Më 22 qershor 1986, në stadiumin legjendar "Azteca" të Mexico City, Diego Armando Maradona shkroi një nga faqet më të famshme në historinë e futbollit. Me dy golat e tij, Argjentina mposhti Anglinë 2-1 në çerekfinalet e Kupës së Botës, duke hedhur një hap vendimtar drejt titullit kampion që do ta fitonte pak javë më vonë.
Ajo ndeshje nuk ishte thjesht një përballje futbolli. Vetëm katër vite më parë, Argjentina dhe Britania e Madhe kishin zhvilluar Luftën e Ishujve Malvinas/Falkland, një konflikt që mori jetën e afro 900 ushtarëve – 649 argjentinas dhe 258 britanikë – dhe la plagë të thella në të dy vendet, veçanërisht në Argjentinë.
Në atë pasdite dimri në Buenos Aires, vendi u ndal. Rrugët mbetën bosh, ndërsa miliona argjentinas u mblodhën para televizorëve dhe radiove për të ndjekur sfidën që kishte marrë përmasat e një beteje simbolike.
"Dora e Zotit"
Pas një pjese të parë të ekuilibruar, Maradona zhbllokoi rezultatin në minutën e 51-të. Pas një topi të ngritur në zonë, ai u hodh në duel me portierin Peter Shilton dhe, me një prekje të fshehtë me dorën e majtë, dërgoi topin në rrjetë. Arbitri tunizian Ali Bin Naser e quajti gol të rregullt.
Aksioni do të hynte në histori me emrin "Dora e Zotit", një episod që vazhdon të diskutohet edhe sot.
"Goli i Shekullit"
Vetëm katër minuta më vonë, Maradona realizoi atë që shumë e konsiderojnë golin më të bukur të të gjitha kohërave.
Ai mori topin në mesin e fushës pas një pasimi të Hektor Enrike, përshkoi rreth 60 metra në pak më shumë se 10 sekonda, dribloi pesë futbollistë anglezë dhe portierin Peter Shilton, përpara se ta dërgonte topin në rrjetë.
Ajo kryevepër u pagëzua më pas si "Goli i Shekullit" dhe mbetet një nga momentet më ikonike në historinë e Kupës së Botës.
⚽ Diego Armando Maradona | "La Mano de Dios"
— Copa Mundial FIFA ???? (@fifaworldcup_es) May 29, 2024
???????? @Argentina 2-1 Inglaterra ????????????????????????????#CopaMundialFIFA 1986 | Cuartos de final. pic.twitter.com/zo0R7ZvieE
Rrëfimi i Maradonës për "Dorën e Zotit"
Vite më vonë, Diego Maradona tregoi me humor se si lindi ideja për golin e parë.
"Kur pashë që nuk do ta arrija topin me kokë, mendova të fus dorën dhe ta godas. Kur zbrita në tokë nuk e dija ku ishte topi. Pastaj pashë që ishte në rrjetë dhe fillova të bërtisja 'Gol! Gol!'. Shokët më pyetën nëse e kisha bërë me dorë, por u thashë vetëm: 'Më përqafoni, përndryshe arbitri do ta anulojë'."
Më vonë, Maradona do ta përmblidhte gjithçka me frazën që u kthye në legjendë:
"Ishte pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit."
Një rivalitet që shkon përtej futbollit
Përplasja mes Argjentinës dhe Anglisë nuk nisi në vitin 1986. Argjentinasit e konsiderojnë ende të padrejtë eliminimin në çerekfinalen e Botërorit 1966, kur kapiteni Antonio Ratin u përjashtua me karton të kuq në një vendim që në Argjentinë u quajt "vjedhja e shekullit".
Por ishte Botërori i Meksikës ai që e ngriti këtë rivalitet në një tjetër nivel. Për argjentinasit, fitorja ndaj Anglisë kishte një domethënie shumë më të madhe se kualifikimi në gjysmëfinale; ajo u perceptua si një lloj hakmarrjeje sportive pas humbjes në Luftën e Malvinas.
Një ndeshje që u kthye në mit
Rreth asaj sfide kanë lindur dhjetëra histori. Thuhet se fanellat blu të Argjentinës nuk ishin ato zyrtare, pasi trajneri Karlos Bilardo i konsideroi shumë të rënda për vapën e Meksikës dhe u blenë fanella të tjera në qytet, të cilat u përshtatën me logot e kombëtares.
Një tjetër legjendë lidhet me Hektor Enrike, i cili prej dekadash bën shaka se ishte ai që dha asistin për "Golin e Shekullit", edhe pse pasimi i tij ishte vetëm disa metra larg Maradonës.
Edhe Horge Valdano ka rrëfyer një episod të paharrueshëm nga ai aksion.
"Kur Diego mori topin në mesfushë, i bërtita: 'Ma paso, jam i lirë'. Pas golit e pyeta pse nuk ma dha. Ai më tha: 'Të pashë, por dëgjova topin që më tha se donte të shkonte në portë'. Ky ishte Diego."
Trashëgimia
Argjentina fitoi atë ndeshje 2-1 dhe më pas ngriti trofeun e Kupës së Botës. Dy golat e Maradonës – njëri i diskutueshëm dhe tjetri i pavdekshëm – u kthyen në simbol të futbollit.
Njëri hyri në histori si "Dora e Zotit", tjetri si "Goli i Shekullit".
Së bashku, ata ndërtuan mitin e Diego Armando Maradonës dhe e shndërruan Argjentinë–Angli në një nga rivalitetet më të mëdha që ka njohur ndonjëherë futbolli.
Diego Maradona’s goal vs England at the 1986 FIFA World Cup. Genius. ????????✨ pic.twitter.com/xheLWGiUrr
— Footy Timeless (@FootyTimeless) June 16, 2026
Lini një Përgjigje