Një i moshuar që mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai e akuzoi kreun e qeverisë se ka vepruar në dëm të interesave të vendit dhe iu drejtua të rinjve me një mesazh për angazhim.
Gjatë fjalës së tij, protestuesi u shpreh: "Rama është kriminel e maskara! I ka të gjitha poshtërsitë. Mbi të gjitha, është tradhtar i kombit që bën pazar me popullin! I ka të gjitha të këqijat."
Në fund të ndërhyrjes, ai iu drejtua të rinjve të pranishëm në tubim, duke i inkurajuar të marrin përgjegjësi për të ardhmen e vendit.
"Ju jeni e ardhmja e këtij kombi! Ju jeni Rilindja e vërtetë, jo rilindja e Edi Ramës", tha ai.
Në mbyllje të tubimit, nga podiumi u përsërit thirrja për mobilizim edhe më të madh ditën e nesërme, me organizatorët që theksuan se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të saj dhe ndryshimin e sistemit aktual qeverisës...
Ka përfunduar protesta e 37-të e qytetarëve para godinës së Kryeministrisë. Me përfundimin e fjalimeve dhe kërkesave të tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama, protestuesit kanë nisur marshimin e përnatshëm rrugëve të Tiranës.
Me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe pankarta në duar, qytetarët kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit.
Si në çdo protestë tjetër këtë 1 muaj, nuk kanë munguar as sonte pankartat pikante të mbushura me ‘meme’ thumbuese drejtuar Ramës, Qeverisë dhe kastës së vjetër politike.
Në mbyllje të tubimit, nga podiumi u përsërit thirrja për mobilizim edhe më të madh ditën e nesërme, me organizatorët që theksuan se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të saj dhe ndryshimin e sistemit aktual qeverisës.
Protestës 37-ditore të qytetarëve përpara Kryeministrisë i janë bashkuar edhe zëra të fuqishëm nga diaspora. Një qytetar shqiptar që jeton dhe punon në Bruksel ka ngjitur shkallët e podiumit në bulevard, duke përcjellë një mesazh mjaft kritik për mënyrën se si kryeministri Edi Rama e paraqet situatën e Shqipërisë përpara zyrtarëve europianë.
Ai ftoi bashkëatdhetarët të kenë durim e qëndresë, duke theksuar se Shqipërisë nuk i mungon asnjë pasuri në krahasim me Europën, por vetëm drejtësia dhe liderët e duhur.
Folësi solli në vëmendje kontrastin e madh mes propagandës që bëhet në zyrat e BE-së dhe realitetit me të cilin përballen shqiptarët çdo ditë në vendin e tyre.
“Vij nga diaspora, nga Brukseli. Atje është gjithë administrata shtetërore evropiane. Aty vjen edhe xhaxhi Edi Rama dhe flet në emër të popullit. O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd, edhe ‘naltmadhnia’ flet në emrin tënd! Mund të gënjejë për një farë kohe, por kurrë nuk gënjen një popull të tërë bashkë! Ndaj bashkimi dhe bashkëpunimi është shpëtimi,” u shpreh ai nën duartrokitjet e turmës.
Duke marrë shkas nga jeta në emigrim, protestuesi inkurajoi masën që të mos dorëzohet, duke thënë se standardet europiane mund dhe duhet të ndërtohen brenda Shqipërisë, pa pasur nevojë që rinia të largohet.
“Nëse jemi të gjithë bashkë, kemi durim e qëndrim… unë kam ardhur sepse e dua vendin tim. Dua t’ju përgëzoj të vazhdoni të mbani këtë ritëm, të qëndroni! Çfarë ka Europa dhe bota më shumë se Shqipëria? Asgjë nuk kanë, vetëm disiplinë dhe standarde të tjera. Ne e kemi mundësinë t’i krijojmë! Pse të mos ecim në vendin tonë? Na mungon vetëm drejtësia e duhur dhe njerëzit e duhur”, tha ai.
Protesta e zhvilluar këtë të diel përpara godinës së Kryeministrisë u shoqërua me deklarata kritike ndaj qeverisë. Një qytetare, që mori fjalën gjatë tubimit, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur kërkesën e saj me politikat për pronat, ndarjen e zonave dhe legjislacionin që, sipas saj, ka sjellë pasoja për qytetarët.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve, ajo tha se vendimmarrjet e qeverisë kanë dëmtuar interesat e qytetarëve dhe të territorit, ndërsa shtoi se kryeministri nuk gëzon më besimin e saj për të përfaqësuar vendin.
