Një prej protestuesve që mori fjalën në tubimin para Kryeministrisë ka kërkuar përshkallëzimin e aksionit qytetar, duke deklaruar se protestat nuk mjaftojnë më dhe se ka ardhur koha për kalimin në mosbindje civile.
Duke folur para qytetarëve të mbledhur në ditën e 19-të të protestës kundër qeverisë, ai u shpreh se kryeministri Edi Rama ka pasur mjaftueshëm kohë për të ndryshuar vendin, por sipas tij nuk ka treguar vullnet për ta bërë një gjë të tillë.
“Ka ardhur momenti që t’i japim fund kësaj revolte, të veprojmë me një strategji tjetër. Rama i pati mundësitë në këto 14 vite dhe po të kishte vullnetin e mirë, do ta ndryshonte Shqipërinë. Ai s’do që të ndryshojë Shqipëria”, deklaroi protestuesi.
Sipas tij, lëvizja duhet të hyjë në një fazë të re, pasi largimi i qeverisë nuk mund të arrihet vetëm përmes fjalimeve dhe protestave të zakonshme.
“Të ndryshojmë strategji. Edi Rama nuk largohet me fjalë. Duhet të bllokojmë institucionet. Duhet të kalojmë në mosbindje civile!”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, protestuesi falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen e vazhdueshme në protestë dhe bëri thirrje për rritjen e presionit ndaj institucioneve.
“Ju falënderoj për këtë sakrificë. Duhet të paralizojmë shtetin”, deklaroi ai nga podiumi i protestës.
Thirrja e tij u prit me duartrokitje nga një pjesë e protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, ku vijojnë protestat që kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe ndryshime politike në vend.
Mes fjalimeve të mbajtura në protestën e ditës së 19-të para Kryeministrisë, një prej protestuesve ka përcjellë një mesazh të fortë kundër klasës politike, duke bërë thirrje për shkëputje nga ajo që e cilësoi si politika e individëve dhe militantizmi partiak.
Duke folur para qindra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ai u bëri thirrje shqiptarëve të mos mbeten peng të figurave politike dhe të ngrejnë zërin kundër sistemit aktual.
“Mos u bëni peng që të keni idhuj Berishizmin dhe Ramizmin. Mos u bëni më pengje të individit. Boll është boll, të gjithë të jemi në shesh që të ngremë zërin”, deklaroi ai.
Protestuesi akuzoi klasën politike për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve publike, duke pretenduar se qytetarët kanë përfituar pak nga ndihmat dhe fondet që kanë ardhur nga Bashkimi Europian.
“Kemi pasur vetëm vjedhje. Ky sistem mafioz na ka mashtuar. Na i kanë marrë dhe ato ndihma të BE-së që i kanë dhënë për rimëkëmbje”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi sulmoi edhe atë që e cilësoi si kulturë militantizmi politik, duke kërkuar reagim qytetar ndaj klasës politike.
“Si mund të shpresojmë nga militantët dhe patronazhistët? Mos i lejoni këta kriminelë më me petkun e pushtetit”, deklaroi ai.
Fjalimi u prit me duartrokitje nga një pjesë e protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, ku vijojnë thirrjet për largimin e Edi Ramës dhe ndryshime në skenën politike shqiptare.
Edhe sot, në ditën e 19-të, mijëra qytetarë u mblodhën në protestën kundër qeverisë Rama. Në podiumin e improvizuar mori fjalën edhe ish-polici Krenar Ahmeti, i cili u shpreh se shumica dërrmuese e shqiptarëve mbështesin protestën. Ai tha se, sipas anketave të realizuara me parametra shkencorë, 90% e popullit shqiptar është në mbështetje të protestuesve, ndërsa 61% kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë qëndresën dhe të mos heqin dorë nga protesta, duke theksuar se fitorja do t’u përkasë qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.
