TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Qershor 2026, 14:45

Pas paralajmërimit të Ramës për heqjen e ligjit të investimeve, Tabaku: Kemi kërkuar prej vitesh shfuqizimin e tij

Shkruar nga Pamfleti
Pas paralajmërimit të Ramës për heqjen e ligjit të
Rama-Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar këtë të mërkurë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, duke theksuar se kundërshtimi i këtij akti ka qenë një qëndrim i hershëm i opozitës.

Sipas Tabakut, që në momentin kur ligji u propozua, demokratët e konsideruan atë antikushtetues dhe cenues të së drejtës private të pronës. Ajo shtoi se zhvillimet e viteve të fundit kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura nga opozita.

“Sot, Ligji i Investimeve Strategjike, përveç aspektit korruptiv dhe abuziv, përveç ndarjes së favoreve pa garë, krijon konflikte sociale edhe për çështjen e pronës. Në 10 vitet e shkuara ky ligj është shtyrë disa herë dhe në secilin rast kemi kërkuar pezullimin e tij. Edhe në vitin 2025, kur u shty për herë të fundit, ne kërkuam shfuqizimin e tij”, tha ajo.

Deputetja demokrate argumentoi se shumica e vendimeve të marra në kuadër të këtij ligji kanë favorizuar projekte turistike, kryesisht në jug të vendit, duke sjellë përplasje me pronarët dhe debate të shumta publike.

“Ligji ka përfunduar duke dhënë leje për resorte turistike në jug të vendit, duke krijuar konflikte me pronarët e ligjshëm e legjitimë. Është një ligj që ka favorizuar pakicën dhe sot është kthyer edhe në një nga arsyet e protestës së mijëra qytetarëve”, shtoi Tabaku.

Reagimi i saj vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për shtyp me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, njoftoi se qeveria do të tërheqë Ligjin për Investimet Strategjike.

Sipas Ramës, ligji e ka përmbushur tashmë misionin për të cilin u miratua dhe nuk ka më të njëjtën rëndësi si më parë. Ai vlerësoi se përmes tij janë nxitur investime strategjike në vend dhe bëri të ditur se po punohet me Bashkimin Europian për hartimin e një kuadri të ri ligjor, të përafruar me standardet europiane.

tabaku rama heqja e ligjit te investimeve

Lini një Përgjigje