Protestuesja u ndal edhe te zhvillimet politike ndër vite, por theksoi se, sipas vlerësimit të saj, përgjegjësia aktuale i takon kreut të qeverisë.
Gjatë deklaratës së saj, ajo kërkoi që Edi Rama të japë dorëheqjen, duke argumentuar se ligjet e miratuara nga qeveria kanë ndikuar negativisht te qytetarët. Ajo deklaroi gjithashtu se nuk e konsideron më atë si kryeministrin e saj dhe se protestuesit nuk e mbështesin më.
“Rama duhet të ikë për zonat që po u jep të tjerëve! Jemi në një mendje, ai duhet të japë dorëheqjen. E them ‘ai’ sepse Rama nuk është më kryeministri ynë! Na ka tërhequr zvarrë me ligjet e tij! Nuk e duam më!”, deklaroi ajo me tone të revoltuara përpara turmës.
Një nga momentet më emocionale të protestës së 37-të para Kryeministrisë ishte fjala e nënës së Arbër Lleshit, një prej aktivistëve të arrestuar gjatë përplasjeve me policinë më 2 korrik.
Mes duartrokitjeve të protestuesve, ajo rrëfeu se djali i saj, sipas saj, u dhunua gjatë shoqërimit në furgonin e policisë dhe se shenjat e goditjeve janë ende të dukshme.
"Përshëndetje qëndrestarë. Unë jam mamaja e Arbër Lleshit, të cilin ma arrestuan më 2 korrik. Shenjat e grushtave në furgonin e policisë i ka edhe tani që është data 6! Kur kam parë videon që dhunojnë tim bir u bëra më e fortë dhe thashë: Nëse kam ardhur një ditë po e një ditë jo se jam e sëmurë, që sot e tutje përditë këtu në shesh do jem dhe këtu na ke!", u shpreh ajo.
Në vijim të fjalës së saj, ajo iu drejtua kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se arrestimet nuk do t'i largojnë prindërit nga protesta.
"Edi Ramës po i them kështu: Ti kujton se do na trembësh me arrestimin e fëmijëve tanë? Përkundrazi! Jemi bërë edhe më të forta dhe do jemi këtu në shesh! Jo 37 ditë, por 37 javë e 37 muaj po deshe! Deri sa klasa politike e qelbur që masakroi këtë popull të shkojë në koshin e plehrave. Një kryeministër i tillë nuk e ka parë historia në asnjë vend të botës! Kryehajdut, ti nuk e meriton fjalën kryeministër më! Nuk e gënjen dot më këtë popull", deklaroi ajo.
Në përfundim, nëna e aktivistit u ndal te roli i të rinjve në protestë, duke thënë se beteja nuk do të ndalet.
"Kjo rini e ka parë demokracinë dhe nuk u bën dot më gol kësaj rinie të mrekullueshme! Ne jemi këtu, me fëmijët tanë dhe bashkë me prindërit", përfundoi ajo.
Fjala e saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ku prej 37 ditësh qytetarët vijojnë tubimet duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, lirimin e protestuesve të arrestuar dhe ndryshim të klasës politike.
Një tjetër fjalim me tone të forta është mbajtur në protestën e ditës së 37-të para Kryeministrisë, ku një protestuese u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë karakterin paqësor të lëvizjes.
Duke folur nga podiumi, ajo deklaroi se suksesi i protestës varet nga shmangia e çdo akti dhune, ndërsa e cilësoi sistemin aktual si një "diktaturë oligarkike".
"Nëse rrëshqasim në dhunë, dështon misioni i kësaj proteste, e cila kërkon fundin e këtij tranzicioni. Ky tranzicion është një diktaturë oligarkike, është e një oligarkie të ngritur në nivelin e një mafia ndërkombëtare! Dhe koka është vetë qeveria," deklaroi protestuesja.
Ajo u shpreh se protesta ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe se rrëzimi i qeverisë duhet të vijë si rezultat i qëndresës qytetare.
"Rrëzimi i Ramës është detyrë e protestës, jo e institucioneve që mund të ngrihen në emër të protestës. Pasi të rrëzohet Rama, atëherë të ngrihen institucione, qoftë edhe një Kuvend i protestës! Këtë vlerë solli protesta", u shpreh ajo.