“Me parametra shkencorë është gjetur në anketa 90% e popullit shqiptar është me ju. 61% e popullit me parametra shkencorë thotë Rama ik. Burra janë parametra shkencorë nuk janë llafe pazari. Prandaj është frikësu ky zotëria këtu se i lexon mirë. Burra mos e lëshoni zërin. Fitorja është e juaja, e ardhmja do jetë e fëmijëve tanë. Ju lutem qëndroni për fëmijët tanë. Zoti e bekoftë këtë dhe të këndshëm.”-tha ish-polici Krenar Ahmeti.
Mjeku Ilir Allkja ka marrë fjalën mbrëmjen e sotme në protestën para Kryeministrisë, ku ka ngritur shqetësimin për gjendjen e sistemit shëndetësor dhe kostot që, sipas tij, rëndojnë mbi qytetarët shqiptarë.
Duke folur para protestuesve, Allkja deklaroi se shqiptarët vazhdojnë të paguajnë nga xhepi pjesën më të madhe të shpenzimeve shëndetësore, pavarësisht premtimeve të qeverisë për shëndetësi falas.
“Ne kemi si shprehje: të kemi shëndetin. Por sa para shkojnë për shëndetin e njerëzve? Shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre 60% të të ardhurave të shpenzimeve për shëndetësi. Shqiptarët paguajnë më shumë se të tjerët në rajon”, u shpreh ai.
Mjeku akuzoi qeverinë se nuk ka mbajtur premtimin për shëndetësi falas, duke e cilësuar situatën aktuale një dështim që po rëndon mbi qytetarët, veçanërisht shtresat më të varfra.
“Rama duhet të japë dorëheqje. Premtimi për shëndetësi falas u kthye në makth për shqiptarët”, deklaroi Allkja mes duartrokitjeve të protestuesve.
Ai theksoi se barra financiare për trajtimin shëndetësor vazhdon të rëndojë mbi familjet shqiptare, duke argumentuar se qytetarët paguajnë më shumë se vendet e tjera të rajonit.
“Sot shqiptarët e varfër paguajnë më shumë se popujt e rajonit dhe botës direkt nga xhepi për shëndetin. Ndaj kjo është një nga kauzat për të cilat Rama duhet të kishte ikur me kohë”, tha Allkja.
Deklaratat e tij u bënë gjatë protestës së ditës së 19-të kundër qeverisë, ku qytetarët vijuan thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit.

Nga protesta e ditës së 19-të, qytetari renditi problemet që sipas tij po boshatisin vendin dhe akuzoi qeverinë se po paraqet një realitet të rremë.
Protesta kundër qeverisë ka vijuar edhe këtë mbrëmje para Kryeministrisë, ku nuk kanë munguar fjalimet e qytetarëve që kanë marrë fjalën nga podiumi i vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një prej protestuesve ka renditur një sërë problemesh sociale dhe ekonomike që, sipas tij, po rëndojnë mbi shqiptarët, ndërsa i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të largohet.
“Duhet të heqim të gjithë gardhet. Të flasim për të rinjtë, që nuk blejnë dot shtëpi, që nuk bëjnë dot fëmijë. Për nënat dhe baballarët që nuk blejnë dot ilaçet, që presin nga fëmijët dhe nipërit”, deklaroi ai para protestuesve.
Duke vijuar fjalën e tij, qytetari u ndal te fenomeni i braktisjes së zonave rurale dhe emigracioni, duke ngritur shqetësimin për boshatisjen e vendit.
“Të flasim për Shqipërinë, ku çdo gjë po mbyllet, s’ka më fshatra. Po zëvendësohemi nga Azia apo vende të tjera të botës. Qeveria na thotë se këtu është fushë me lule. Që turizmi është mirë, po ku janë këto lekë?”, u shpreh protestuesi.
Në fund të fjalës së tij, ai ngriti pikëpyetje edhe për mungesën e reagimit të institucioneve të tjera ndaj situatës që, sipas tij, po kalon vendi.
“Po presidenti pse hesht?”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve në protestë.
