TAGS-AT E JAVËS

Sport 1 Korrik 2026, 20:00

“3 luanët” ‘tërbohen’ në pjesën e dytë, Anglia mposht me përmbysje Kongon dhe kualifikohet në 1/16-tat

Shkruar nga Pamfleti
“3 luanët” ‘tërbohen’ në pjesën e
Kombëtarja e Anglisë

Anglia ka prerë biletën për në raundin e 1/16-ve të Botërorit, pasi përmbysi me rezultatin 2-1 Republikën Demokratike të Kongos në sfidën e zhvilluar në "Mercedes-Benz Stadium" në Atlanta. Në fazën e ardhshme, anglezët do të përballen me Meksikën.

Megjithatë, ndeshja nisi me surprizë. Kongo kaloi në avantazh që në minutën e 7-të, kur Brian Cipenga përfitoi nga një top i gjatë i Shansel Mbemba dhe një gabim në mbrojtjen angleze, duke mposhtur portierin Xhordan Pikford për 1-0.

Anglia reagoi menjëherë dhe mori kontrollin e lojës. Xhud Belingam dhe Markus Rashford krijuan disa raste të rrezikshme, por portieri dhe mbrojtja kongoleze rezistuan, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me epërsinë minimale të afrikanëve.

Pas pushimit, skuadra angleze rriti ndjeshëm ritmin dhe e zhvendosi lojën në gjysmëfushën kundërshtare. Rashford iu afrua golit, por tentativa e tij përfundoi në rrjetën e jashtme.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 75-të. Deklan Rajs dërgoi një top të gjatë në zonë, Entoni Gordon krosoi me saktësi dhe Herri Kejn goditi me kokë për të rikthyer baraspeshën.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, Anglia goditi sërish. Në minutën e 86-të, pas një aksioni të ndërtuar mirë dhe asistimit të dytë të Entoni Gordon, Herri Kejn finalizoi me një goditje të saktë me të djathtën, duke vulosur përmbysjen dhe fitoren 2-1.

Dopieta e sulmuesit anglez ishte njëkohësisht edhe një rekord personal, pasi Kejn shënoi golin e 84-të me fanellën e kombëtares në 118 paraqitje.

Me këtë fitore, Anglia vazhdon rrugëtimin në Botëror dhe në raundin e 1/16-ve do të sfidojë Meksikën, ndërsa Kongo eliminohet nga turneu pas një paraqitjeje dinjitoze.

anglia kongo kupa e botës

Lini një Përgjigje