
Bekim Balaj është fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2025, duke u shpallur kështu futbollisti më i mirë i vitit në Shqipëri.
Në ceremoninë që po mbahet sonte në ‘Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit’, sulmuesi shkodran triumfoi përballë ‘rivalëve’ si Baton Zabërgja (ish-sulmues i Dinamo City), Mario Dajsinani (portier i Egnatias) dhe Dejvi Bregu (mesfushor i Dinamo City-t).
Ky është “Topi i Artë” i dytë në karrierën e sulmuesit të Vllaznisë. Presidenti Armand Duka i dorëzoi djaloshit shkodran trofeun më të rëndësishëm të mbrëmjes, duke e uruar për sezonin fantastik në radhët e Vllaznisë.

Megi Doçi, sulmuesja e Kombëtares shqiptare dhe e Vllaznisë, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Topi i Artë” për vajza 2025.
Ky është trofeu i tretë i këtij lloji në karrierën e saj, duke e bërë atë një nga futbollistet më të spikatura në historinë e futbollit të vajzave në vendin tonë.
Në garë për këtë çmim të rëndësishëm ishin edhe futbollistet Xhesika Ndoj (Gramshi), Arbiona Bajraktari (Vllaznia) dhe Xhulia Xhindole (Apolonia).
Trofeu iu dorëzua Megi Doçit nga anëtarja e KE-së, Anila Basha.
Pas marrjes së çmimit, mes emocionesh, Megi Doçi u shpreh shumë e lumtur për rikthimin te fitimi i “Topit të Artë” për vajza, duke ia dedikuar këtë arritje familjes së saj dhe klubit të Vllaznisë.

Kombëtarja shqiptare siguroi për herë të parë në historinë e saj kualifikimin në fazën play-off të një Kampionati Botëror. Një ëndërr e kthyer tashmë në realitet, jo vetëm për futbollistët e Kombëtares, por për të gjithë tifozët shqiptarë që e kanë ëndërruar këtë moment prej vitesh.
Një nga trofetë më të rëndësishëm të akorduar mbrëmjen e sotme në Galanë “Topi i Artë 2025” ishte nderimi i lojtarëve të Kombëtares për arritjen e këtij objektivi madhor dhe historik.
“Ëndërr Botërori” ishte trofeu që iu akordua sonte 12 lojtarëve të pranishëm në këtë event: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Klisman Çeka, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Juljan Shehu dhe Nazmi Gripshi.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi secilit prej lojtarëve nga një trofe, në shenjë falënderimi për këtë arritje historike.

Për të dytin vit radhazi, në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë”, ku një hapësirë e veçantë i kushtohet Kombëtares shqiptare, kapiteni Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”.
Çmimin e veçantë ia dorëzoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Berat Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt një tjetër arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës, ku Shqipëria, për herë të parë në histori, në mars të vitit 2026 do të tentojë të sigurojë një vend në Botëror.
Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë përmes votave të vetë futbollistëve të Kombëtares shqiptare.

Kualifikimi për herë të parë në fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026 ishte kurorëzimi i një viti historik për futbollin shqiptar. Kombëtarja ia doli të siguronte vendin e dytë në grupin K, ku ishte shortuar me Anglinë, Serbinë, Letoninë e Andorrën.
Ashtu sikurse edhe në vitin e kaluar të mbrëmjes gala, edhe këtë vit u nderua me trofeun “Zemra Kuq e Zi” një nga lojtarët e Kombëtares. Ky çmim është votuar nga të gjithë anëtarët e klubit “Tifozët e Kombëtares”.
Tifozët patën mundësi të votonin përmes një e-mail-i të dërguar nga FSHF dhe pas numërimit të votave, fitues u shpall mbrojtësi kuqezi, Mario Mitaj.
Ky trofe pasqyron vlerësimin e tifozëve për paraqitjet e tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimin ndaj fanellës kuqezi. Trofeun ia dorëzoi Lorik Cana, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares. Në një fjalë të shkurtër, mbrojtësi u shpreh i lumtur dhe krenar që është vlerësuar nga tifozët me këtë trofe.

