.

16 ORE ME PARE

Aktivisti: Ata që janë sot në qeli do të zëvendësohen me ministrat e Ramës!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh
Edison Lika

Aktivisti Edison Lika deklaroi gjatë protestës së 33-të se personat e ndaluar pas tensioneve të regjistruara më herët para Parlamentit do të zëvendësohen në të ardhmen nga ministrat e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

"Ata që janë sot në qeli do të zëvendësohen me ministrat e qeverisë Rama", u shpreh Lika gjatë fjalës së tij para protestuesve.

Deklarata u bë në kuadër të protestës së organizuar për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit vijuan me thirrje për lirimin e personave të ndaluar gjatë incidenteve të paradites.

Protestuesit thërritën "Lironi çunat!". Gjatë marshimit u ripërsëritën aedhe slogane kundër kryeministrit Edi Rama.

 

16 ORE ME PARE

Tensionet te Kuvendi, protestuesit me deklaratë: Rama po tenton të bëjë pis organizimin qytetar, nuk na përçan dot

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh
Protestuesit me deklaratë

Grupi organizator akuzon policinë për përdorim force dhe garanton se tubimet do të vijojnë çdo ditë deri në largimin e kryeministrit

Pas tensioneve të forta të paradites para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, organizatorët e protestës kanë dalë me një deklaratë zyrtare nga podiumi para Kryeministrisë, ku po zhvillohet dita e 33-të e tubimit qytetar.

Grupi Koordinues tha se protesta para Parlamentit ishte njoftuar më herët dhe kishte si qëllim t'u përcillte deputetëve mesazhin se, sipas tyre, nuk përfaqësojnë më qytetarët.

"Siç kemi njoftuar edhe publikisht ditët e mëparshme, sot, meqë kishte seancë plenare, kemi vendosur që të jemi përpara Parlamentit për t'u thënë deputetëve se nuk janë përfaqësuesit tanë dhe se çdo seancë parlamentare duhet të pezullohet deri në një moment të dytë, për shkak se populli është në rrugë. Në protestën e ditës së sotme kishim lajmëruar qytetarët që të pajiseshin me vezë dhe miell, me qëllim bërjen pis të deputetëve që nuk përfaqësojnë votuesit, por krimin e organizuar, oligarkinë dhe kryetarët e partive", deklaruan ata.

Sipas tyre, incidentet nisën që në momentin kur pranë Parlamentit mbërriti ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

"Një grup prej nesh ishte mbledhur më herët pranë Parlamentit dhe po priste nisjen e protestës. Në atë moment u shfaq ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, së bashku me truprojat e tij. Protestuesit reaguan dhe më pas u dhunuan nga policia private e Ulsi Manjës, ku njëri prej protestuesve dyshohet se ka pësuar thyerje të hundës", shprehen organizatorët.

Ata akuzuan më tej Policinë e Shtetit se ndërhyri me forcë ndaj qytetarëve, duke përdorur mjete të ndryshme për shpërndarjen e protestës.

"Që në atë moment dukej sikur policia ishte bërë gati për dhunë dhe arrestime ndaj qytetarëve. Më pas, pas arrestimit të djemve, protesta vijoi normalisht. Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, me shkopinj gome, gaz lotsjellës, spray me piper e mjete të tjera, duke shpërndarë qytetarët dhe duke arrestuar shumë prej tyre", deklaruan organizatorët.

Në deklaratën e tyre, protestuesit akuzuan kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të ndryshojë natyrën e protestës, e cila sipas tyre ka qenë paqësore që prej nisjes.

"Dita e sotme na tregoi se kryeministrit Rama dhe shtetit të tij kriminal i është sosur durimi. Ai po tenton me çdo kusht që këtë protestë, e cila ka qenë një protestë shembull për qytetarinë, etikën, kreativitetin dhe nivelin e lartë të demokracisë, ta bëjë pis", vijohet më tej. 