Fjalimi u prit me ovacione nga turma e mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa protesta e ditës së 19-të vijon me thirrje për largimin e Edi Ramës dhe ndryshim të situatës politike në vend.
Pas marshimit te Kuvendi dhe ndalesës para selisë së PD-së, protesta e ditës së 19-të vijon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta i është kthyer sërish normalitetit. Pas aksioneve të sotme para Kuvendit dhe marshimit drejt selisë së Partisë Demokratike, qindra qytetarë janë rikthyer para Kryeministrisë, aty ku prej 19 ditësh zhvillohet tubimi i përditshëm kundër qeverisë.
Të mbledhur përballë godinës së qeverisë, protestuesit kanë vijuar me të njëjtat thirrje që kanë shoqëruar protestën gjatë ditëve të fundit. “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Dorëzoni mandatet” kanë qenë disa nga sloganet më të dëgjuara në tubimin e mbrëmjes.
Fillimisht ata bllokuan hyrjet e Kuvendit në kohën kur po zhvillohej seanca plenare, duke detyruar deputetët të largoheshin nga daljet alternative. Më pas marshuan drejt selisë së Partisë Demokratike, ku me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Opozitë e shitur” dërguan një mesazh të qartë se kundërshtimi i tyre nuk kufizohet vetëm te qeveria.
Pavarësisht itinerarit të zgjeruar të ditës së sotme, protesta ka përfunduar aty ku nisi edhe 19 ditë më parë, para Kryeministrisë. Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklarojnë se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesa kryesore mbetet largimi i Edi Ramës.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike, me protestuesit që premtojnë se nuk do të tërhiqen nga rruga e protestës.
Kola tha se lëvizja e protestuesve drejt Parlamentit ishte një test për të treguar forcën e qytetarëve dhe paralajmëroi se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Aktivisti Arben Kola ka komentuar lëvizjen e protestuesve drejt Parlamentit gjatë ditës së 19-të të protestave, duke e cilësuar atë si një paralajmërim për qeverinë dhe politikanët.
Në fjalën e tij para protestuesve, Kola tha se veprimi i ndërmarrë kishte për qëllim të tregonte forcën e qytetarëve dhe rolin e tyre si sovran.
“Besoj e kuptuat se si hajdutët ikin, se si sovrani mund t’i marrë krejt kollaj dhe t’i hedh në kosh, ne jemi sovrani.
Kjo e sotmja ishte vetëm një paralajmërim dhe një test i vogël që ta kuptojnë këta horrat, se ne jemi çdo ditë të zgjuar dhe vigjilentë, dhe do presim momentin ashtu siç kanë bërë në Nepal dhe në Ukrainë, që i kanë hedhur në kosh dhe të rrimë rehat”, u shpreh Kola para protestuesve.
Deklarata u bë gjatë protestës së zhvilluar pranë Kuvendit, ku pjesëmarrësit ndërmorën një lëvizje simbolike duke rrethuar godinën e Parlamentit. Sipas organizatorëve, aksioni synonte të dërgonte një mesazh kundër qeverisë dhe institucioneve që, sipas tyre, nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

Qindra protestues janë zhvendosur para selisë së Partisë Demokratike, ku kanë nisur me thirrjet e tyre “Rama në burg, Berisha në burg”...
Protestuesit janë të vendosur në luftën e tyre kundër kastës së vjetër politike. Qëllimi i tyre është i qartë; largimi i binomit Rama-Berisha. Pas mbledhjes para Kuvendit ku ndodhej kryeministri Rama së bashku me deputetë e tij, protestuesit vendosën t’i dërgojnë një masazh edhe opozitës.
Qindra protestues janë zhvendosur para selisë së Partisë Demokratike, ku kanë nisur me thirrjet e tyre “Rama në burg, Berisha në burg”. Këto thirrje kanë shkaktuar reagimin e disa prej mbështetësve të PD-së të cilët ndodheshin në oborrin e Selisë së Partisë Demokratike.