Për të dytin vit radhazi, tekniku i Egnatias, Edlir Tetova është shpallur fitues i trofeut “Trajneri i vitit 2025”, pas një tjetër edicioni të shkëlqyer me ekipin rrogozhinas, me të cilin fitoi kampionatin.
Të nominuar për të fituar këtë trofe ishin edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, trajneri i Elbasanit, Ivan Gozdenoviç dhe trajneri i Bylisit, Mirel Josa.
Në Mbrëmjen Gala që po mbahet sonte në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, trajneri i ekipit Kombëtar, Silvinjo i dorëzoi trofeun e rëndësishëm, Edlir Tetovës, i cili u shpreh i lumtur që është vlerësuar me këtë çmim për të dytin vit radhazi.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, me anë të një video-mesazhi vlerësoi progresin e futbollit shqiptar në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”.
Ai përgëzoi Kombëtaren për kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Kupës së Botës FIFA 2026, si dhe organizimin e suksesshëm të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”.
Presidenti Infantino përgëzoi FSHF-në për investimet në infrastrukturë, “Shtëpinë e Futbollit” dhe rritjen e numrit të futbollistëve, duke uruar Presidentin Armand Duka, stafin dhe fituesit e mbrëmjes për kontributin e tyre në futbollin shqiptar.
“Të dashur miq të futbollit, mirëmbrëma! Mirëmbrëma i dashur Armand, mirëmbrëma të gjithëve. Është kënaqësi t’iu drejtohem figurave dhe drejtuesve të futbollit shqiptar me rastin e veçantë të ceremonisë Gala të Topit të Artë. Kjo ceremoni është kthyer shumë shpejt në një ngjarje e rëndësishme të kalendarit të futbollit me ndjesinë e një eventi tradicional dhe prestigjioz. Kjo është dëshmi e kreativitetit dhe përkushtimit, pa harruar rritjen mbresëlënëse të lojës së bukur në vendin tuaj të bukur. Kishte shumë gjëra për t’u duartrokitur gjatë vitit 2025. Pas paraqitjes impresionuese në EURO 2024, ekipi juaj kombëtar i meshkujve u rendit i dyti në grupin sfidues të Kupës së Botës FIFA 2026 dhe me meritë siguroi një vend në play-off.
Vetëm dy fitore larg skenës më të madhe të futbollit! Ndërkohë, organizimi juaj i suksesshëm i Kampionatit Evropian U-17 Shqipëri 2025 tërhoqi vlerësime të larta dhe shumë spektatorë. Ishte edicioni më i ndjekur që nga viti 2008, dhe tërhoqi mbi 10,000 tifozë në finalen e luajtur në “Arenën Kombëtare” spektakolare në Tiranë. Pata privilegjin ta vizitoja stadiumin më 2022, kur po ashtu mora pjesë në përurimin e selisë tuaj “Shtëpia e Futbollit”, e cila u ndërtua në partneritet me FIFA-n. Përkushtimi juaj për bashkëpunim dhe për të përmirësuar infrastrukturën futbolli ka dhënë rezultate të matshme, nga më shumë spektatorë në stadiume te rritja e numrit të futbollistëve. Urime Presidentit Armand Duka, kolegëve dhe stafit që punojnë me përkushtim për të promovuar dhe lartësuar futbollin shqiptar! Dhe sigurisht urime fituesve të mbrëmjes së sotme për arritjet tuaja, dhe për kontributin tuaj në një vit të paharrueshëm për lojën tonë të dashur!”, tha Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Një nga momentet më të veçanta të Mbrëmjes Gala “Topi i Artë 2025” ishte shpallja e Formacionit më të Mirë të Vitit të “Abissnet Superiore”, i përzgjedhur nga gazetarët dhe opinionistët sportivë, sipas skemës 1-4-3-3.
Portieri më i mirë i vitit është Mario Dajsinani, futbollist i Egnatias dhe i Kombëtares shqiptare.
Në repartin e mbrojtjes bëjnë pjesë: Emiljan Musta (AF Elbasani), Arbenit Xhemajli (Egnatia), Naser Aliji (Dinamo City) dhe Abdurrahman Fangaj (Egnatia).
Në mesfushë janë përzgjedhur: Adnard Mehmeti (Partizani), Albano Aleksi (Egnatia) dhe Esat Mala (Vllaznia).
Treshja e sulmit përbëhet nga: Dejvi Bregu (Dinamo City), Bekim Balaj (Vllaznia) dhe Baton Zabërgja (Dinamo City).
Për shpalljen e emrave fitues në skenë ishin ish-futbollistët e njohur shqiptarë, Kreshnik Çipi dhe Mujo Targaj, të cilët dorëzuan trofetë për 11 lojtarët e përzgjedhur.
Në fund, të gjithë futbollistët u ngjitën në skenë për të tërhequr çmimet, ndërsa nuk munguan falënderimet e rastit dhe fotografia tradicionale e ekipit së bashku.

