TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Qershor 2026, 17:11

KQZ shpall rezultatet finale, hapet rruga për certifikimin e zgjedhjeve në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

KQZ shpall rezultatet finale, hapet rruga për certifikimin e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, duke i hapur rrugë certifikimit zyrtar dhe nisjes së procedurave për formimin e institucioneve të reja.

Rezultatet u bënë publike ditën e sotme gjatë një mbledhjeje të KQZ-së në Prishtinë. Kryetari i komisionit, Kreshnik Radoniqi njoftoi se certifikimi pritet të kryhet të hënën, pas përfundimit të afatit 48-orësh për ankesa.

Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka fituar 47.13% të votave, që përkthehen në 53 ulëse në Kuvendin me 120 vende.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44% të votave, ose 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69%, ose 18 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74% të votave dhe 7 ulëse.

Pas certifikimit, do të mund të nisë procesi për konstituimin e Kuvendit të ri dhe formimin e qeverisë. Me 53 mandate, Vetëvendosje pritet ta ketë më të lehtë sigurimin e shumicës së nevojshme prej 61 votash për qeverinë.

Megjithatë, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit të ri. Për votimin e presidentit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvend, çështje që më herët shkaktoi bllokadë politike.

Dështimi për të arritur marrëveshje për presidentin çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit dhe në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Deri tani, partitë politike nuk kanë zhvilluar bisedime për një marrëveshje të mundshme.

Nëse edhe këtë herë nuk arrihet konsensus për presidentin, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, të katërtat brenda dy vjetësh.

zgjedhje 7 qershor kqz kosove

Lini një Përgjigje