Një 23-vjeçar shqiptar ka arritur të arratiset në orët e para të mëngjesit nga burgu i Brindisit në Itali, duke shfrytëzuar mungesën e mbikëqyrjes në institucionin penitenciar. Megjithatë, liria e tij zgjati vetëm pak orë, pasi u lokalizua dhe u arrestua sërish nga forcat e rendit.
Sipas mediave italiane, i riu arriti të shmangë kontrollin e gardianëve, të kapërcejë gardhin dhe murin rrethues të institucionit penitenciar, duke humbur gjurmët menjëherë pas arratisjes.
Pas alarmit të dhënë nga autoritetet, policia, karabinierët dhe efektivët e policisë së burgjeve nisën një operacion të gjerë kërkimi në zonën e Brindisit. Hetuesit u përqendruan në Latiano dhe Mesagne, dy zona të lidhura me të kaluarën e të arratisurit.
Pikërisht kthimi në vendet ku kishte jetuar para arrestimit rezultoi fatal për 23-vjeçarin. Ai u gjet në Latiano, pranë banesës së të dashurës së tij dhe u vu sërish në pranga.
Sipas sindikatës së policisë penitenciare SAPPE, arratisja u favorizua nga mungesa e personelit në burg. Sindikata pretendon se një numër i kufizuar efektivësh ishte detyruar të mbulonte disa sektorë njëkohësisht, duke krijuar boshllëqe në mbikëqyrje.
23-vjeçari po vuante një dënim për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen dhe rezistencë ndaj arrestimit. Ndërkohë, sindikata ka paralajmëruar se do të depozitojë një kallëzim lidhur me mungesën e stafit në institucionin penitenciar të Brindisit.
Lini një Përgjigje