TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Korrik 2026, 15:34

Kualifikimi i Argjentinës në finale i “nxjerr kartonin e kuq” arbitrave anglezë, FIFA ruan ‘veto-n’ për shkak të historisë së Falklandeve

Shkruar nga Pamfleti
Kualifikimi i Argjentinës në finale i “nxjerr kartonin e
Arbitri anglez, Entoni Tejlor

Majkëll Oliver dhe Entoni Tejlor konsiderohen mes arbitrave më të vlerësuar të Kupës së Botës, por një faktor jashtë fushës mund t'u mohojë mundësinë për të drejtuar finalen e madhe. Nëse Argjentina arrin në aktin përmbyllës të turneut, dy arbitrat anglezë nuk do të mund të caktohen nga FIFA.

Sipas raportimit të “The Athletic”, ekziston një praktikë e konsoliduar brenda FIFA-s që arbitrat anglezë të mos gjykojnë ndeshjet e Argjentinës. Presidenti i Komisionit të Arbitrave të FIFA-s, Pierluixhi Kolina, ka besim të plotë tek Oliver dhe Tejlor, por çështja lidhet me ndjeshmërinë historike dhe politike mes Anglisë dhe Argjentinës.

Në qendër të këtij vendimi qëndron ende trashëgimia e Luftës së Falklandeve të vitit 1982. Konflikti 74-ditor mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës përfundoi me fitoren britanike dhe vijon të mbetet një plagë e hapur në marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjatë luftës humbën jetën 649 ushtarë argjentinas, 255 britanikë dhe tre banorë të ishujve, të cilët në Argjentinë njihen si Malvinas.

Se sa e ndjeshme mbetet kjo temë u pa edhe së fundmi, kur presidenti argjentinas Havier Milei përsëriti pretendimin e vendit të tij mbi ishujt, duke deklaruar: "Malvinat kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë argjentinase."

Edhe pse Oliver nuk kishte lindur kur shpërtheu lufta, ndërsa Tejlor ishte vetëm tre vjeç, FIFA vazhdon të shmangë çdo situatë që mund të interpretohet si konflikt interesi apo të ngjallë polemika politike.

Për këtë arsye, shanset e dy arbitrave anglezë për të drejtuar finalen varen drejtpërdrejt nga ecuria e Argjentinës në turne. Nëse kombëtarja amerikano-jugore eliminohet para finales, Oliver dhe Tejlor do të mbeten kandidatë të fortë për sfidën më prestigjioze të futbollit botëror. Në të kundërt, ëndrra e tyre do të marrë fund.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Botërorin e Katarit katër vite më parë. Entoni Tejlor ishte mes favoritëve për të gjykuar finalen, por kualifikimi i Argjentinës në ndeshjen vendimtare e përjashtoi automatikisht nga gara.

entoni tejlor majkëll oliver arbitrat anglezë

Lini një Përgjigje