Carlo Ançeloti ka siguruar një kontratë të re me Federatën Braziliane të Futbollit, e cila e mban në drejtimin e kombëtares deri në përfundim të Kupës së Botës 2030. Marrëveshja u firmos në muajin maj, pak para nisjes së Botërorit 2026.
Sipas detajeve të publikuara nga "Bild", trajneri italian do të përfitojë 10 milionë euro neto në sezon, duke rritur ndjeshëm të ardhurat krahasuar me kontratën e mëparshme, e cila parashikonte 10 milionë euro bruto në vit.
Kontrata përfshin edhe një bonus të veçantë në rast se Brazili fiton Kupën e Botës. Në atë rast, Ançeloti do të arkëtojë deri në 7 milionë euro shtesë.
Përveç aspektit financiar, marrëveshja garanton edhe një paketë përfitimesh. Federata i ka vënë në dispozicion një limuzinë të blinduar, mbulon shpenzimet e një apartamenti luksoz me pamje nga Oqeani Atlantik në zonën Barra da Tijuca të Rio de Zhaneiros dhe i siguron udhëtime pa kosto drejt Europës ose destinacioneve të tjera sa herë të jetë e nevojshme.
Barra da Tijuca është zgjedhur edhe si bazë e Federatës Braziliane, pasi konsiderohet një zonë më e qetë dhe më pak e ngarkuar se Copacabana apo Ipanema.
Ndërkohë, Ançeloti ka investuar edhe në përgatitjen jashtë fushës. Ai ka ndjekur një kurs intensiv dymujor të gjuhës portugeze me katër seanca në javë, me synimin që komunikimi me lojtarët të jetë i drejtpërdrejtë gjatë Botërorit 2026.
Lini një Përgjigje