Deklarata e plotë

Në emër të grupit koordinues të protestës, jemi të detyruar që sot, në ditën e 33-të, të mbajmë këtë komunikatë sqaruese, si për ata që janë në protestë, ashtu edhe për ata që po na ndjekin nga e gjithë Shqipëria ose diaspora.

Siç kemi njoftuar edhe publikisht ditën e djeshme, sot, meqë kishte seancë plenare, kemi vendosur që të jemi përpara Parlamentit për t’u thënë deputetëve se nuk janë përfaqësuesit tanë dhe se çdo seancë parlamentare duhet të pezullohet deri në një moment të dytë, për shkak se populli është në rrugë.

Në protestën e ditës së sotme, kishim lajmëruar qytetarët që të pajiseshin me vezë dhe miell, me qëllim bërjen pis të deputetëve që nuk përfaqësojnë votuesit, por krimin e organizuar, oligarkinë dhe kryetarin e partisë.

Kështu, një grup prej nesh, i cili ishte mbledhur më herët pranë Parlamentit, ishte ulur në një kafene, ku po priste orën 10:00 për fillimin e protestës. Në atë moment, pa pritur, është shfaqur ish-ministri i Drejtësisë, i akuzuar për blerje votash në Dibër, konkretisht në dosjen 184, Ulsi Manja, së bashku me badigardët e tij. Në atë moment, protestuesit kanë reaguar dhe më pas janë dhunuar nga policia private e Ulsi Manjës, ku njërit prej protestuesve dyshohet se i është thyer edhe hunda. Që në këtë moment dukej sikur sot policia kriminale ishte bërë gati për dhunë dhe arrestime ndaj qytetarëve.

Më pas, pas arrestimit të djemve, protesta vijoi normalisht, sigurisht me qytetarë të revoltuar për shkak të padrejtësisë që kishte ndodhur. Kjo vijoi derisa, në një moment, qytetarët, të cilët ishin ulur pranë Parlamentit, filluan të dhunoheshin nga Policia në mënyrë të menjëhershme dhe joproporcionale. Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, me shkopinj gome, gaz lotsjellës, pepper spray e me radhë, duke shpërndarë qytetarët dhe duke arrestuar shumë prej tyre.

Dita e sotme na tregoi se kryeministrit Rama dhe shtetit të tij kriminal i është sosur durimi. Ai po tenton me çdo kusht që këtë protestë, e cila ka qenë një protestë shembull për sa i përket qytetarisë, etikës, kreativitetit dhe nivelit të lartë të demokracisë, ta bëjë pis. Pikërisht në këtë moment, ne do t’i themi se kjo protestë është gjëja më e bukur që i ka ndodhur këtij vendi dhe ne do të jemi këtu derisa ti të largohesh në mënyrë paqësore dhe qytetare.

Nëse argumenti juaj është dhuna, argumenti ynë është rezistenca dhe qëndresa. Ne nuk dorëzohemi, ne nuk bëhemi si ju!

Prej sot e tutje ne do të vazhdojmë protestën në mënyrë paqësore, në bulevard deri sa shqiptarët të fitojnë!

16 ORE ME PARE

"Lironi çunat!", protestuesit kërkojnë lirimin e të ndaluarve gjatë përplasjes para Kuvendit!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh
Protesta

Protestuesit që marshuan drejt Kryeministrisë gjatë protestës së 33-të e shoqëruan tubimin me thirrjen "Lironi çunat!", duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar pas tensioneve të regjistruara më herët para Parlamentit.

"Lironi çunat!" ishte thirrja që dominoi marshimin e protestuesve gjatë protestës së 33-të, teksa qindra qytetarë u drejtuan nga sheshi "Skënderbej" drejt godinës së Kryeministrisë.

Pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara më herët gjatë protestës para Parlamentit, pjesëmarrësit kërkuan lirimin e personave të ndaluar, duke brohoritur në mënyrë të vazhdueshme: "Lironi çunat!".

