TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Qershor 2026, 16:36

Brajan Grudës i hapet rruga për të zëvendësuar Lenart Karl te Gjermania? Mesfushori shqiptar merr sinjalin e qartë nga Nagelsman

Shkruar nga Pamfleti
Brajan Grudës i hapet rruga për të zëvendësuar Lenart
Brajan Gruda

Një lajm i rëndësishëm vjen nga Gjermania, ku mesfushori Lenart Karl ka pësuar një dëmtim që do ta detyrojë të mungojë në Botëror. Menjëherë pas konfirmimit të mungesës së tij, në mediat gjermane nisën diskutimet për futbollistin që do të marrë vendin e liruar në skuadër.

Duke qenë se Karl aktivizohet në rolin e mesfushorit ofensiv, pozicion që mbulon edhe Brajan Gruda, emri i futbollistit me origjinë shqiptare u përmend si një nga alternativat e mundshme. Megjithatë, sipas raportimeve të gazetës gjermane “Bild”, Gruda nuk është zgjedhja e trajnerit Julian Nagelsman për të zëvendësuar Karlin.

Sipas të njëjtit burim, vendi i mbetur bosh pritet t’i besohet Asan Kuedraogos. Futbollisti 20-vjeçar, i cili aktivizohet te Lajpcigu, ka marrë tashmë një ftesë nga përfaqësuesja gjermane dhe numëron një paraqitje me ekipin kombëtar.

Kuedraogo nuk ka kaluar një sezon të lehtë, pasi një pjesë të konsiderueshme të kampionatit e humbi për shkak të dëmtimeve, duke regjistruar pak minuta në Bundesligë. Megjithatë, dëmtimi i Karlit i ka hapur rrugën rikthimit të tij në planet e kombëtares.

Nga ana tjetër, ky zhvillim shihet si një sinjal i qartë për Brajan Grudën. Mesfushori 22-vjeçar vazhdon të mbetet jashtë planeve të Nagelsmanit, pavarësisht mungesës së një lojtari që aktivizohet në të njëjtin rol.

Kjo situatë mund të ndikojë edhe në të ardhmen e Grudës, duke rikthyer në diskutim mundësinë që ai të konsiderojë përfaqësimin e Shqipërisë në nivel kombëtar.

brajan gruda mesfushori shqiptar lenart karl

Lini një Përgjigje