Kreshnik Cjapi është shpallur fitues i çmimit “Arbitri i Vitit 2025” në mbrëmjen gala “Topi i Artë”. Arbitri shqiptar u vlerësua për paraqitjet e tij të sigurta, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë gjithë vitit në ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për këtë trofe ishin të nominuar edhe Emanuela Rusta, Florjan Lata dhe Juxhin Xhaja, të cilët kanë pasur një sezon me performanca të mira në drejtimin e shumë ndeshjeve të rëndësishme.
Trofeu i “Arbitrit të Vitit” iu dorëzua Kreshnik Cjapit nga ish-arbitri i njohur italian, Gianluca Rocchi, gjatë mbrëmjes gala “Topi i Artë 2025”.

Xhesika Ndoj është shpallur për të dytin vit radhazi fituese e çmimit “Talenti i Vitit” në kategorinë e vajzave, gjatë mbrëmjes gala “Topi i Artë 2025”.
Futbollistja e re u vlerësua për paraqitjet e qëndrueshme, progresin e vazhdueshëm dhe potencialin e saj gjatë gjithë sezonit.
Ky çmim vlerëson pasionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e vajzave që sfidojnë paragjykimet dhe ndjekin ëndrrën e tyre për t’u afirmuar në futboll. Në garë për këtë trofe ishin të nominuara edhe Albana Malaj, Ambra Reshiti dhe Klesta Ago.
Trofeu iu dorëzua Xhesika Ndojt nga ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha, i cili e përgëzoi për këtë arritje të rëndësishme.

Fabjan Përndreca është shpallur fitues i çmimit “Talenti i Vitit” për djem në mbrëmjen gala “Topi i Artë 2025”. Mbrojtësi i Bylisit dhe i Kombëtares U-21 u vlerësua për paraqitjet e tij dhe potencialin e shfaqur gjatë sezonit.
Ky çmim vlerëson pasionin, përkushtimin dhe talentin e futbollistëve të rinj që synojnë të arrijnë majat në karrierën e tyre. Në garë për këtë trofe ishin të nominuar edhe Arlind Kurti (Laçi), Ergis Arifi (Teuta) dhe Erald Maksuti (Flamurtari).
Çmimin Fabjan Përndrecës ia dorëzoi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Pas marrjes së çmimit, Fabjan Përndreca falënderoi të gjithë të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim të rëndësishëm.

Fituesi i trofeut “Këpuca e Artë 2025” për djem, për sezonin futbollistik 2024–2025 është Bekim Balaj. Siç dihet, ky trofe nuk kërkon proces votimi, pasi përcaktohet mbi bazën e numrit të golave të shënuar gjatë sezonit. Bekim Balaj ka realizuar 19 gola në këtë edicion, duke u renditur në vendin e parë në listën e golashënuesve. Trofeu iu dorëzua sulmuesit shkodran nga legjenda e futbollit argjentinas, ish-mesfushori Esteban Cambiasso.

Sulmuesja Megi Doçi është shpallur fituese e trofeut “Këpuca e Artë 2025” për vajza për edicionin futbollistik 2024-2025. Ky trofe nuk ka pasur nevojë për votim pasi është përcaktuar në bazë të golave të shënuar përgjatë këtij sezoni. Me 83 gola të realizuar me Vllazninë, Megi Doçi është renditur në krye të listës së golashënueseve në kategorinë e vajzave.
Në mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, që po zhvillohet mbrëmjen e sotme në TKOB, ky trofe iu dorëzua Doçit nga ish-mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela.
Lini një Përgjigje