Pjesëmarrja e deritanishme arrin rreth 3 për qind, ndërsa procesi po zhvillohet në 949 qendra votimi në gjithë vendin…
Procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur rregullisht në të gjitha qendrat e votimit në vend. Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 09:30 kanë votuar mbi 59 mijë qytetarë, që përfaqësojnë rreth 3 për qind të trupës elektorale.
Autoritetet zgjedhore bëjnë të ditur se materialet zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, janë shpërndarë në kohë në të gjitha qendrat, duke mundësuar hapjen e procesit sipas planifikimit. Votimi zhvillohet në 949 qendra votimi me 2,550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime përdoren për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë, janë caktuar për votimin me kusht dhe përfshijnë gjithsej 52 vendvotime.
Në listën zgjedhore figurojnë 1,959,962 shtetas me të drejtë vote, të shpërndarë në 38 komuna të Kosovës. Në garën elektorale marrin pjesë 21 subjekte politike, të përbëra nga 17 parti, 3 koalicione dhe një kandidat i pavarur. Për 120 ulëset e Kuvendit kandidojnë 902 persona, prej të cilëve 593 burra dhe 309 gra.

Qytetarët mund të verifikojnë qendrën e tyre të votimit përmes platformës elektronike të KQZ-së. Ndërkohë, për monitorimin e procesit është aktivizuar dhoma operative ku bashkëpunojnë përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës për trajtimin e çdo raportimi gjatë ditës.
KQZ ka njoftuar se të dhënat e përditësuara mbi pjesëmarrjen dhe ecurinë e procesit zgjedhor do të publikohen në konferencat e planifikuara gjatë ditës.
Lini një Përgjigje