Debatet mes mazhorancës dhe opozitës janë rikthyer në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme, ku deputetët demokratë kërkuan që socialistët të distancohen nga Akti Normativ i qeverisë që parashikon mbi 4 milionë euro për organizimin e koncertit të Kanye West.
Deputetja Albana Vokshi vuri në pikëpyetje përdorimin e fondit rezervë të shtetit për këtë qëllim, duke theksuar se ai duhet të shërbejë për situata emergjente.
"4.3 milionë euro nga fondi rezervë, që përdoret për emergjenca. Ku është emergjenca këtu? Ku është interesi i qytetarëve? Ndërkohë që pensionistët nuk arrijnë dot në fund të muajit," deklaroi Vokshi.
Nga ana e tij, deputeti Tritan Shehu iu referua jehonës që çështja ka marrë në mediat ndërkombëtare.
'Kanye West, i bllokuar nga shumica e vendeve evropiane, merr 4 milionë euro grant në Shqipëri'. E ka shkruar Le Monde, ka raportuar edhe Reuters," tha Shehu.
Vokshi u bëri thirrje deputetëve socialistë të mbajnë qëndrim ndaj vendimit të qeverisë.
"Distancohuni. Jeni ende në kohë. Tregoni se ju ka mbetur një fije dinjiteti," u shpreh ajo.
Në përgjigje, deputeti socialist Hasani hodhi poshtë akuzat, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve.
"Ne të distancuar jemi. 53% e shqiptarëve na kanë votuar ne." tha ai.
Përplasjet vijuan edhe për rezolutën e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, pas diskutimeve të zhvilluara më herët në Strasburg.
Vokshi akuzoi mazhorancën se po injoron amendamentet e miratuara nga eurodeputetët.
"Duke rrëzuar këto amendamente, që u miratuan nga eurodeputetët, ju po fshihni realitetin, se integrimin po e përdorni për të miratuar ligje me porosi." deklaroi ajo.
Deputeti socialist Malaj kundërshtoi këto pretendime, duke thënë se shumica kishte mbështetur frymën e konsensusit gjatë procesit.
"Ne nuk çuam asnjë amendament. E pranuam atë frymë konsensusi, votuam disa propozime të Partisë Demokratike dhe votuam variantin final të rezolutës. Një pjesë e amendamenteve të tyre nuk u miratuan, ndërsa pjesa tjetër u votua në frymën e konsensusit. Ata vendosën të mos e mbështesnin rezolutën, por të votonin kundër saj." ,tha Malaj.
Në fund të mbledhjes, deputetët e opozitës kërkuan që në rendin e ditës të përfshiheshin katër nisma ligjore që lidhen me zonat e mbrojtura, investimet strategjike, trashëgiminë kulturore dhe Paketën e Maleve. Propozimi nuk mori mbështetjen e shumicës socialiste, e cila votoi kundër përfshirjes së tyre në axhendën e komisionit.
Lini një Përgjigje