Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi të dielën pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së të shtunës, ku sipas saj flamuri i Ambasadës së Izraelit u hoq dhe u përdhos nga persona të maskuar.
Në reagim, ministria e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar si një akt të papranueshëm dhe të padenjë për Shqipërinë.
Sipas MEPJ, veprime të tilla nuk lidhen me lirinë e shprehjes, të drejtën për protestë paqësore apo me parimet demokratike, por përbëjnë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj.
Ministria thekson se ky akt bie ndesh me traditën shqiptare të mikpritjes, bashkëjetesës dhe respektit për të tjerët, duke shtuar se ai nuk përfaqëson Shqipërinë dhe as popullin shqiptar.
"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme.
Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat tona demokratike dhe standardet evropiane që kemi ndërtuar dhe po forcojmë çdo ditë. Ato janë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel dhe i çmon me përkushtim.
Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, vlera që kanë karakterizuar shoqërinë tonë për breza me radhë. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë, as popullin shqiptar. Përfaqësojnë vetëm ata që kërkojnë të provokojnë, të përçajnë dhe të përhapin urrejtje, duke shpërdoruar dhe keqpërdorur në mënyrë të qëllimshme të drejtat dhe liritë.
Ministria riafirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Ne shprehim solidaritetin tonë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe theksojmë se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk mund dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike", thuhet në njoftimin e Ministrisë.
E kane hequr vete per te nxitur urrejtje. Me protesten nuk ka lidhje fare