Deputetja e Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës, Marjana Koçeku, ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar socialist, duke deklaruar se do ta vijojë mandatin e saj si deputete e pavarur.
Lajmi vjen në një moment kur Partia Socialiste pritet të zhvillojë nesër një mbledhje të Kryesisë në orën 09:30, e ndjekur nga mbledhja e grupit parlamentar në orën 10:00.
Sipas "A2 CNN", Koçeku nuk ka qenë e pranishme as në aktivitetin e organizuar për 34-vjetorin e Partisë Socialiste, i mbajtur në sheshin “Italia” në Tiranë.
Përmes një reagimi publik, deputetja bëri të ditur se vendimi i saj lidhet me bindjet dhe parimet që, sipas saj, kanë udhëhequr angazhimin e saj publik që përpara hyrjes në politikë.
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me një parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkroi Koçeku.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Partia Socialiste lidhur me vendimin e deputetes së Shkodrës për t’u larguar nga grupi parlamentar.
Lini një Përgjigje