Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka deklaruar se protesta qytetare nuk duhet të ndalet pa arritur një rezultat konkret, duke paralajmëruar se dështimi i saj do të forconte edhe më tej sistemin aktual politik.
I ftuar në studion e lajmeve të "Euronews Albania", Duka u shpreh se qytetarët dhe partitë politike duhet ta shohin këtë si një moment vendimtar.
"Kjo protestë duhet të vazhdojë deri sa të ketë produkt. Nëse protesta shuhet, përgatituni që këtë sistem që e keni si kundërshtar ta keni për gjithë jetën. Ky është shansi dhe momenti për të arritur diçka", tha ai.
Duka kritikoi edhe opozitën, duke thënë se partitë politike, veçanërisht Partia Demokratike dhe forcat e vogla, janë shkëputur nga qytetarët dhe duhet të rikthehen në terren për të dëgjuar shqetësimet e tyre.
"PD dhe partitë e vogla duhet të kontaktojnë me njerëzit. Përndryshe, të rinjtë na thonë: 'Ikni, nuk jeni për këtë punë'", u shpreh kreu i PAA-së.
I pyetur nëse protestat mund ta detyrojnë kryeministrin Edi Rama të japë dorëheqjen, Duka tha se aktualisht presioni nuk është i mjaftueshëm, por nuk përjashtoi që situata të ndryshojë.
"Nuk besoj se presioni është shumë i madh tani për tani, por mbase në vijim do të kondicionohet që ai ta mendojë seriozisht këtë çështje", deklaroi ai.
Gjithashtu, Duka bëri edhe një krahasim me ish-kryeministrin Fatos Nano, duke thënë se në një situatë të ngjashme, ky i fundit do të kishte zgjedhur të largohej nga detyra.
"Zoti Nano padyshim do të ishte tërhequr, sepse nuk është i lidhur me karrigen. Ka qenë liberal, njerëzor, punonte në grup dhe dëgjonte zërin e grupit. Besoj se do të jepte dorëheqje", përfundoi Duka.
Lini një Përgjigje