Gjatë marshimit u dëgjuan edhe thirrje të tjera drejtuar kryeministrit Edi Rama, mes tyre: "Edi Rama, o tradhtar, liro çunat sa më parë!", ndërsa protesta vijoi nën masa të shtuara sigurie.

Protestuesit e lidhën kërkesën e tyre me ndalimet e kryera pas incidenteve të paradites, duke shprehur solidaritet me personat e shoqëruar dhe të arrestuar gjatë përplasjeve me Policinë e Shtetit.

Marshimi drejt Kryeministrisë u zhvillua në vijim të protestës së organizuar për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë.

16 ORE ME PARE

“Qytetarët u provokuan!”, aktivisti Arben Kola: Kini durim, Ramën do ta rrëzojmë me revolucion paqësor!

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh
Arben Kola

Aktivisti Arben Kola ka reaguar për tensionet gjatë protestës së sotme para Parlamentit. Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Kola u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë qetësinë, ndërsa theksoi se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore.

Më tej, aktivisti tha se prania e grave, fëmijëve dhe qytetarëve në protestë është, sipas tij, elementi që “e vret këtë sistem dhe politikë të kalbur”, ndërsa përmendi edhe protestuesin Altin Hila, për të cilin u shpreh se ishte nxjerrë zvarrë gjatë protestës.

“Policia që merr urdhër nga Ulsi Manja, Taulant Balla e të tjerë, kjo polici tregon se tani ndodhet para një dileme: t’i shërbejë mafies apo popullit. Policia është e popullit dhe jo e mafies, prandaj duhet të jeni të vëmendshëm dhe të mos bini pre e provokimeve.

Duhet të ruani qetësinë. Ne do ta rrëzojmë me një revolucion paqësor sezbën Edi Ramën. Prandaj kini durim, se ajo çfarë e vret këtë sistem dhe politikë të kalbur është prania e fëmijëve dhe grave, njerëzve si Flamuri dhe atij zotërisë që u nxor zvarrë sot, Altin Hila, që vjen çdo ditë nga Durrësi me një fëmijë të sëmurë.

Një duartrokitje për të gjithë protestuesit që janë arrestuar sot. Janë provokuar nga bandat mafioze brenda Policisë së Shtetit”, tha ai.

16 ORE ME PARE

Ditë protestash/ Nga tubimi para Kuvendit te ai para Kryeministrisë, qytetarët zbresin sërish në rrugë

Minutë pas minute/ Qytetarët nuk stepen, 33 ditë në shesh

Tubimi ka zgjatur gjithë ditën e sotme pasi disa prej tyre janë mbledhur që në mëngjes për të protestuar para Kuvendit...

Ka nisur zyrtarisht dita e 33-të e protestës qytetare. Pas grumbullimit në Sheshin Skënderbej, qindra qytetarë kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet tubimi i radhës kundër qeverisë.

Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta kundër pushtetit, protestuesit kanë mbushur rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet që tashmë janë bërë simbol i kësaj lëvizjeje: "Rama ik!", "Rama jep dorëheqjen!", "Rama në burg, Berisha në burg!", "Shqipëri e re!" dhe "Ju erdhi fundi!".

Vlen të theksohet se tubimi ka zgjatur gjtihë ditën e sotme pasi disa prej tyre janë mbledhur që në mëngjes për të protestuar para Kuvendit.

Kujtojmë se gjatë tubimit para Kuvendit pati tensione dhe përplasje mes policëve dhe protestuesve, gjë që solli më pas shoqërimin e disa prej këtyre të fundit në komisariat.

Policia përdori molotov dhe ujë për të shpërndarë turmën para Kuvendit e cila më pas u zhvendos para Komisariatit të policisë ku mbaheshin protestuesit e arrestuar.

Para nisjes së protestës para kryeministrisë, organizatorët kërkuan që qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të mos provokojnë përshkallëzim. Megjithatë mbetet për t'u parë se si do të zhvillohen gjërat. 

 

Lini një Përgjigje