TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Qershor 2026, 13:11

Operacioni i SPAK në Devoll, AMP jep detaje: Masa sigurie ndaj 2 ish-zyrtarëve dhe familjarit të tyre

Shkruar nga Pamfleti

Operacioni i SPAK në Devoll, AMP jep detaje: Masa sigurie ndaj 2

Tre persona, mes tyre dy ish-zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), janë vënë nën masa sigurie në kuadër të një procedimi penal që po hetohet nga Prokuroria e Elbasanit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri të ditur se masat e vendosura nga gjykata janë ekzekutuar ndaj Glodian Ahmetajt, ish-drejtor i Degës së AMP-së në Juglindje, Devis Agos, ish-shef sektori në AMP, si dhe Klevis Hoxhës, i cili dyshohet se ka lidhje familjare me njërin prej tyre.

Sipas vendimit gjyqësor, ndaj Glodian Ahmetajt është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndërsa ai është urdhëruar të dorëzojë dokumentet e udhëtimit pranë Policisë Gjyqësore.

Ndërkohë, Klevis Hoxha është vënë nën masat “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, me detyrimin për t’u paraqitur një herë në muaj pranë autoriteteve. Masa e “Paraqitjes në Policinë Gjyqësore” është vendosur edhe ndaj Devis Agos.

Gjatë operacionit janë kryer gjithashtu kontrolle në tre banesa, me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e provave që mund të ndihmojnë hetimin.

AMP bëri të ditur se të gjitha detyrimet e përcaktuara nga gjykata janë ekzekutuar, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

“Në zbatim të vendimit gjyqësor, ndaj shtetasit Glodian Gëzim Ahmetaj është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke u urdhëruar të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe të dorëzojë pranë Policisë Gjyqësore dokumentet e vlefshme që shërbejnë për kalimin e kufirit shtetëror.

Ndaj shtetasit Klevis Hoxha janë caktuar masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ai është detyruar të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 11:00, si dhe të dorëzojë dokumentet e udhëtimit sipas përcaktimeve të vendimit gjyqësor.

Ndaj shtetasit Devis Ago është caktuar masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”, me detyrimin për t’u paraqitur javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 12:00.

Gjatë operacionit janë ekzekutuar të gjitha detyrimet e përcaktuara nga gjykata, ndërsa me urdhër të autoritetit procedues janë ushtruar edhe tre kontrolle banesash me qëllim kërkimin dhe administrimin e provave me interes për hetimin.

Shtetasit Glodian Ahmetaj, ish Drejtor Dege në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, dhe Devis Ramadan Ago, ish Shef Sektori në AMP, janë subjekt i këtij procedimi penal dhe i masave të sigurisë të vendosura nga gjykata”, thuhet në njoftimin e AMP. 

amp prokuroria e elbasanit

Lini një Përgjigje