Rama, i cili për vite ka sulmuar publikisht gazetarë, moderatorë dhe pronarë mediash, këtë herë u përpoq të paraqitet si mbrojtës i lirisë së medias. Ai tha se “çdo përpjekje për të kapur mediat” është e dështuar dhe nuk sjell “fitoren e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve”.
Kryeministri Edi Rama vijon të bëjë protagonistin sa herë organizmat ndërkombëtare publikojnë raporte kritike për Shqipërinë.
Vetëm pasi “Reporterët pa Kufij” dhanë alarmin për gjendjen e medias dhe e renditën Shqipërinë në vendin e 83 për lirinë e shtypit, Rama në podcastin e tij “Flasim” ditën e sotme ka dalë me një linjë krejt tjetër nga ajo që ka përdorur prej vitesh ndaj gazetarëve dhe televizioneve.
Nga sulmet publike, ironitë dhe etiketimet ndaj mediave, këtë herë kryeministri tentoi të ndërtojë narrativën se në Shqipëri nuk ka media të kapura dhe se opozita dominon ekranet.
Rama iu referua një analize të realizuar nga një startup shqiptar me inteligjencë artificiale, që sipas tij mat përkrahjen e mediave tradicionale dhe online në raport me politikën. Ai tha se 60% e kohës televizive në Shqipëri i dedikohet opozitës ose qëndrimeve kundër qeverisë.
“Rezulton qartësisht se nga gjithë tërësia e produkteve të medias në raport me politikën, 60% e kohës televizive në Shqipëri në total e merr opozita në kuptimin e qëndrimit antiqeveri”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se kjo provon se Shqipëria nuk është vend me media të kontrolluara nga pushteti.
“Këtu nuk jemi në një vend mediash të kapura, këtu nuk jemi në një vend ku mbyllen gojët e atyre që flasin, komentojnë, argumentojnë, shkruajnë kundër qeverisë”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë në një moment kur raporti i “Reporterëve pa Kufij” ngriti shqetësime për presionin politik dhe ekonomik ndaj mediave, përqendrimin e tregut mediatik dhe klimën e pasigurisë për gazetarët në Shqipëri.
Rama, i cili për vite ka sulmuar publikisht gazetarë, moderatorë dhe pronarë mediash, këtë herë u përpoq të paraqitet si mbrojtës i lirisë së medias. Ai tha se “çdo përpjekje për të kapur mediat” është e dështuar dhe nuk sjell “fitoren e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve”.
Në të njëjtën dalje, kreu i qeverisë sulmoi opozitën, duke thënë se problemi i saj mbetet mungesa e lidershipit, programit dhe vizionit politik.
“Sot atë kamp në tërësi e karakterizon mungesa e vizionit, mungesa e programit, mungesa e lidershipit”, deklaroi Rama.
Përtej tonit më të zbutur ndaj mediave, reagimi i kryeministrit erdhi menjëherë pas raportit ndërkombëtar që e renditi Shqipërinë ndër vendet me problematika serioze për lirinë e shtypit, një raport që qeveria deri tani nuk e ka komentuar zyrtarisht me argumente konkrete.
Lini një Përgjigje