Protesta e ditës së 37-të po vijon para Kryeministrisë me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, të cilët prej më shumë se një muaji kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të klasës politike. Gjatë tubimit kanë vijuar thirrjet "Rama jepe dorëheqjen", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Atdheu është i yni", ndërsa organizatorët kanë përsëritur se protesta do të mbetet paqësore.
Në ditën e 37-të të protestës para Kryeministrisë, Andi Tepelena, një prej organizatorëve deklaroi se lëvizja qytetare po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje ndërkombëtare, duke iu referuar deklaratave të fundit të ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri.
Gjatë fjalës së mbajtur nga podiumi, ai tha se qëndrimi i diplomatit gjerman është një vlerësim për karakterin paqësor të protestës dhe për kauzat që, sipas protestuesve, mbështeten në vlerat evropiane.
"Sot kemi një mbështetje të jashtëzakonshme nga ambasadori i Gjermanisë. Ai i cilësoi protestat si pjesë e vlerave evropiane. Citoj si më poshtë: 'Duhet të vlerësojmë ata që zbatojnë vlerat e BE-së në përditshmëri, ata që qëndrojnë për mbrojtjen e ligjit, natyrës etj. Çdo aktivitet i shoqërisë civile në përputhje me vlerat e BE-së është i mikpritur. Protestat e dhunshme nuk janë pjesë e BE-së", deklaroi Andi Tepelena.
Më tej, ai pretendoi se kryeministri Edi Rama po përballet me një izolim gjithnjë e më të madh në arenën ndërkombëtare, duke përmendur edhe zhvillime që, sipas tij, po ndikojnë në imazhin e qeverisë.
"Një kongresmen amerikan ka hapur hetimin për qeverinë shqiptare dhe Edi Ramën për lidhjet e tij me drogën. Para një muaji ky ishte një mbret i plotfuqishëm, sot pas një muaji Rama është i diskredituar në sytë e gjithë shqiptarëve dhe botës demokratike. Sot ai është një kufomë politike, pas një muaji do të jetë një hiç politik dhe një asgjë", u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës, Tepelena u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestën, duke deklaruar se lëvizja nuk do të ndalet.
"Ta vazhdojmë kështu miq! Ai hedh miliona euro për propagandë, ne me një mikrofon e kemi kthyer në mbetje politike. Fundi i klikës së Edi Ramës është i pashmangshëm! Do ta largojmë një herë e mirë atë dhe do ta hedhim në koshin e historisë!", deklaroi ai.
Protesta e ditës së 37-të po vijon para Kryeministrisë me fjalime të aktivistëve dhe qytetarëve, të cilët kanë përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të klasës politike.
Protestës së 37-të kundër kryeministrit Edi Rama, e cila po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, i është bashkuar edhe Nënë Liza, një nga figurat më të njohura të protestave për shembjen e banesave në zonën e "5 Majit".
Duke folur para protestuesve, ajo u ndal te vështirësitë ekonomike me të cilat, sipas saj, përballen qytetarët, duke përmendur pensionet e ulëta, korrupsionin dhe nevojën për ndryshim. Nënë Liza kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai duhet të japë dorëheqjen.
Në fjalën e saj, ajo rikujtoi edhe ngjarjet e "5 Majit", ku shumë familje mbetën pa banesa pas aksionit të shembjeve, mes tyre edhe ajo vetë.
"Dele e shtazë është ai që nuk del para popullit. Burri që është burrë del e përgjigjet. Duhet të japë dorëheqjen, të largohet. Ky del vetëm me dajak, sepse me dajak na ka nxjerrë. Sepse me dajak na kanë nxjerrë nga shtëpia në mes të dimrit", u shpreh Nënë Liza.
Protesta e ditës së 37-të po zhvillohet para Kryeministrisë me pjesëmarrjen e qytetarëve që prej javësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa gjatë tubimit vijojnë fjalimet e aktivistëve dhe qytetarëve, të shoqëruara me thirrje kundër qeverisë dhe kastës politike.