Disa prej tyre kanë dalë në rrugë duke ofenduar dhe provokuar protestuesit, të cilët në kor thërrisnin “opozitë e shitur”. Pas ndërhyrjes së disa prej protestuesve situata është qetësuar.

Protestuesit duket se kanë synuar që të dërgojnë një mesazh të qartë se janë kundër të dyja palëve politike, gjithashtu duke hedhur poshtë edhe një lloj afrimiteti që PD-ja tentoi të tregonte me protestën pasi pa masivitetin dhe efektin që pati.
Pas selisë së PD-së protestuesit kanë nisur marshimin e tyre në drejtim të Kryeministrisë, ku dhe kanë nisur programin e tyre të përditshëm me fjalime./Pamfleti

Protestuesit bllokojnë hyrjen e Kuvendit...
Protestuesit kanë kapur në befasi deputetët. Në ditën e 19-të të protestës kundër qeverisë, qytetarët e zhvendosën aksionin e tyre para Kuvendit.
Teksa seanca plenare ku u miratua amnistia penale dhe ndryshimet në Kodin Rugor ishte drejt fundit, protestuesit vendosën të ndryshojë itinerarin duke bërë që deputetët të mos lejohet të dalin nga dalja kryesore. Për këtë arsye ata u larguan nga daljet alternative nga pas Kuvendit.
Protestuesit hodhën akuza të forta ndaj qeverisë dhe klasës politike, ndërsa përsëritën kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama. Thirrjet kundër qeverisë shoqëruan gjithë marshimin, duke e kthyer zonën përreth Parlamentit në qendrën e protestës së radhës. “Dorëzoni mandatet” dhe “Parlamenti i mafies” ishin thirrjet e tyre.
Po ashtu protestues të shumtë rrethuan deputetin e PS-së në zonën e Vlorës, Ardit Bido duke i bërë thirrje: O hajdut!
Më pas ata u larguan, duke marshuar drejt godinës së PD, për të vijur më pas drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me thirrjet "Rama në burg, Berisha në burg".
Lëvizja qytetare, e cila nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, prej ditësh ka marrë një drejtim krejtësisht politik. Tashmë fokusi i protestuesve është larguar nga kauza fillestare, duke u përqendruar te kërkesa për largimin e qeverisë dhe ndryshimin e situatës politike në vend.
Policia si duket e kishte menduar një lëvizje të tillë, pasi para Kuvendit ishin vendosur kordonë metalikë dhe forca policore. Mirëpo nuk pati tensione dhe përplaje, por vetëm mesazh të qartë ndaj kastës politike.

Protesta edhe sot është shoqëruar me pankarta dhe meme...
Ka nisur protesta e 19-të kundër kryeministrit Edi Rama dhe kastës së vjetër të politikës. Protestuesit janë mbledhur në qendër të Tiranës dhe kanë nisur marshimin drejt godinës së Parlamentit, një ndryshim itinerari nga herët e tjera.
Ky ndryshim nga ana e organizatorëve duket se ka ardhur pasi në Kuvend nodhen deputetët e mazhorancës të cilët votuan Amnisitnë Penale dhe Kodin Rrugor. Seanca plenare vazhdon ende ndërsa protestuesit janë mbledhur jashtë godinës së Kuvendit.
Grumbullimi ditën e sotme nisi në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej”, pas ndryshimit të orarit nga organizatorët dy ditë më parë për shkak të vapës. Gjatë marshimit, protestuesit janë dëgjuar të thërrasin në kor; “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet”, si dhe slogane të tjera kundër klasës politike.
Si çdo ditë tjetër, protesta edhe sot është shoqëruar me pankarta dhe meme, lidhur me dorëheqjen e kryeministrit dhe problemeve në vend.
Pas tubimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit pritet të marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës deri rreth orës 23:00.
Vlen të theksohet se në ditët e tjera, manifestime të ngjashme janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Vlorën, Durrësin, Shkodrën, Elbasanin dhe Pogradecin. Po ashtu tubime mbështetëse janë mbajtur edhe nga komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Lini një Përgjigje