
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Mitrovicë, ku një 37-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit me thikë, ndërsa vëllai i tij mbeti i plagosur.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ngjarja ndodhi në Lagjen e Romëve, ku viktima mori plagë të rënda në pjesën e qafës nga një armë e ftohtë.
I plagosur ka mbetur edhe vëllai i viktimës, i cili është dërguar për trajtim mjekësor. Deri më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet dhe rrethanat që çuan në konfliktin fatal.
Autoritetet kanë arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në ngjarje. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në qeli, ndërsa ndaj tij pritet të kërkohet masa e paraburgimit brenda afateve ligjore.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se mbrëmjen e 27 majit 2026, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë, thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij.
Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari dhe, me vendim të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, i njëjti është dërguar në mbajtje. Prokuroria Themelore në Mitrovicë, brenda afatit të paraparë ligjor, për të dyshuarin do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje