Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me qëndrimin e opozitës ndaj protestave kundër tij.
Balla publikoi një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ku një buf shndërrohet në flamingo. Me këtë simbolikë, ai akuzoi Berishën dhe drejtuesit e Partisë Demokratike për ndryshim të qëndrimit, duke pretenduar se kanë kaluar nga mbështetës të projektit në kundërshtarë të tij.
Balla u shpreh se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë deklaruar se do të çojnë në Kuvend kërkesat e protestuesve që kundërshtojnë investimin në Zvërnec.
Më tej, ai ironizoi edhe vizitën e Berishës në Bosnjë-Hercegovinë, duke thënë se protestuesit e kanë caktuar atë si “ambasador” për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tyre.
“Kush e ha bufin për flamingo?”, shkruan Balla në reagimin e tij, duke vijuar kritikat ndaj qëndrimeve të opozitës për këtë çështje.
“Pas mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve, mund ta themi me plot gojën se bufi dhe zogjtë e tij duan të duken si flamingo. Zogjtë e bufit na thane se kanë sjellë në Kuvend propozimet e protestuesve. Madje vetë bufi doli dhe tha se ka shkuar në Bosnjë (vende afër - se oqeanin s’e kalon dot) për të kërkuar mbështetje për protestën në mbrojtje të pelikanëve. Pra protesta paska caktuar bufin si ‘ambasador’ për të kërkuar mbeshtetje. Pyetja që lind: ore po kush e ha bufin për flamingo?”, ka shkruar Balla krahas videos.
Lini një Përgjigje