
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj lidhur me “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë Serbisë.
Paunoviç deklaroi se fjalët e saj ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se në publik ishte shpërndarë vetëm një fragment prej shtatë sekondash nga intervista.
Megjithatë, në intervistën e transmetuar nga media ku ajo ishte e ftuar, ministrja dëgjohet duke thënë se, “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Duke sqaruar deklaratën, Paunoviç tha se kishte rrëfyer një qëndrim personal dhe jo politikë zyrtare.
“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, u shpreh ajo.
Ministrja serbe shtoi se me deklaratën e saj kishte nënkuptuar largimin e personave që, sipas saj, “nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë”, ndërsa ata që do të zgjidhnin “veprime terroriste” do të trajtoheshin si terroristë.
Paunoviç reagoi edhe ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për ta shpallur atë person non grata. Ajo e cilësoi këtë vendim paradoksal dhe tha se ndalimi i përhershëm i hyrjes së saj në Kosovë ishte vendosur nga ato që ajo i quajti “institucionet e përkohshme të Kosovës”.
Lini një Përgjigje