Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se i mohoi opozitës të drejtën për të folur në seancën plenare, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë.
“Në mënyrë të paprecedentë, kryetari i Kuvendit i mohoi fjalën në bllok deputetëve të opozitës që kishin kërkuar të drejtën e tyre për të folur për procedurë. Kryeministri duhet të paraqitet në seancë plenare për të dhënë llogari mbi kërkesat që qytetarët protestojnë prej 18 ditësh”, deklaroi Bardhi.
Ai pretendoi se drejtimi i seancës bëhej jashtë rregullave parlamentare, duke sulmuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.
“Të mbyllësh Kuvendin që të mos kenë mundësi deputetët e opozitës t’i japin zë qytetarëve, kjo mund të ndodhë vetëm nga një kukull si Niko Peleshi, i Taulant Ballës. Sot seanca drejtohej me SMS. Taulant Balla ka marrë fjalën sa herë ka dashur”, u shpreh Bardhi.
Duke komentuar shtyrjen e votimit për amnistinë penale, Bardhi tha se mazhoranca nuk disponon votat e nevojshme për miratimin e saj.
“Tani po përpiqen të peshkojnë një tjetër deputet dhe kanë shtyrë votimin. Kuvendi është kthyer në institucion privat ku opozitës i mohohen të drejtat kushtetuese”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Lini një Përgjigje