Gjatë fjalës së tij në protestës së 37-të para Kryeministri, aktivisti Edison Lika u shpreh se këtë verë shqiptarët kanë anulluar pushimet pasi do i kalojnë aty në Bulevard deri në rrëzimin e Ramës. Ai theksoi se shqiptarët e kanë seriozisht kësaj here dhe se kanë bërë në 36 ditë atë që nuk ishte bërë në 36 vite.
"36 vite tranzicion i kemi hedhur poshtë në 36 ditë. Ju bëtë në 36 ditë atë që nuk ishte bërë në 36 vite. Ju jeni krenaria e këtij vendi. Nuk do e lini kurrë këtë shesh bosh. Rama jepe dorëheqjen. Duket sikur pas 36 ditësh, e kemi harruar atë që na ka mbledhur Rama në burg, Berisha në burg. Duket se shqiptarët sivjet nuk do bëjnë pushime. Pushimet janë të rezervuara në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Shpresa e tyre është të largohemi. Arma jonë është rezistenca. U themi atyre që hapën tv me shpresën se nuk do jemi këtu. Ne jemi këtu më të fortë se kurrë. Po do jemi këtu çdo ditë derisa ky kryeministër të largohet. Si thanë do fillojë botërori dhe do largohen. Botërori po mbaron dhe ne do jemi këtu. Sepse Shqipëria e re dhe fundi i këtij regjimi, nuk arrihet me 37 ditë, do jemi këtu derisa ajo të arrihet. Kjo rezistencë i tregoi shqiptarëve se ky popull e ka seriozisht. Më pas iu ka treguar qytetarëve se këta protestues e kanë seriozisht. E në fund fare u treguan ndërkombëtarëve se këta protestues e kanë seriozisht. E çdo ditë që kalon nga një aleat do shtohet. Na shtohen ne dhe ia pakëson atij."- u shpreh Lika.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama...
Ka nisur dita e 37-të e protestës qytetare e cila kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama. Pas grumbullimit të zakonshëm në Sheshin Skënderbej, qindra qytetarë kanë marshuar në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet tubimi i radhës kundër qeverisë.
Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta kundër pushtetit, protestuesit kanë mbushur rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet që tashmë janë bërë simbol i kësaj lëvizjeje: "Rama ik!", "Rama jep dorëheqjen!", "Rama në burg, Berisha në burg!", "Shqipëri e re!" dhe "Ju erdhi fundi!".
Edhe pse protesta nisi më shumë se një muaj më parë si një revoltë kundër projektit turistik në Zvërnec, ajo është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë klasës së vjetër politike. Organizatorët dhe pjesëmarrësit këmbëngulin se protesta nuk është më vetëm kundër një projekti të caktuar, por për ndryshimin e sistemit politik në vend.
Gjithashtu, organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.

Ka nisur grumbullimi i protestuesve në sheshin "Skënderbej" në Tiranë, ku po zhvillohen organizimet e para për protestën e 37-të të thirrur kundër qeverisë.
Qytetarë nga Tirana dhe zona të tjera të vendit po mblidhen në shesh, ndërsa organizatorët po koordinojnë nisjen e tubimit. Si çdo ditë, pas përfundimit të grumbullimit, protestuesit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet pjesa kryesore e protestës.
Protestuesit shprehen se do të vijojnë mobilizimin e tyre deri në plotësimin e kërkesës kryesore, që sipas tyre është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Ata e cilësojnë këtë kërkesë si të panegociueshme dhe u bëjnë thirrje qytetarëve t'u bashkohen protestave.
Një prej protestuesve akuzoi qeverinë për korrupsion dhe tha se situata ekonomike e qytetarëve është përkeqësuar. "Duhet ta rrëzojmë këtë qeveri. Korrupsioni nuk ka të ndaluar. Ne nuk kemi asgjë. Kjo qeveri ka bërë vetëm korrupsion. Pensionistët, i gënjen me 5 mijë lekë. Duhet ta rrëzojmë patjetër. Edi Rama duhet të dorëhiqet. Që të gjithë në PS janë për burg. Nuk janë për ne, por për xhepin e tyre", u shpreh ai.
Koordinatorët e tubimit u kanë bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha zonat e vendit, si edhe shqiptarëve të diasporës që ndodhen në Tiranë, t'i bashkohen marshimit drejt Kryeministrisë. Sipas organizatorëve, pas grumbullimit në sheshin "Skënderbej", protesta do të vijojë me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahet tubimi kryesor.
Lini një Përgjigje