Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër librin “The Albanian Files” gjatë konferencës për mediat të mbajtur këtë të hënë, 7 korrik. Sipas tij, libri përbën një “dosje të zezë” që, sipas pretendimeve të tij, dokumenton grabitjen e pronave në jug të vendit dhe mënyrën se si janë miratuar projektet e ndërtimit në bregdet.
Berisha pretendoi se në zonat ku ndërtimi nuk lejohet janë dhënë leje për investime dhe se në bregdet po investohen para të ardhura nga trafiku i drogës. Sipas tij, projektet e zhvilluara në këto zona janë të përfshira nga korrupsioni dhe janë miratuar me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama.
“Janë dhënë leje ndërtimi në zonat ku nuk lejohet. Trafikantët e drogës janë mbledhur të gjithë bashkë dhe investojnë e ndërtojnë në bregdet. Janë një sërë projektesh, që janë korrupsion kokë e këmbë. Rama vetë dhe të afërmit e tij kanë grabitur prona në jug. Libri ‘Albanian Files’ me parathënie të Edi Ramës është në fakt dosja kriminale më e tmerrshme e 35 viteve. Rama e trajton Shqipërinë si një çiflig personal”, tha Berisha.
Më tej, kreu i demokratëve e cilësoi librin si “akuzën më të rëndë” ndaj një kryeministri, duke pretenduar se ai dëshmon shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve kombëtare e ndërkombëtare.
Ai akuzoi gjithashtu atë që e quajti “mafia e rrezikshme” për shkatërrimin e zonave kodrinore në jug dhe për shpopullimin e bregdetit përmes parave të krimit.
“Libri i kuq ‘Dosja shqiptare’ është akuza më e rëndë ndaj një kryeministri apo presidenti republike, ndaj një diktatori të çdo lloj diktature qoftë ai, që dëshmon se ky njeri nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligjet kombëtare dhe as ndërkombëtare. Tentakulat e mafies së rrezikshme që po rrafshon kodra dhe po zhbën çdo gjë në jug, de facto po shpopullon me forcën e narkoeurove brigjet e Shqipërisë. Projektet në libër janë të porositura me udhëzimin e Edi Ramës, projektet janë miratuar nga Rama”, deklaroi Berisha.
Lini një Përgjigje