Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbi çështjen McGonigal, duke mbyllur një nga frontet kryesore të betejës politike kundër kryeministrit Edi Rama. Ndërsa socialistët shmangin një hetim parlamentar për dosjen që prej vitesh ka trazuar politikën shqiptare, Kushtetuesja i dha dritën jeshile komisionit hetimor për zgjedhjet e 11 majit.
Pas më shumë se dy vitesh debatesh, akuzash dhe përplasjesh politike rreth lidhjeve të kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, Gjykata Kushtetuese ka mbyllur një nga frontet kryesore të betejës së opozitës, duke rrëzuar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen McGonigal. Ndërkohë, gjyqtarët kushtetues kanë pranuar kërkesën e opozitës për komision hetimor mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Vendimi përbën një goditje politike për Partinë Demokratike, e cila prej vitesh e ka konsideruar dosjen McGonigal si një nga argumentet më të forta kundër kryeministrit Rama. Opozita ka pretenduar vazhdimisht se parlamenti duhej të hetonte raportet që zyrtarë shqiptarë, përfshirë vetë kryeministrin, kishin pasur me ish-agjentin e FBI-së, i cili u dënua në SHBA për fshehje të marrëdhënieve financiare dhe shkelje të rregullave federale.
Me vendimin e sotëm, çështja duket se humbet një nga mundësitë e fundit për t'u trajtuar institucionalisht në Kuvend. Ndërkohë që dosja vijon të mbulohet nga pluhuri edhe në SPAK.
Pikërisht dosja McGonigal ka qenë për vite me radhë një nga temat më të nxehta të debatit politik në Shqipëri. Emri i ish-zyrtarit të lartë të FBI-së u kthye në qendër të vëmendjes pasi dokumentet e drejtësisë amerikane zbuluan lidhjet e tij me biznesmenin shqiptaro-amerikan Agron Neza dhe kontaktet që kishte zhvilluar me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitave në Shqipëri.
Vetë Rama ka pranuar publikisht se e ka takuar McGonigalin, por ka mohuar çdo përfshirje në shkeljet për të cilat ai u hetua dhe më pas u dënua në SHBA.
Megjithatë, opozita ka insistuar se marrëdhënia mes tyre shkonte përtej një takimi formal. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi para Gjykatës Kushtetuese se ekzistojnë indicie të forta që justifikonin ngritjen e një komisioni hetimor.
“Zyrtari amerikan McGonigal ka përfituar një tender. Pasi e ka përfituar sepse ka pasur mik kryeministrin, më pas është përdorur si figurë në luftën kundër opozitës. Nuk e themi ne, por e thotë drejtësia amerikane këtë gjë”, u shpreh Bardhi.
Edhe këshilltari ligjor i grupit parlamentar demokrat, Marash Logu, argumentoi se kërkesa nuk kishte të bënte me hetimin e McGonigalit, por me verifikimin e sjelljes së zyrtarëve shqiptarë në raport me të.
“Është kërkuar ngritja e një Komisioni Hetimor për të verifikuar dhe kontrolluar zbatimin e ligjit nga nëpunësit shqiptarë në raportet që ata kanë pasur me ish-agjentin amerikan Charles McGonigal. Ne kemi vënë në pah marrëdhëniet që ka pasur kryeministri apo zyrtarë të tjerë me këtë agjent”, deklaroi Logu.
Por Gjykata Kushtetuese nuk e ka pranuar këtë argumentim, duke lënë jashtë Kuvendit një hetim parlamentar që opozita e konsideronte prioritet.
Ndryshe ndodhi me kërkesën për zgjedhjet e 11 majit. Kushtetuesja i dha të drejtë opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor që do të shqyrtojë pretendimet për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës elektorale, një çështje e ngritur edhe në raportet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Për opozitën, ky është një fitim i pjesshëm. Për mazhorancën, ndërkohë, vendimi për McGonigalin mbyll një kapitull që ka prodhuar tensione të vazhdueshme politike që prej vitit 2023. /Pamfleti
Lini një Përgjigje